17-vjeçari shqiptar shpiku robotin që dezinfekton shkollën çdo mëngjes nga Covid-19 në Tiranë - Business Magazine Albania

17-vjeçari shqiptar shpiku robotin që dezinfekton shkollën çdo mëngjes nga Covid-19 në Tiranë

Ndërkohë që shokët e tij në vegjëli thjesht argëtoheshin duke shijuar kënaqësinë e përdorimit të një lodre si makina me telekomandë, ekskavatorë me bateri etj., Jusuf Rrustaj, 17 vjeç sot, ishte në kërkim për më shumë. E emociononte më shumë ideja të dinte se si funksionojnë ato lodra sesa ideja për të luajtur me to.

Sot ai studion në një shkollë profesionale në Tiranë për “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, TIK dhe dashurinë për teknologjinë “e shpalli” duke ndërtuar SPAC, një robot që bën i vetëm dezinfektimin e ambienteve të shkollës së tij. Në një intervistë për Gazetasi.al ai tregon se si ia doli.

‘’E gjitha nisi nga pasioni i madh që kisha rreth kreativitetit. Mbaj mend që nga mosha 5 vjeçare më pëlqente të dija se si funksionin pajisjet e ndryshme që më rrethonin. Ajo që mua më tërhiqte ishte kreativiteti dhe është pikërisht bota e teknologjisë ku në të cilën gjendet një kreativitet goxha i madh.

Duke u rritur më shumë, gjithnjë kisha edhe më tepër kureshtje për teknologjinë dhe gjithnjë pyesja të tjerët, lexoja ndonjë gjë, eksploroja në internet, shikoja video në youtube dhe kështu, pak e nga pak krijova një farë bagazhi sipërfaqësor të diturisë në fushën e teknologjisë dhe informacionit.

Në moshën 10 vjeçare laptopi im i parë ishte mësuesi im që më ndihmoi të eksploroj fushën e Software-it dhe atë të Hardware-it.  Aty kam bërë eksperimentet e mia të para duke e ndriçuar errësirën e madhe  që kishte kapluar kureshtjen time se si funksionon një laptop.

Atë e hapja, e çmontoja, i ndërroja pjesët e ndryshme, ekranin, hardiskun, ram-in, e formatoja etj. Në fakt ideja lindi në një mënyrë jodirekte, pra unë nuk e kisha menduar diçka të tillë. Një fond erdhi në shkollën ku unë studioj dhe Drejtoresha e shkollës më zgjodhi mua për të marrë këtë fond dhe për të ndërtuar një projekt. Ishte pikërisht ky fond i cili më shtyu të mendoj një ide për të ndërtuar projektin dhe duke u konsultuar me një nga zyshat e shkollës, dolëm në konkluzion me idenë e robotit të dezinfektimit të cilin e quajta “SPAC” (Smart Protection Anti Covid).

Hapat e parë për ta ndërtuar robotin

‘’Fillimi ishte i vështirë. Sepse, unë vërtetë e kisha idenë se çfarë doja të arrija por “Nga e thëna në të bërë, ka në mes një det të tërë”. Pak e nga pak fillova të hidhja idetë e para.

Së pari, përpara se të filloja punën, krijova një listë me hapat që duhej të ndiqja për të ndërtuar robotin. Ajo listë më ndihmoi shumë, pasi tashmë unë nuk kisha më nevojë të mendoja se çfarë hapi duhet të ndiqja më pas, por thjeshtë hidhja sytë tek fleta dhe çdo gjë ishte e përshkruar.

Javën e parë e shpenzova duke u marrë me design-in e robotit, si do të ishte paraqitja e robotit. Eksperimentova goxha, dhe kur i shikoj tani dizajnet e para, më duken shumë qesharake.

Pasi kisha projektuar se ku do të vendosej çdo komponent, dy javët e tjera, u mora me ndërtimin e qarqeve të robotit. Fatmirësisht, duke qenë se projekti ishte sponsorizuar nga shkolla, unë kisha mundësinë të porositja komponentë cilësor dhe gjithashtu komponentë reserve, në rast se diçka do të shkonte keq. Kam punuar me qarqet dhe ndonjëherë lodhesha dhe mërzitesha nga pak sepse shpenzoja orë të tëra duke mos folur me askënd.

