Në një moment kur industria e automjeteve elektrike po kërkon një hap të madh përpara, një kompani relativisht e re nga Estonia mund të ketë gjetur përgjigjen.
Verge Motorcycles ka njoftuar nisjen e prodhimit të asaj që e quan motoçikletën e parë në botë me bateri me elektrolit të ngurtë, një teknologji që prej vitesh konsiderohet “graali i shenjtë” i mobilitetit elektrik.
Lexo gjithashtu: Anija franceze kalon për herë të parë Gjirin e Hormuzit që nga shpërthimi i luftës në Iran
E zhvilluar në bashkëpunim me startup-in finlandez Donut Lab, kjo teknologji mbetet ende pjesërisht në hije. Kompanitë nuk kanë zbuluar detaje të rëndësishme si përbërja kimike apo struktura e baterisë, duke shtuar kuriozitetin, por edhe skepticizmin në treg.
Bateritë me elektrolit të ngurtë premtojnë më shumë siguri, densitet energjie më të lartë dhe karikim shumë më të shpejtë krahasuar me bateritë tradicionale lithium-ion. Pikërisht këtu qëndron edhe pretendimi i madh i Verge.
Modeli TS Pro, i prezantuar në CES 2026, thuhet se mund të karikohet në vetëm 10 minuta dhe të arrijë një autonomi deri në 595 kilometra, shifra që, nëse konfirmohen në përdorim real, do të rishkruanin standardet e industrisë.
Megjithatë, rruga nuk ka qenë pa polemika. Teknologjia e Donut Lab ka hasur kritika, veçanërisht nga aktorë të industrisë në Azi, ku skepticizmi mbi performancën reale të baterive të ngurta mbetet i lartë. Testimet e deritanishme kanë dhënë sinjale pozitive, por jo përfundimtare.
Dy konfigurime, një ambicie
Motoçikleta ofrohet në dy versione, duke synuar profile të ndryshme përdoruesish:
- Versioni standard:
20.2 kWh kapacitet total (18 kWh nominal), autonomi deri në 350 km dhe karikim deri në 100 kW - Versioni me autonomi të zgjeruar:
33 kWh kapacitet total (30 kWh nominal), autonomi deri në 600 km dhe karikim deri në 200 kW
Në zemër të saj është Donut Motor 2.0, një motor i integruar në rrotë që prodhon 100 kW (137 kuaj-fuqi) dhe një moment rrotullues prej 1000 Nm, një konfigurim që e pozicionon TS Pro më shumë si një makinë performance sesa thjesht një mjet urban.
Një treg që po zgjohet
Çmimi fillestar prej rreth 29,990 dollarësh në SHBA e vendos këtë model në segmentin premium, duke synuar entuziastët e teknologjisë dhe adopters të hershëm.
Ndërkohë, edhe gjigantët tradicionalë nuk po qëndrojnë pas. Honda ka hyrë në garë me modelin elektrik WN7, duke sjellë një alternativë më klasike, por konkurruese në performancë me motorët 600cc me benzinë.
A jemi në prag të një epoke të re?
Nëse Verge arrin të mbajë premtimet e saj në kushte reale, kjo nuk është thjesht një motoçikletë e re, është një sinjal se teknologjia e baterive po hyn në një fazë të re.
Dhe në atë moment, loja nuk do të jetë më vetëm për automjetet elektrike… por për të gjithë industrinë e energjisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto