123 kilometra nën ujë, tuneli që do të përshkojë detin për 40 minuta - Business Magazine Albania

123 kilometra nën ujë, tuneli që do të përshkojë detin për 40 minuta

123 kilometra nën ujë, tuneli që do të përshkojë detin për 40 minuta

Kina ka nisur fazën e parë të një prej projekteve më madhore të inxhinierisë moderne: ndërtimin e një tuneli hekurudhor nënujës prej 123 kilometrash, që do të kalojë nën ujërat e Detit të Verdhë dhe do të lidhë provincat Liaodong dhe Shandong. Ky mega-projekt, i konsideruar prej vitesh “i pamundur”, tani po merr formë dhe mund të përfundojë brenda 10 deri në 15 viteve.

Tuneli, i quajtur Bohai Strait Tunnel, pritet të revolucionarizojë transportin në një nga zonat më të rëndësishme ekonomike të Kinës, duke shkurtuar ndjeshëm itinerarin aktual që kërkon orë të tëra për të anashkaluar detin me rrugë tokësore. Pasi të jetë funksional, udhëtimi do të zgjasë vetëm 40 minuta, me trenat që do të lëvizin deri në 250 km/h.

Lexo edhe:Shqipëria hedh për konsultim publik ‘Planin Kombëtar për Përshtatjen Klimatike 2026-2036’

Me një kosto marramendëse prej 220 miliardë juanësh (rreth 26.8 miliardë euro), tuneli do të jetë më i gjati në botë për hekurudha me shpejtësi të lartë, duke lënë pas edhe tunelin e famshëm japonez Seikan (53 km). Projekti do të ketë tre korridore: dy për hekurudhat e pasagjerëve dhe një tunel qendror për mirëmbajtje dhe siguri, shkruan A2 CNN.

Përfitimet pritet të jenë të mëdha. Përveç shkurtimit të kohës së udhëtimit, tuneli do të forcojë ndërlidhjen tregtare midis lindjes dhe verilindjes së Kinës, si dhe do të rrisë shpejtësinë e qarkullimit të mallrave. Vlerësimet paraprake parashikojnë të ardhura vjetore prej 20 miliardë juanësh.

Edhe pse projekti është ende në fazën e studimit të fizibilitetit, ai përfaqëson ambicien e Kinës për të shtyrë kufijtë e inxhinierisë dhe për të ndërtuar atë që deri dje dukej e paarritshme.
chd

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0