Gjatë COVID-19, fitimi bëhet dytësor dhe drejtuesit e bizneseve kanë kohë të mjaftueshme për të pyetur veten nëse ia vlen që biznesi i tyre të ekzistojë. Lojtarët e industrisë që ndalen për të reflektuar mbi qëllimin e tyre kanë një prognozë shumë më të mirë pas krizës.
Pandemia COVID-19 ka krijuar një stuhi të përsosur dhe të pashembullt për industrinë e prodhimit të veshjeve. Një zinxhir furnizues i ndërtuar mirë, mund të ketë mbrojtur disa lojtarë të industrisë nga tronditja fillestare e furnizimit. Por teksa virusi nisi të udhëtonte nëpër kontinente, shumë pak aktorë të tregut u kursyen nga tronditja e kërkesës, ndërkohë që grilat e dyqaneve buzë rrugës u mbyllën një e nga një, shkruan Forumi Ekonomik Global.
Në kohë fatkeqësish, është e lehtë që bizneset të shtypin butonin e panikut, duke marrë masa të furishme dhe të kërkojnë mundësi të shpejta fitimi. Por pa dobi. E vërteta është se fitimet janë bërë dytësore, sepse biznesi nuk vazhdon më si zakonisht. Ana pozitive e gjithë kësaj situate është se tashmë ka kohë të mjaftueshme për të reflektuar dhe për të kërkuar përgjigjen e pyetjes: pse duhet të ekzistojë biznesi juaj?
Prodhuesit dhe aktorët e tjerë të industrisë që e shfrytëzojnë kohën duke reflektuar mbi këtë pyetje, do të kenë një prognozë shumë më të mirë pas krizës, madje edhe gjatë saj. Një ndërmarrje e mirë e dëshmon rëndësinë e saj për shoqërinë gjatë kohëve të krizës
Kur pandemia po përhapej në fillim të shkurtit, Esquel Group, një nga fabrikuesit më të mëdhenj të këmishëve në botë, hyri në një territor krejtësisht të panjohur, duke studiuar duke dhe kryer prodhimin e maskave të ripërdorshme për fytyrën. Brenda tre muajve, kompania me qendër në Hong-Kong, prodhoi mbi 30 milionë maska, në një aspekt e barabartë me 1 miliard maska njëpërdorimshme, duke pasur parasysh se secila mund t’u rezistonte 30 larjeve. Kjo nismë ishte një përgjigje në kohën e duhur për mungesën e madhe të maskave në të gjithë botën, dhe i mbajti punëtorët e kompanisë në punë, ndërkohë që krijonte vlera për komunitetin e gjerë.
Strategjia ‘5 Es’ e kompanisë ishte një pjesë e madhe e rrugëtimit të saj për t’u bërë e rëndësishme nëpërmjet prodhimit të maskave për fytyrën. “5 Es” përfshinte etikën, mjedisin, eksplorimin, përsosmërinë dhe edukimin. Ato mund të shërbejnë si udhëzues për çdo lojtar të industrisë që kërkon të shpëtojë nga një stuhi.
Këto janë pikat kyçe:
Etika: Ndërtoni besimin duke bërë premtime që mund t’i mbani
Besimi jep shpërblime afatgjata. Mund të jetë joshëse dhe e lehtë të bësh premtime të larta në një kohë kur maskat e fytyrës, ose ndonjë artikull tjetër, kthehen befas në një mall shumë të kërkuar. Por nëse keni një qëllim më të madh në mendje, bëni mirë të qëndroni larg marketingut dhe të përqendroheni në të qenët i sinqertë me klientët.
Jini të qartë për atë që mund të bëni. Për shembull, një maskë që ripërdoret nuk është një maskë e nivelit mjekësor. Ajo është një mjet për higjienën dhe shëndetin dhe e përshtatshme për qëllime të përgjithshme, por nuk duhet të vishet në një mjedis me rrezik të lartë.
Etika ishte baza ku u përqendruam në bërjen e maskave për fytyrën, duke filluar nga kërkimi dhe zhvillimi, deri tek marketingu dhe fabrikimi. Etika i kujtonte ekipit që të mos ndiqte rrugën e gabuar të sakrifikimit të cilësisë dhe transparencës në kurriz të efikasitetit.
Mjedisi: Gjithmonë llogaritni koston e çdo veprimi te mjedisi
Në një kohë kur pandemia po merr jetë njerëzish dhe po shkatërron ekonominë globale, urgjenca për të mbrojtur planetin tonë ka zënë një vend dytësor. Por planeti nuk do të na falënderojë për mbetjet e miliarda maskave kirurgjikale të përdorura.
Në fakt, grupet mjedisore kanë paralajmëruar tashmë për efektin shkatërrues që mund të kenë në jetën detare maskat kirurgjikale, që kryesisht prodhohen nga polipropileni. Me kalimin e kohës, nëse nuk merren masa, materiali i tyre zbërthehet ngadalë në mikroplastikë dhe hyn në zinxhirët ushqimorë.
