Nis ‘’lufta’’ ndaj përdorimit të gjerë të euros

Nis ‘’lufta’’ ndaj përdorimit të gjerë të euros


Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë ka miratuar dokumentin “Mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare që rregullohen e mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë”. Me këtë dokument, nis puna konkrete e BSH-së për deeurozimin e ekonomisë, objektiv i paralajmëruar një vit më parë.

Sipas Gent Sejkos, Guvernatori i BSH-së, ‘’kjo nismë, e njohur edhe si paketa e deeuorizimit, është përcaktuar tashmë si një synim mbarëkombëtar, përmes nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në prill të vitit të kaluar. Ky memorandum formalizon dakordësinë për përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara, në nivel kombëtar, midis tre institucioneve: Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare’’.

Duke theksuar motivin e kësaj nisme, Sejko tha së, ‘’Banka e Shqipërisë vlerëson se procesi i deeuroizimit është i nevojshëm dhe dobiprurës në afatin e gjatë, si për përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare ashtu edhe për uljen e rreziqeve të stabilitetit financiar’’.

Në deklaratën e bërë, Guvernatori thekson se “Studimet dhe analizat tona evidentojnë se përdorimi i valutave të huaja në sferën e aktivitetit të brendshëm ekonomik financiar është në një shkallë relativisht të lartë. Ky fenomen lidhet si me përdorimin e lartë të valutave në transaksionet tregtare, ashtu edhe me përdorimin e lartë të tyre si mjet kursimi, në formën e depozitave bankare, apo edhe si mjet financimi, në trajtën e kredimarrjes në valutë”.
Banka e Shqipërisë nuk synon uljen në zero të përdorimit të valutave në veprimtarinë financiare, sipas Sekjos, por uljen e euroizimit në nivele të pranueshme për ekonomi me strukturë dhe madhësi të ngjashme. “Ajo që ne duam të reduktojmë, të zbutim apo të minimizojmë, është prania e pozicioneve të hapura valutore dhe marrja përsipër e rrezikut të kursit të këmbimit, direkt apo indirekt, në mënyrë të pastudiuar apo të pambrojtur, nga konsumatori, nga biznesi dhe nga agjentët e tregut financiar”, theksoi Guvernatori.

Ja vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të BSH

Këshilli Mbikëqyrës mori në shqyrtim dhe miratoi një paketë vendimesh në mbështetje të nxitjes së përdorimit të monedhës kombëtare. Në këtë kuadër, u miratuan:

1) Së pari, dokumenti i Politikës “Mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare që rregullohen e mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë”. Dokumenti përcakton mënyrën se si Banka e Shqipërisë do të kontribuojë në këtë proces (i njohur ndryshe si deeuroizim) dhe si do të vlerësojë ndikimin e këtij kontributi.

2) Së dyti, disa ndryshime rregullative, të cilat finalizojnë punën e zhvilluar gjatë vitit të kaluar për identifikimin, vlerësimin dhe konsultimin me industrinë bankare, të disa masave që mbështesin zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar. Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme (pra, më pak të preferuar) veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve (veçanërisht të atyre individë dhe të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit) për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Këto ndryshime, hyjnë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0