Fundjavën përpara provimeve përfundimtare në pranverën e 2016-ës, Ian Proulx, në atë kohë një maturant që studionte shkenca kompjuterike në Universitetin e Stanfordit, ftoi shtatë miq të tij për të testuar projektin e tij të diplomës – një videolojë FPS (first-person-shooter).
“Askush nuk donte të luante sepse të gjithë kanë provime përfundimtare për të studiuar, apo jo?” tha ai për Insider: “Por unë i detyrova shtatë miqtë e mi të cilët kishin kompjuterë lojërash, të vinin dhe të luanin testin për 45 minuta, por përfunduam duke luajtur për pesë orë rresht atë ditë.”
Së bashku me mikun e tij, Nicholas Bagamian, Ian themeloi 1047 Games, e cila e ka marrë emrin nga 1047 Campus Drive, adresa e konviktit në kampusin ku ata jetonin. Dhe në vitin 2017, pasi të dy u diplomuan, secili investoi 7,500 dollarë nga paratë e veta për të filluar zhvillimin e lojës në atë që tani quhet “Splitgate”.
Ata kaluan dy vitet e ardhshme duke ndërtuar lojën duke shtuar veçori si armë dhe harta shtesë, si dhe duke rritur kapacitetin e serverit të tyre.
Nga fundi i vitit 2018, 1047 Games kishte marrë disa fonde dhe ngadalë e rriti ekipin në 14 persona, duke përfshirë animatorë, artistë dhe dizajnerë hartash.
“Splitgate” u lëshua në PC në një fazë të hershme në maj 2019, por vetëm në korrik të këtij viti, kur u bë i disponueshëm në Xbox dhe PlayStation, loja u kthye në një hit. Më shumë se 10 milionë njerëz e shkarkuan lojën brenda muajit të parë.
Kjo ra në sy të investitorëve si Inside Partners, Anthos Capital dhe Draper Dragon, dhe në shtator, 1047 Games njoftoi se kishte mbledhur 100 milionë dollarë në financimin e serisë A, që e vlerësonte kompaninë me mbi 1.4 miliardë dollarë.
“Ekipi ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të arritur atë që kemi bërë, por mendoj se në këtë pikë, kjo do të thotë që ne mund të punësojmë njerëzit më të mirë në planet dhe të mos humbasim kandidatët për shkak të buxhetit”, thotë Ian.
Pavarësisht popullaritetit të “Splitgate”, loja do të mbetet në versionin beta për momentin. Proulx tha se dëshiron të vazhdojë krijimin e një produkti cilësor përpara lançimit zyrtar të lojës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.