Një zgjidhje e mirë nuk duhet të krijojë më shumë probleme sesa zgjidh. Ideja për të krijuar maska të ripërdorshme ishte përgjigjja e Esquel ndaj problemit të plastikës, duke mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve.
Eksplorimi: Lëvizni shpejt dhe bëni ndryshime
Mantra e Facebook për “lëvizje të shpejtë dhe ndryshim” mund të mos jetë mënyra sesi industritë tradicionale dëshirojnë të operojnë, siç janë prodhuesit e veshjeve. E megjithatë, e ashtuquajtura “mënyrë teknike” nuk është ekskluzive për Silicon Valley dhe bëhet më e dobishme në kohë krizash.
Kjo për shkak se të gjitha llojet e kompanive – jo vetëm ato të teknologjisë – papritmas kanë një interes për të sfiduar status quo-në; dhe për të nisur rrugën drejt ndryshimit. Ekipi i hulumtimit dhe zhvillimit duhet të rritet dhe konkurrenca, bashkëpunimi dhe sjellja e produkteve të reja në treg bëhet më e rëndësishme se kurrë. Udhëtimi i Esquel për krijimin e maskave të ripërdorshme ishte pak a shumë si drejtimi i një startup-i brenda një kompanie, me shumë të panjohura dhe rezultati nuk mund të përcaktohej në fillim.
Ky është një shembull i mirë se si inovacioni është çelësi kryesor për lëvizjen e tre proceseve të ndërlidhura: zbulimit, eksperimentimit dhe optimizimit. Duke u bazuar në tre parimet e mësipërme, u dizenjuan maskat dhe u krijuan linjat e nevojshme të prodhimit, të arritura duke riorientuar energjitë ekzistuese të kapacitetit prodhues të veshjeve.
Përsosmëria: Shtyrja e limiteve
Kur bëhet fjalë për dhënien e vlerave reale të biznesit në një territor të paeksploruar, një nga sfidat më të mëdha është të përpiqemi për përsosmëri, por pa ngecur në kurthin e ndjekjes së përsosmërisë. Mund të tundoheni për të pritur derisa produkti juaj të jetë plotësisht i gatshëm për të dalë në treg dhe mund të kuptoni më pas se e keni humbur shansin.
Përpjekja për përsosmëri mund të përfshijë shtytjen e limiteve të përsosmërisë në fusha si performanca e produktit, efikasiteti i prodhimit, shpërndarja dhe kostoja. Por në fund, ju duhet të pranoni edhe se shpeshherë nuk mund të arrihen të gjitha njëherësh.
Gjëja e parë që pranoi Esquel në lidhje me prodhimin e maskave të ripërdorshme ishte: më e mira që mund të bëjmë sot mund të mos jetë mjaft e mirë për nesër. Kështu, fillimisht kompania u përqendrua në sigurimin e shëndetit dhe mirëqenies së punëtorëve të tij dhe rihapjen e shpejtë të fabrikave. U zhvillua një model bazë për të mbyllur hendeqet në furnizimin me maskë, dhe produkti më pas u përmirësua bazuar në komentet kritike para se të hidhej në treg.
Edukimi: Ndërtoni njohuri organizative për të mos bërë të njëjtat gabime dy herë
Nëse keni një forcë pune të motivuar që ndan një ndjenjë përgjegjësie mbi atë që bën, vënia në lëvizje e strategjive të rimëkëmbjes do të jetë shumë më e lehtë. Në fakt, një fuqi punëtore e qëndrueshme është edhe më e rëndësishme për industritë me një fuqi të lartë punëtore, si prodhimi i veshjeve.
Në kohë të vështira, trajtojini anëtarët e stafit si partnerët tuaj, mbajini ata të informuar, fuqizojini me aftësitë që u duhen dhe ofrojuni atyre sigurinë se do t’i udhëzoni për të dalë nga stuhia. Në rastin e kompanisë Esquel, krijimi i maskave të ripërdorshme ishte një koncept i ri për të gjithë, madje edhe për punëtorët e qepjes dhe pa dyshim, për drejtuesit e shitjeve. Në tjetër hap thelbësor është mundësimi i stafit me mjetet e duhura të menaxhimit të njohurive.
Është e rëndësishme të sigurohet që të gjitha departamentet – R&D, prodhimi, logjistika, shitja me pakicë dhe marketingu – të mund të bazohen në të njëjtat përvoja që të mos ecin në të njëjtën rrugë dy herë.
Perspektivat për të ardhmen
Tregu global i veshjeve gradualisht do të rimëkëmbet kur pandemia do të vihet nën kontroll. Dhe kompania Esquel do t’i rikthehet sërish biznesit normal të tekstilit dhe veshjeve. Kjo krizë e ka ndihmuar kompaninë të ecë në një rrugë të re, jo vetëm në krijimin e maskave të ripërdorshme, por edhe në zhvillimin e markave dhe platformave të reja. Në fund të fundit, çdo krizë mbart brenda vetes edhe farat e mundësive.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.