Një grup kompanish në fushtën e tregtisë online kanë vendosur të krijojnë Shoqatën e E-commerce Shqiptar. Rreth 110 subjekte që operojnë në këtë fushë, së bashku me partnerë si institucionet dhe organizatat financiare, kompanitë logjistik, të teknologjisë dhe inovacionit u mblodhën në një takim në mjediset e “Hotel Plaza”, në Tiranë, ku diskutuan për krijimin e kësaj organizate. Në fund, 35 subjekte nënshkruan krijimin e këtij organizimi, i cili do të mbrojë interesat legjitime të operatorëve të këtij sektori.
Nisma për krijimin e Shoqatës së E-commerc-it Shqiptar u ndërmorr nga një grupim kompanish shqiptare, të kryesuar nga Valer Pinder, CEO i “Aladini Trade Partner”, Zyra e Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim (GIZ) dhe ABSL Albania.
Pinderi parashtroi situatën e tregtisë online në Shqipëri, ecurinë ndër vite, rritjen e saj, sidomos pas fillimit të pandemisë në vitin 2020, dhe sfidat që shfaqen si pasojë e informalitetit në shitjet online. “Ky treg shfaq mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë kompanitë që duan të punojnë në këtë treg, por e vetmja zgjidhje është formalizimi i tij, bashkëpunimi me operatorët e tregut si institucionet financiare, subjektet që operojnë në sektorët logjistikë, teknologji, dhe dialogu me institucionet politikë-bërëse në Shqipëri”, – tha Pinderi. Sipas tij, çdo ditë shpërndahen 17 000 – 20 000 pako nga kompanitë postare drejt klientëve, ku më pak se 30% iu përkasin kompanive që operojnë ligjërisht në treg. Sfida më e madhe mbetet formalizimi i tregut, hapja ndaj tregjeve globale dhe zhvillimi i këtij sektori sipas standardeve profesionale.

Përfaqësuesit në këtë takim dhanë ide dhe propozime për ngritjen dhe funksionimin e kësaj organizate. Mes tyre u propozua që kompanitë anëtare të shoqatës të pajisen me një certifikatë sigurie për të rritur besueshmërinë në treg si dhe u diskutua ngritja e një fondi garancie për klientët. Në fund u vendos për ngritjen e një Bordi Këshillimor me pjesëmarrjen e organizave dhe institucioneve financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, të ekspertëve të fushave që lidhen me tregtinë elektronike dhe partnerë të tjerë që lidhen me këtë sektor.
Para disa ditësh Ministria e Financave ka thirrur në një takim të gjithë përfaqësuesit e kompanive që tregtojnë online dhe ka kërkuar prej tyre propozime për përmirësimin e kuadrit ligjor – rregullativ si dhe ndërmarrjen e hapave të përbashkët në luftën kundër evazionit fiskale dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto