Qeveria shqiptare ka nënshkruar sot marrëveshjen për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Në fjalën e saj ministrja Belinda Balluku sqaroi se punimet do të zhvillohen në disa faza, ku faza e parë do të jetë ajo përgatitore.
“Punimet do të nisin brenda 14 muajve. Do të ketë një fazë përgatitore. Kompania do të bëjë një studim të detajuar mjedisor. Do të ketë edhe një studim arkeologjik, më pas 8 muaj do të jenë në dispozicion për përmbushjen e kushteve paraprake si dhe dorëzimit përfundimtar të masterplanit. Ndërsa 6 muaj do të jenë për marrjen e lejeve.
Në fazën e parë përfshihet ndërtimi i terminalit të pasagjerëve dhe kjo kontratë është nënshkruar për 36 muaj. Faza e dytë, e cila konsiston në zgjerimin e terminalit, do të përfundojë pas vitit të 4 të operimeve. Kemi një kontratë që ndahen në faza për shkak edhe të numrit të pasagjerëve. Aeroporti i Vlorës do të ketë jo vetëm injektimin direkt mbi 100 mln euro investim në ekonomi, por ndikimet indirekte të këtij aeroporti janë të jashtëzakonshme”, tha ndër të tjera Balluku.
Kryeministri deklaroi, se me 4 portat hapëse nga qielli, me aeroportet e Tiranës, Vlorës, Kukësit dhe Sarandës, po edhe me katër portet, Shëngjinit, Vlorës, Durrësit dhe Sarandës, Shqipëria do të ketë një bum të madh ekonomik.
Vlera e investimit të këtij aeroporti do të jetë 104 milionë euro. Aeroporti i tretë në vend do të ndërtohet nëpërmjet praktikës së Partneritetit Publik Privat, me një kohëzgjatje të koncesionit për 35 vite. Konsorciumi fitues i projektit do ta ndërtojë me fondet e veta aeroportin, ndërsa shteti shqiptar merr përsipër të garantojë të ardhurat minimale për 10 vitet e para të operimit. Nëse në 10 vitet e para fitimi i kompanisë është nën limit, diferenca e fitimit të parashikuar do të paguhej nga shteti, ndërsa në rast se fitimi ka tejkaluar parashikimin, të ardhurat do të ndahen 50 me 50 me shtetin.
Në konsorciumin fitues është Bexhet Pacolli me kompaninë e tij Mabetex Group, si dhe kompania turke që po ndërton Spitalin e Fierit, e cila ka ndërtuar aeroportin e Stambollit, YDA Group. Gara për këtë projekt ishte hapur në nëntor 2019 dhe duhet të mbyllej në 12 mars 2020, por u shty si pasojë e pandemisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.