2025-a në shifra pozitive për klimën, nga traktatet ndërkombëtare te boom-i i energjisë së rinovueshme - Business Magazine Albania

2025-a në shifra pozitive për klimën, nga traktatet ndërkombëtare te boom-i i energjisë së rinovueshme

Ndryshimet klimatike janë bërë një prani e kudondodhur, që rëndon mbi botën si një re gri . Interneti është i mbushur me lajme të këqija, jo gjithmonë të sakta ndërsa realiteti mbetet i ashpër: ngjarjet ekstreme të motit po përkeqësohen, kufijtë planetarë janë tejkaluar dhe emetimet nga lëndët djegëse fosile janë në nivele rekord, pavarësisht pasojave shkatërruese për Tokën.

Këto tituj shpesh mbysin lajmet e mira, duke lënë në hije përparime historike dhe përpjekje të rëndësishme për ruajtjen e mjedisit. Prandaj, për ta mbyllur vitin me një rreze shprese, ja pesë nga fitoret më të mëdha klimatike të vitit 2025 që mund t’i keni humbur.

Vendimi historik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për klimën

Në korrik, gjykata më e lartë e OKB-së dha një opinion historik mbi ndryshimet klimatike, duke përcaktuar përgjegjësitë e shteteve sipas së drejtës ndërkombëtare. Ishte çështja më e madhe e trajtuar ndonjëherë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), me mbi 150 parashtresa nga shtete, organizata ndërkombëtare dhe grupe të shoqërisë civile.

Në një opinion këshillimor prej 133 faqesh, GJND-ja konfirmoi se një “mjedis i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm” është një e drejtë njerëzore, njësoj si aksesi në ujë, ushqim dhe strehim. Edhe pse vendimi nuk është juridikisht detyrues, ai ka ndihmuar në vendosjen e themeleve ligjore për të mbajtur përgjegjës ndotësit e mëdhenj dhe për të fuqizuar komunitetet më të prekura nga ndryshimet klimatike.

Ky vendim i shtohet vrullit të krijuar nga çështja pioniere Urgenda, e cila shënoi herën e parë në botë kur një gjykatë urdhëroi një qeveri të ndërmarrë veprime më të forta kundër ndryshimeve klimatike. “Kurrë nuk kemi qenë në një pozitë më të mirë për të përdorur ligjin në mbrojtje të njerëzve dhe planetit nga kriza klimatike,” thotë Dennis van Berkle, këshilltar ligjor në Urgenda.

Viti 2025 ishte gjithashtu një vit kyç për paditë klimatike. Në nëntor, më në fund nisi seanca gjyqësore mes fermerit belg Hugues Falys dhe kompanisë TotalEnergies, gati dy vjet pas depozitimit të padisë. Falys po e çon gjigantin e naftës në gjykatën tregtare të Tournai-t, duke kërkuar dëmshpërblim për dëmet në fermën e tij, të cilat ai thotë se janë shkaktuar drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike.

Traktati për Detin e Hapur

Në maj, Bashkimi Europian dhe gjashtë shtete anëtare ratifikuan zyrtarisht traktatin e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e detit të hapur, një hap i përshkruar si “historik” drejt ruajtjes së oqeaneve të botës.

Ratifikimi nënkupton se shtetet bien dakord që traktati të bëhet pjesë e së drejtës ndërkombëtare detyruese, shpesh duke përafruar legjislacionin kombëtar me parashikimet e tij.

Traktati për Detin e Hapur hap rrugën për mbrojtjen e jetës detare në zona jashtë juridiksionit kombëtar, të cilat përbëjnë gati dy të tretat e oqeaneve të botës. Këto zona po përballen me kërcënime në rritje nga ndotja, shfrytëzimi i tepruar, ndryshimet klimatike dhe humbja e biodiversitetit.

Ai lejon krijimin e zonave të mbrojtura detare dhe mbështet objektivin global për të mbrojtur të paktën 30% të oqeaneve deri në vitin 2030. “Udhëheqja e BE-së është thelbësore përballë krizave të biodiversitetit dhe klimës,” thotë Nathalie Rey nga High Seas Alliance. “Ky hap i guximshëm dërgon një mesazh të qartë: mbrojtja e oqeaneve nuk është opsionale, por një prioritet global.”

Lexo edhe: Si po përgatitet sistemi financiar shqiptar për rrezikun klimatik?

Bumi i energjive të rinovueshme

Pavarësisht se shtetet prodhuese të naftës bllokuan vendosjen e një harte rrugore për daljen nga karburantet fosile në COP30, prodhimi global i energjisë diellore dhe asaj të erës këtë vit e ka tejkaluar kërkesën për energji elektrike. Për herë të parë në histori, energjitë e rinovueshme prodhuan më shumë energji sesa qymyri.

Një raport i think-tankut Ember zbuloi se prodhimi global i energjisë diellore u rrit me një rekord prej 31% në gjysmën e parë të vitit, ndërsa energjia e erës u rrit me 7.7%. Së bashku, këto burime shtuan mbi 400 teravat-orë energji, më shumë sesa rritja totale e kërkesës globale për energji në të njëjtën periudhë.

Energjia diellore ishte ylli i vitit 2025 dhe u cilësua si “nxitësi kryesor” i tranzicionit global drejt energjisë së pastër, falë kostos jashtëzakonisht të ulët. Një studim i Universitetit të Surrey-t e renditi energjinë diellore si burimin më të lirë të energjisë, me një kosto prodhimi që shkon deri në 0.023 euro për njësi.

Rënia me 89% e çmimit të baterive litium-jon që nga viti 2010 ka bërë gjithashtu që sistemet diellore me magazinim energjie të jenë po aq konkurruese sa centralet me gaz. Kjo pritet të ndihmojë përparimin drejt largimit nga karburantet fosile, përpara Konferencës Globale për Daljen nga Karburantet Fosile, që do të mbahet në Kolumbi në prill të vitit të ardhshëm.

Ekonomitë po rriten pa rritur emetimet

Lidhja mes rritjes ekonomike dhe rritjes së emetimeve po fillon të thyhet. Një numër gjithnjë e më i madh vendesh po arrijnë të rrisin ekonomitë e tyre pa dëmtuar planetin.

Një raport i fundit i Energy and Climate Intelligence Unit (ECIU), që analizoi 113 vende mbi bazën e të dhënave më të fundit të buxhetit global të karbonit për 2025, zbuloi se 92% e PBB-së globale dhe 89% e emetimeve globale ndodhen në ekonomi që janë shkëputur pjesërisht ose plotësisht nga emetimet.

Shumica e vendeve europiane u renditën si “shkëputëse të qëndrueshme”, përfshirë Austrinë, Belgjikën, Bullgarinë, Çekinë, Gjermaninë, Danimarkën, Spanjën, Estoninë, Finlandën, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Hungarinë, Irlandën, Holandën, Norvegjinë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Suedinë.

“Shpesh na thuhet se bota nuk mund të ulë emetimet pa ulur rritjen ekonomike,” thotë John Lang, një nga autorët e raportit dhe drejtues i Net Zero Tracker në ECIU. “Por e kundërta po ndodh. Shkëputja po bëhet normë, jo përjashtim.”

Breshkat e rrezikuara rikthehen

Edhe pse viti 2025 ishte sfidues për jetën e egër, dekada të tëra përpjekjesh për ruajtjen e mjedisit detar po japin fryte. Në tetor, breshkat e gjelbra të detit u riklasifikuan zyrtarisht nga “të rrezikuara” në “jashtë rrezikut”.

Të pranishme në ujërat tropikale dhe subtropikale në mbarë botën, popullatat e tyre globale ranë ndjeshëm në vitet ’80 për shkak të gjuetisë intensive nga njerëzit. Ato u vranë masivisht për supa dhe ushqime të tjera, ndërsa vezët e tyre përdoreshin shpesh për qëllime dekorative.

Pas më shumë se 40 vitesh në listën e kuqe të IUCN-së, breshkat e gjelbra kanë shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm. Popullata globale e tyre është rritur me rreth 28% që nga vitet 1970, falë mbrojtjes së femrave folezuese dhe vezëve, kufizimit të shfrytëzimit të paqëndrueshëm dhe reduktimit të kapjeve aksidentale në rrjetat e peshkimit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0