4 gjeste në një intervistë që të marrin në punë - Business Magazine Albania

4 gjeste në një intervistë që të marrin në punë

4 gjeste në një intervistë që të marrin në punë

Kur bëhet fjalë për intervistat e punës, gjuha e trupit mund të jetë po aq vendimtare sa edhe vetë CV-ja juaj. Sipas Benjamin Granger, psikolog i punës në kompaninë e softuerëve Qualtrics, qëndrimi, shprehja e fytyrës dhe sjellja janë thelbësore për të krijuar një përshtypje të parë pozitive.

“Kur takojmë dikë për herë të parë, nuk e kuptojmë plotësisht që truri ynë është menjëherë aktiv,” shpjegon ai. “Ai analizon fytyrën, qëndrimin e trupit, dhe nëse personi duket i hapur apo i mbyllur.” Në mënyrë të pavetëdijshme, këto sinjale joverbale ndikojnë në mënyrën se si ne e perceptojmë një person, thotë Granger. Më poshtë janë katër nga këshillat kryesore që ai ndan në kursin Smarter by CNBC Make It me titull “Si të shkëlqeni në intervistën e punës”, për t’u paraqitur në versionin më të mirë tuajin gjatë një interviste.

1. Filloni me një buzëqeshje

Kjo këshillë mund të duket e thjeshtë, por “është e pabesueshme se çfarë ndikimi ka një buzëqeshje e sinqertë” për të krijuar një ndjesi pozitive tek intervistuesi, shprehet Granger. Sipas tij, shumica e njerëzve mund ta dallojnë nëse buzëqeshja është e vërtetë apo e sajuar. Një buzëqeshje e sinqertë shoqërohet me rrudha të vogla në skajet e syve. “Nëse shihni dikë që ka shumë rrudha në ato zona, ndoshta është një tregues i mirë që kemi të bëjmë me një person të sinqertë,” thotë ai.

2. Mbani një qëndrim të hapur

Qëndrimi i trupit është një tjetër mjet komunikimi shumë i rëndësishëm, thekson Granger. Për të lënë përshtypje të mirë gjatë një interviste pune, ai rekomandon një qëndrim të hapur të trupit: supet drejt, duart të ndara dhe të qeta. Ky qëndrim tregon përfshirje në bisedë dhe siguri në vetvete. Në të kundërt, qëndrimi i mbyllur,  si krahët apo këmbët e kryqëzuara,  mund të perceptohet si mungesë interesi, pasiguri apo edhe fshehje e diçkaje. Gjithashtu, sigurohuni që busti dhe këmbët të jenë të drejtuara drejt intervistuesit. “Në përgjithësi, këmbët tregojnë se nga dëshiron të shkosh,” thotë Granger, ndaj shmangni t’i drejtoni nga dera e daljes.

Lexo edhe:Themeluesi i YouTube ngre alamrin: Videot e shkurtra dëmtojnë fëmijët

3. Jepni një shtrëngim duarsh të ekuilibruar

Ekziston një shprehje e vjetër që thotë se mund të mësosh shumë për një person nga mënyra si të shtrëngon dorën  dhe sipas Granger, kjo është absolutisht e vërtetë. Ai rendit tre lloje shtrëngimesh duarsh, secili me një mesazh të ndryshëm. Më i miri për situata profesionale është shtrëngimi i ekuilibruar, që realizohet me shuplakat paralele dhe një shtypje të fortë, por jo agresive. Ky lloj shtrëngimi transmeton barazi dhe respekt të ndërsjellë. Ndërsa shtrëngimi me shuplakën poshtë sinjalizon dorëzim dhe nënshtrim, ai me shuplakën sipër tregon dominim. Edhe pse nuk mund ta kontrolloni llojin e shtrëngimit që do të zgjidhë intervistuesi, kujdesuni që vetë të tregoni qëndrim të hapur dhe të sigurt: “supet drejt, koka lart, mjekra lart,” këshillon ai.

4. Mbi të gjitha, jini autentik

“Këshilla më e rëndësishme që do të doja që njerëzit ta besonin më shumë gjatë intervistave është: thjesht jini vetvetja,” thotë Granger. Shumë shpesh, kandidatët ndihen sikur duhet të luajnë një rol apo të shtiren, për të lënë përshtypje më të mirë. Është e kuptueshme që dëshironi të paraqiteni në versionin tuaj më të mirë, por gjuha e trupit zbulon shpejt nëse jeni autentik apo jo. “Nëse përpiqeni të sajoni diçka, intervistuesi ka shumë gjasa ta kuptojë,” thotë Granger. Madje edhe në mënyrë të pavetëdijshme, “mund të ndiejë që diçka nuk shkon.” Prandaj, hyni në intervistë me një qëndrim pozitiv dhe të sigurt. “Mendoni që kjo është një përvojë emocionuese,” sugjeron ai. “Mendoni që po takoni një person me të cilin mund të punoni për disa vite. Kjo ju ndihmon të jeni të çliruar dhe të buzëqeshni sinqerisht.”

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0