Turizmi, parashikohen 4 trilionë dollarë humbje - Business Magazine Albania

Turizmi, parashikohen 4 trilionë dollarë humbje

Humbjet ekonomike janë duke u rritur në shtetet në zhvillim, për shkak të mungesës së vaksinave kundër Covid 19. Dëmet në turizmin ndërkombëtar, për shkak të pandemisë, mund të shkaktojnë humbje të më shumë se 4 trilionë dollarëve në bruto-produktin e brendshëm, në nivel global për vitet 2020 dhe 2021, është thënë në një raport të publikuar më 30 qershor nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim.

Humbjet vlerësohet se janë rezultat i efektit direkt që ka pasur pandemia në turizëm dhe në sektorët e lidhur me të. Raporti, i prezantuar bashkë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Turizëm Botëror, ka treguar se turizmi ndërkombëtar dhe sektorët e lidhur ngushtë me të, janë përballur me humbje prej 2.4 trilionë dollarësh më 2020, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë dhe atij jo të drejtpërdrejtë, në uljen e numrit të udhëtimeve të turistëve.

Humbje të ngjashme mund të raportohen edhe këtë vit, paralajmëron raporti, duke theksuar se rimëkëmbja e sektorit të turizmit do të varet nga shkalla e vaksinimit kundër koronavirusit, në nivel botëror.

“Botës i duhen përpjekje globale për vaksinim, që të mbrojnë punëtorët, të lehtësojnë ndikimet e ashpra shoqërore dhe të ndikojnë në marrjen e vendimeve sa i përket turizmit”, ka thënë ushtruesja e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, Isabelle Durant.

Shtetet në zhvillim, të dëmtuara nga pabarazia me vaksina.

Teksa shkalla e vaksinimit vazhdon të rritet, më shumë në një vend, krahasuar me një tjetër, raporti thotë se humbjet nga turizmi janë kufizuar në shumicën e vendeve të zhvilluara, mirëpo janë përkeqësuar në vendet në zhvillim. Shkalla e vaksinimit dallon nga 1 për qind në disa vende, në mbi 60 për qind në disa tjera.

Sipas raportit, shpërndarja asimetrike e vaksinave flet për shokun ekonomik që ka përjetuar turizmi në vendet në zhvillim, pasi ato kanë pësuar 60 për qind të humbjeve të bruto-prodhimit të brendshëm, në nivel botëror. Sektori i turizmit pritet të rimëkëmbet shpejt në shtetet me shkallë të lartë të vaksinimit në vendet si: Franca, Gjermania, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, është thënë në raport.

Sipas raportit, ulja e turizmit shkakton 5.5 për qind rritje të shkallës së papunësisë për punëtorët e pakualifikuar.

Humbje më të mëdha seç pritej

Në korrik të vitit të kaluar, Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, ka vlerësuar se një bllokadë, katër deri në 12 muaj, në turizmin ndërkombëtar, do t’i kushtonte ekonomisë globale 1.2 trilion deri ne 3.3 trilionë dollarë humbje, përfshirë shpenzimet indirekte.

Mirëpo humbjet janë më të mëdha sesa është pritur, përfshirë edhe skenarin më të keq të hartuar nga organizata e OKB-së, vitin e kaluar, pasi turizmi ndërkombëtar është ende në nivele të ulëta, edhe 15 muaj pas nisjes së pandemisë.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Turizëm Botëror, shifra e turistëve ndërkombëtarë ka rënë për 1 miliard, apo 73 për qind në periudhën janar-dhjetor 2020. Në çerekun e parë të vitit 2021, Barometri për Turizëm Botëror, i kësaj Organizate, ka raportuar për rënie prej 88 për qind të turizmit.

Rajonet më të prekura janë Azia Verilindore, Azia Juglindore, Oqeania, Afrika Veriore dhe Azia Jugore, derisa më pak të prekura janë Amerika Veriore, Evropa Perëndimore dhe Karaibet.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0