Gjithsesi përsëri i mblidhja forcat dhe kthehesha në punë. Dy javët e tjera u mora me sistemin e sprucimit. Ishte I vështirë sepse kishte të bënte me fushën hidraulike. Por duke hulumtuar dhe eksperimentuar, ia dola mbanë. Për këtë sistem kam përdorur printerat 3D që ne kemi në shkollë.

LEXO: SHPALLEN FITUESIT E KAMPIONATIT KOMBËTAR TË KODIMIT, IDE KREATIVE TË PËRKTHYERA NË LOJËRA, ROBOTË DHE APLIKACIONE

Java e fundit ishte ndërtimi final i robotit. Duke qenë se tani kisha gati dizajnin, qarqet dhe sistemin e sprucimit, e kisha më të lehtë të përfundoja robotin. Por gjërat filluan të bëheshin pak të komplikuara, sepse kur u bashkuan të gjithë komponentët në një vend, u bë një “rrëmujë” edhe pse unë po mundohesha të mbaja çdo gjë të organizuar. Pas disa lidhjesh dhe programimi, ishte momenti ta ndizja për herë të parë robotin tim. Ishte ora 3 e mëngjesit, pasi unë kisha gjithë natën që punoja dhe kur e ndeza, edhe pse truri im ishte në gjumë, në atë moment ai u zgjua bashkë me robotin tim. Ai filloi të lëvizë, isha shumë i gëzuar që pas gjithë kësaj kohe duke punuar, erdhi ky moment i shumëpritur.

Funksioni është të ndizet automatikisht në orën 6 të mëngjesit dhe të filloje dezinfektimin e të gjithë shkollës. I gjithë procesi zgjat vetëm një orë, duke marrë parasysh këtu që shkolla jonë ka 4 kate, ku roboti duhet të shkojë në çdo klasë. Në orën 7 roboti tashmë ka përfunduar dezinfektimin dhe kthehet në vendin e tij, ku atje lidhet me një karikues dhe karikohet. SPAC-u gjatë punë së tij,nuk ka nevojë për ndonjë asistencë nga njeriu. E vetmja gjë që roboti ka nevojë për asistencë, është mbushja e shisheve me dezinfektant kur të boshatisen, dhe gjithashtu një here në tre muaj një kontroll për probleme të mundshme.

SPAC-u, është një robot i dizenjuar për të dezinfektuar ambientet e mëdha duke lëvizur në mënyrë autonome. Ai është i pajisur me një sistem sprucimi i cili merr dezinfektantin nga depozita dhe e nxjerr atë në mënyrë të sprucuar nga krahët e tij. Krahët janë të dizenjuar që të lëvizin me një kënd nga 0 deri në 180 gradë, duke filluar nga poshtë, lart në mënyrë që të mbulohet një sipërfaqe e gjerë dezinfektimi.

Ai ka disa sensorë të pozicionuar tek sytë e tij, tek trupi, një majtas ,një djathtas dhe një mbrapa tij. Disa bateri të rikarikueshme që i mundësojnë robotit kohë të mjaftueshme për të kryer të gjithë dezinfektimin e ambientit. Pika kyçe e këtij roboti është software-i. Një software i  ndërtuar me algoritme të ndryshme të cilat e bëjnë robotin të jetë sa më autonom.

Pjesëmarrja në dy konkurset

Si çdo punë, në fund kur vuajtjet kanë përfunduar, është koha e “korrjes së frutave” të punës. Pas vështirësisë vjen lehtësimi.

SPAC – u është treguar me të vërtetë bujar me ato “fryte” që më ka dhënë. Unë kam marrë pjesë me të në disa konkurse. Dy prej tyre ishin: Njëri nga “ICTs Lab Coding Championship”, një Konkurs Kombëtar i Kodimit ku të rinjtë paraqesin ide Kreative të përkthyera në lojra, robotë dhe aplikacione dhe tjetri nga “Bibliotech”, një konkurs ky i organizuar nga Bashkia Tiranë.

Në të dyja këto konkurse unë kam fituar vendin e parë. U gëzova me të vërtetë, sepse pas gjithë atyre mundimeve, më në fund po merrja diçka mbrapsht.  Tani për tani, nuk planifikoj të merrem me ndonjë projekt tjetër, por dua ti fokusohem mësimeve. Të mësoj lëndët shkollore dhe gjuhën Gjermane, ku së shpejti synoj të studioj në Gjermani për robotikën.

SI

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0