Shumë kandidatë që duken të përgatitur dhe me eksperiencë shpesh përfundojnë të refuzuar pas intervistave të punës. Arsyeja? Jo gjithmonë aftësitë apo CV-ja, por mënyra se si ata i përgjigjen disa pyetjeve kyçe. Si punëkërkues, duhet të dini se ka disa përgjigje që punëdhënësit i konsiderojnë “sinjal alarmi” dhe që mund t’ju përjashtojnë menjëherë nga gara. Ja tre prej tyre dhe si mund t’i zëvendësoni me përgjigje më të mençura:
1. “Dua të hap biznesin tim në të ardhmen.”
Edhe pse tingëllon si shenjë ambicieje, për një rekrutues kjo do të thotë se po planifikoni të largoheni që në fillim. Kompanitë shpenzojnë kohë dhe para për t’ju trajnuar, dhe investimi i tyre shpërblehet pas disa vitesh. Nëse tregon se synimi juaj është të ikni, ata nuk do të rrezikojnë.
Si ta shprehni më mirë:
“Qëllimi im është të rritem profesionalisht dhe të arrij një pozicion drejtues, duke dhënë maksimumin këtu në kompaninë tuaj.”
Lexo edhe: Ekspertja: Mos u përpiq të dukesh “cool” në punë, nuk do të kesh ndikim
2. “Vlerësoj balancën punë-jetë dhe kujdesin për veten.”
Të gjithë e duam balancën, por nëse e paraqisni si prioritetin kryesor, mund të duket sikur nuk jeni i gatshëm të përballoni ritmin dhe pritshmëritë e kompanisë. Punëdhënësit duan të shohin motivim, energji dhe përkushtim.
Si ta shprehni më mirë:
“Vlerësoj mirëqenien personale, por ajo që më motivon më shumë është zhvillimi profesional, arritja e rezultateve dhe puna në një ekip me performancë të lartë.”
3. “U largova nga puna sepse isha pjesë e shkurtimeve.”
Në pamje të parë kjo duket një arsye e thjeshtë. Por shumë drejtues mendojnë: “Pse nuk u mbajt në kompani si punonjës i mirë?” Në këtë rast, duhet ta sqaroni situatën me kujdes. Për shembull, mund të thoni se kompania u tërhoq nga një linjë biznesi ku aftësitë tuaja nuk kishin më aplikim.
Si ta shprehni më mirë:
“Shkurtimet më mësuan një mësim të rëndësishëm: që të mbetesh konkurrues, duhet të investosh vazhdimisht në aftësitë e tua, sepse biznesi është gjithmonë në ndryshim.”
Tregu i punës është i vështirë dhe konkurenca e lartë. Çdo përgjigje që jepni në një intervistë duhet të tregojë se dëshironi të jeni pjesë e kompanisë, të zhvilloheni aty dhe të kontribuoni për suksesin e saj. Nëse nuk jeni i sigurt për një përgjigje, pyesni veten:
“A tregon kjo se dua të jem këtu, të rritem këtu dhe të fitoj këtu?”
Nëse jo, mendohuni përsëri.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto