15 000 skandinavë pritet të vizitojnë jugun e Shqipërisë në vitin 2025 - Business Magazine Albania

15 000 skandinavë pritet të vizitojnë jugun e Shqipërisë në vitin 2025

 Turizmi shqiptar po kalon në një tjetër fazë. Vitin e ardhshëm, përmes Elite Travel Group pritet të vijnë në Shqipëri rreth 15 mijë turistë skandinavë. Ky zhvillim vjen falë bashkëpunimit që Elitë ka ndërtuar me shoqërinë Nordic Leisure Travel Group (Ving.se), e cila ka sjellë turistë në Shqipëri që në vitet 1970, duke qenë ndër Tour Operatorët e parë që ka sjellë turistë të huaj në Shqipëri.

Ne kemi zhvilluar një intervistë me Elvis Kotherja, Drejtor Menaxherial i Elite Travel Group për të zbuluar planet dhe sfidat e hapjes më tej në fushën e turizmit.

Pse turistët skandinavë kanë zgjedhur pikërisht të vijnë në Shqipëri?

Turistët skandinavë zgjedhin Shqipërinë për shkak të kuriozitetit që ekziston për vendin tonë, sidomos për zonën e jugut dhe për faktin që është i përballueshëm në çmime. Në fakt, gjithmonë jemi penalizuar shumë nga mungesa e një aeroporti afër zonës së jugut.

Që një zonë turistike të zhvillohet dhe të kthehet në një destinacion turistik të mirëfilltë, nevojiten dy element: aksesi dhe tour operatorët.

Aksesi, tashmë me Aeroportin e Vlorës, është zgjidhur. Me tunelin e Llogarasë është bërë edhe më e thjeshtë për të eksploruar jugun e Shqipërisë në kohë rekord.

Elementi i dytë, tour operatorët, si në rastin e Ving.se (Nordic Leisure Travel Group AB), por edhe tour operatorë të tjerë, do të ofrohen dhe do të krijojnë atë bazë solide për ta zhvilluar më tej Shqipërinë si destinacion.

Duhet të kemi parasysh që është shumë e vështirë të zhvillohet një destinacion i ri pa pasur bashkëpunimin me tour operatorë. Ky është shembulli që Shqipëria duhet të mësojë nga vendet e rajonit (si Italia dhe Greqia, të cilat janë zhvilluar jashtëzakonisht shumë nga tour operatorët).

Nëse më duhet të kujtoj një rast suksesi të ngjashëm, mund të jetë Kroacia, pikërisht Dubrovniku, që në vitet 2000-2001 ka njohur një zhvillim shumë të vrullshëm, vetëm nëpërmjet tour operatorëve.

Normalisht ka dhe faktorë të tjerë, si hotelet ose atraksionet, që ndikojnë në zhvillimin e një destinacioni, por kjo realizohet vetëm pasi një destinacion konsolidohet nga tour operatorët dhe marketohet nga vizitorët. Një tjetër faktor shumë pozitiv i tour operatorëve është aftësia e tyre për të luftuar sezonalitetin, pasi një operator mund të sjellë turistë në çdo moment të vitit, nga janari në dhjetor. Kjo është një eksperiencë e provuar edhe nga puna që bëjmë me hotelet tek Elite Travel Group.

Sa është numri i parashikuar i turistëve që mund të vijnë?

Për vitin e parë 2025, janë parashikuar rreth 15,000 turistë, të cilët do të vizitojnë dy rajone: Riviera e Vlorës (duke përfshirë Radhimën dhe Orikumin) dhe Dhërmiun, përfshirë Drimadhën. Parashikohet që fluturimet të nisin në mes të majit deri në fillim të tetorit (atëherë parashikohet të inaugurohet edhe Aeroporti i Vlorës), me 3 deri në 4 fluturime në javë, në varësi të kapacitetit të avionëve, që do të kenë nga 190 deri në 212 pasagjerë për fluturim.

Cilat janë disa nga pikat kryesore që duhet të kemi parasysh për mikpritjen ndaj turistëve skandinavë?

Për një mikpritje efektive të turistëve skandinavë, është thelbësore të përzgjidhen hotele që kuptojnë modelin e turizmit dhe kanë integritet, vullnet dhe vizion për ta bërë rajonin të dallohet nga të tjerët në Shqipëri. Duhet të fokusohemi në konkurrimin përmes cilësisë dhe të ofrojmë çmime të volitshme, 20-30% më të ulëta se destinacionet si Greqia, Kroacia ose Mali i Zi. Për të krijuar një destinacion të suksesshëm, turistët e parë duhet të largohen me përshtypje pozitive. Përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve është i domosdoshëm për të justifikuar rritjen e çmimeve në të ardhmen.

Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që të gjitha hotelet që do të mirëpresin këta turistë të kenë një standard të caktuar, si për cilësinë e ushqimit, edhe për sigurinë e turistëve dhe mënyrën e komunikimit. Pas vitit të parë, që është një vit testi për të gjithë, nëse çdo gjë shkon me sukses, do të duhet të përgatitemi për një numër më të lartë turistësh skandinavë. Nëse klientët e parë do të mbeten të kënaqur, atëherë parashikohet afërsisht një numër prej 150,000 turistësh skandinavë deri në vitin 2030.

Meqenëse jemi përballë një numri kaq të lartë turistësh nga një zonë e caktuar, cilat do të ishin disa nga zgjidhjet afatgjata të industrisë shqiptare të turizmit, që të dyfishojë numrin e këtyre ardhjeve?

Me përmirësimin e infrastrukturës, si rruga e Llogarasë dhe tunelet, zona po bëhet më e aksesueshme. Investimet e vazhdueshme në zonat nga Dhërmiu deri në Lukovë do të shtojnë kapacitetet turistike. Me pak fjalë, investimet në infrastrukturë dhe lehtësimin e transportit janë një zgjidhje afatgjatë. Aktalisht, situata duket premtuese, pasi janë bërë investime të mëdha dhe po punohet për hapjen e Aeroportit në mars 2025, si dhe për tunelin e Llogarasë që u inaugurua. Mos harrojmë edhe rrugën nga bregu i lumit, e cila nis nga Vlora dhe futet shumë shpejt zonën e Borshit dhe Lukovës. Këto rrugë e bëjnë zonën shumë të aksesueshme dhe udhëtimin të lehtë, sidomos me ndërlidhjen e re që do të realizohet me aeroportin.

Ne si DMC shohim një rritje të vazhdueshme të investimeve, veçanërisht nga zona e Dhërmiut, deri në Lukovë. Kjo na bën të besojmë se vitet në vijim do të ketë më shumë kapacitete që duhen shfrytëzuar.

Qëllimi ynë është të rrisim gradualisht numrin dhe të shtojmë destinacione të reja. Këtë vit kemi përfshirë për herë të parë Vlorën dhe Dhërmiun, ndërsa në vitet e ardhshme planifikojmë të përfshijmë Qeparo, Himarë, Borsh dhe të gjithë fshatrat e tjerë deri në Lukovë.

Një zgjidhje tjetër shumë e rëndësishme dhe afatgjatë do të ishte edukimi i gjithë stafit të mikpritjes.

Meqenëse e përmendët, sa i rëndësishëm është trajnimi dhe edukimi i stafit të mikpritjes për këta turistë specifikisht?

Edukimi dhe trajnimi është një nga hallkat më të rëndësishme të industrisë së turizmit. Deri tani, ne kemi paguar punonjësit, por kjo rritje artificiale e pagave në Shqipëri nuk ka ardhur si rezultat i aftësive të fituara nga punonjësit. Nuk është se punonjësi ka zhvilluar aftësitë e tij, ka rritur kompetencat dhe ka kërkuar një rritje të pagës në përputhje me këto përmirësime; përkundrazi, rritja ka ndodhur thjesht për shkak të nevojës. Këtu nuk po fajësojmë punonjësin, ose punëdhënësin. Është thjesht një situatë që nuk ka një strukturë të mirëfilltë.

Në Elite Travel Group kemi menduar një projekt madhor në bashkëpunim me një kompani italiane, Fortis Group. TWO-Q do të jetë një projekt që pikërisht do të fokusohet tek edukimi dhe trajnimi strategjik i stafit të mikpritjes.

Qëllimi ynë është që nëpërmjet Two-Q të ofrojmë një zgjidhje shumë të përshtatshme për edukimin e profesionistëve dhe hotelierëve. Në një të ardhme shumë të afërt, synojmë të trajnojmë, jo vetëm stafet ekzistuese të hoteleve, por edhe individë të rinj nga jashtë tregut të punës. Kjo do të na mundësojë një trajnim të përgjithshëm të fuqisë punëtore në Shqipëri.

Ky trajnim i gjerë do të ketë dy përfitime kryesore: së pari, do të ndihmojë që pjesa më e madhe e fuqisë punëtore të jetë e trajnuar, duke shmangur kështu gabimet; dhe së dyti, do të vendosë një standard të qëndrueshëm kompetencash, i cili do të ndalojë rritjen e pagave, bazuar thjesht në kalimin e punonjësve nga një kompani në tjetrën për disa lekë më shumë.

