Platforma Twitter më 21 mars feston 15 vjetorin e themelimit të saj. Me 330 milionë përdorues në të gjithë botën, kompania që dikur e quante veten krah i fjalës së lirë është detyruar të luftojë me abuzimet e platformës së saj. Në vitin 2006, bashkëthemeluesi i kompanisë Twitter, Jack Dorsey bëri postimin e parë. Rrjeti social mbush 15 vjet këtë muaj, dhe postimi origjinal aktualisht ka arritur të marrë 2.5 milionë dollarë në një ankand në internet.
Ajo që filloi si një mikroblog me 140 shkronja është shndërruar në një megafon për personat e famshëm, udhëheqësit botërorë dhe aktivistët në të gjithë botën.
“Ka qenë thjesht një platformë dixhitale ose sferë publike, ku njerëzit mund të komunikonin. Platforma është e thjeshtë dhe përdorimi i saj është shumë i lehtë, gjë që është ruajtur gjatë gjithë kohës”, thotë Dhiraj Murthy, Profesor i Universitetit të Teksasit në Austin.
Profesor Murthy, autor i dy librave për Twitterin, thotë se ekziston një nivel i caktuar i demokratizimit që mbetet tërheqës për përdoruesit. “Njerëzit mund të jenë të sinqertë dhe të marrin përgjigje shumë shpejt, madje edhe nga njërëz që përndryshe kurrë nuk do të mund të merrnin një reagim”, thotë ai.
Shpejtësia dhe shkalla me të cilën lëviz informacioni në Twitter ka luajtur gjithashtu një rol kryesor në lëvizjet sociale nëpër botë. “Themeluesit e lëvizjes Black Lives Matter thonë se kjo lëvizje nuk do të ekzistonte pa mediat sociale. Padyshim, Twitteri ishte gjithashtu një katalizator i lëvizjeve gjatë Pranverës Arabe, Revolucionit Dëbora në Rusi, lëvizjeve të protestave në Hong Kong dhe atyre në Ukrainë”, thotë Sinan Aral nga Nisma MIT për Ekonominë Dixhitale.
Por premtimi për një komunikim të pakufizuar ka çuar edhe në përhapjen e teorive të konspiracionit dhe dezinformimit, thotë studiuesi Sinan Aral.
“Ne kemi studiuar dhjetë vjet të të dhënave të tyre dhe zbuluam se lajmet e rreme shkuan më larg, më shpejt, më thellë dhe më gjerë se e vërteta në çdo kategori informacioni dhe ato lajme të rreme politike ishin më virale”, thotë ai.
Ky zhvillim rezultoi në ndalimin e një figure publike këtë vit.
“Unë mendoj se ata duhet t’i japin përparësi dhe të mendojnë se si në të ardhmen do të merren me ngritjen e një personi tjetër të ngjashëm me Donald Trumpin”, thotë Irina Raicu, studiuese e etikës në internet në Universitetin Santa Clara.
Por në mungesë të rregullimit nga qeveria, zonja Raicu thotë se Twitter ka një përgjegjësi për të moderuar përmbajtjen në platformën e saj. “Do të jetë vërtet e vështirë për Twitterin që të veprojë në disa vende, si lloji i platformës që unë mendoj se duhet të jetë, që mundëson shprehjen dhe komunikimin e lirë”, thotë ajo.
Një gjë për të cilën shumë kritikë janë dakord është se në 15 vjetorin e saj, kompania Twitter që dikur e quante veten krah i fjalës së lirë ka ende nevojë për përmirësime.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.