Në vijim të procesit të vaksinimit në mënyrë të vazhdueshme e me ritëm të lartë në Shqipëri, lajmi i radhës që vjen është ai i një njohjeje të mundshme të certifikatës shqiptare të vaksinimit nga vendet e Bashkimit Evropian, në atë që do të prezantohet si një certifikatë e integruar në sistemin Evropian.
Lajmin e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite të saj në qendrën shëndetësore numër 1 në Tiranë, e cila shërben edhe si qendër vaksinimi. Së fundmi, interesimi më i shtuar i vaksinimit është ai i studentëve. Kjo, për shkak edhe të fillimit të sezonit akademik 2021-2022. Sipas paralajmërimeve të mëparshme, pjesëmarrja në auditore do të lejohet vetëm për personat e vaksinuar ose duke paraqitur test negativ të COVID-19 brenda 72 orëve.
Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër, i pranishëm në këtë vizitë, ka bërë apelin e radhës për vaksinim. Ai theksoi se sipas ekspertëve, vaksinimi, edhe nëse nuk parandalon infektimin, minimizon rrezikun për vdekje. Ndërsa për studentët e pavaksinuar, e ravijëzoi se ata nuk do të lejohen në auditorë të pavaksinuar.
Mbi dozat e vaksinave, ato janë tashmë mbi 2 milionë doza në Shqipëri. Brenda dhjetorit ndërkohë, sipas Manastirliut, do të shkojë totali në 3 milionë. Të përdorura, janë përafërsisht 1.55 milionë. Një pjesë e mirë e tyre mbeten të papërdorura.
Një tjetër aspekt i theksuar është ai i procesit të check-up-it, i cili ka rifilluar në shtator. Sipas mjekëve, së bashku me vaksinimin, kontrolli shëndetësor është çelësi për të shmangur fatalitetet.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.