Problemi aktual nuk është mungesa e fuqisë punëtore, por mungesa e kompetencave të duhura. Dhe kur dikush nuk ka kompetencat e nevojshme, ka më shumë gjasa të bëjë gabime, edhe kur merr vendime.

Si e parashikoni të ardhmen e turizmit, marrëdhënien me turistët skandinavë, por jo vetëm… edhe me gjithë qasjen tonë ndaj industrisë së turizmit dhe mikpritjes?

Do të përmend një element shumë të rëndësishëm: duhet të kemi parasysh që Shqipëria ka dete, male, fusha dhe bukuri natyrore, por këto gjëra i kanë edhe vendet e tjera. Pyetja është: Çfarë kemi ne që nuk ka Kroacia? Çfarë kemi ne që nuk ka Italia apo Turqia? Ndonjëherë gabojmë duke menduar se Shqipëria është vendi më i bukur në botë. Sigurisht, është vendi ynë dhe është i bukur, por në fund të ditës, kemi konkurrencë të fortë nga rajoni. Tregu mesdhetar është shumë konkurrues.

Kohët e fundit, në Egjipt është hapur pjesa veriore e vendit, në Mesdhe, ku do të zhvillohen resorte të reja dhe Egjipti ofron mundësi turizmi gjatë gjithë vitit. Kjo do të thotë që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për pozicionimin tonë në tregun ndërkombëtar, sidomos në Mesdhe, sepse konkurrenca është e lartë.

Ajo që mund dhe duhet të bëjmë është, të jemi të kujdesshëm me çmimet, jo vetëm për një vit, por për një periudhë të gjatë. Operatorët turistikë janë shumë të ndjeshëm ndaj çmimeve, dhe nëse ato rriten pa një bazë solide, rrezikojmë të humbasim operatorë turistikë në vitin pasardhës. Ky është një rrezik për investitorët që presin kthim të lartë nga investimet e tyre. Ata duhet të kuptojnë se rritja e çmimeve pa arsye reale nuk është e qëndrueshme dhe duhet të diskutohet me operatorët.

Së dyti, për të paktën një periudhë 5-vjeçare, ne duhet të jemi 15-20% nën standardin që synojmë, derisa të arrijmë pikën ku mund të diferencojmë destinacionet: cilat do të jenë për turizmin luksoz, cilat për turizmin masiv, dhe të tjera kategori. Nuk jemi ende në këtë fazë. Për të ndërtuar një destinacion turizmi luksoz, duhet të fillosh nga diku dhe të punosh drejt tij me hapa të vegjël, deri sa vetë destinacioni të pozicionohet në treg. Ky pozicionim varet nga mënyra se si e trajtojmë ne destinacionin, nga facilitetet që ofrojmë dhe nga cilësia e shërbimit, jo thjesht nga dëshira jonë. Bota e turizmit është reale, jo virtuale. Çfarë ofron, atë do të marrësh. Destinacioni ofron atë që meriton dhe ne duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm në këtë drejtim.

Një tjetër element shqetësues që kam vënë re është varësia e hotelierëve shqiptarë nga Booking.com. Para dy javësh, në Shqipëri, ishte një rast specific, ku një hotel shqiptar po krahasonte çmimet e një hoteli në Kretë. Hoteli në Kretë kishte kontratë me një partner nordik dhe 80% e dhomave të tij ishin të kontraktuara me këtë partner, ndërsa në Booking ishin vendosur vetëm 10 dhoma për të optimizuar përfitimet. Hoteli shqiptar po shikonte çmimet online dhe mendonte se ky ishte çmimi real, ndërsa kontratat reale ishin me çmime shumë të ndryshme.

Kjo tregon se ne duhet të rishikojmë konceptet tona. Nuk mund të bazohemi vetëm te çmimet e Booking. Organizimi i brendshëm është ndryshe nga ajo që shihet në faqet online.

Me anë të Elite Academy dhe Two-Q, do të angazhohemi të zhvillojmë programe trajnimi gjatë gjithë vitit të ardhshëm. Kjo do të jetë një përpjekje e vazhdueshme, sepse vetëm me edukim dhe trajnim mund të krijojmë atë brand që dëshirojmë të ndërtojmë. Vizionin për të ardhmen e kemi të qartë, por gjithçka bazohet në punë dhe trajnim. Nuk ka rrugë tjetër.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0