Vodhi 40 miliardë $, mashtruesi i kriptove dënohet me 15 vite burg! - Business Magazine Albania

Vodhi 40 miliardë $, mashtruesi i kriptove dënohet me 15 vite burg!

Vodhi 40 miliardë $, mashtruesi i kriptove dënohet me 15 vite burg!

Një nga skandalet më të mëdha në historinë e kriptomonedhave ka marrë epilogun e tij në një gjykatë amerikane. Do Kwon, ish-sipërmarrës i njohur në botën e kriptove dhe bashkë-themelues i Terraform Labs, u dënua me 15 vite burg nga një gjykatës federal në New York për mashtrim të shkallës së lartë që solli kolapsin e dy monedhave digjitale me humbje të vlerësuara rreth 40 miliardë dollarë.

Gjatë seancës, gjyqtari Paul A. Engelmayer e cilësoi rastin e Kwon si një nga mashtrimet më të mëdha të ndjekura ndonjëherë nga drejtësia federale në SHBA. “Ky ishte një mashtrim në shkallë epike, një mashtrim brezash. Në historinë e ndjekjeve federale, ka pak raste që kanë shkaktuar kaq shumë dëm”, deklaroi gjyqtari. Kwon, shtetas i Koresë së Jugut dhe diplomuar në Stanford, kishte pranuar më herët fajësinë për komplot për mashtrim dhe mashtrim me anë të telekomunikacionit. Terraform Labs, me seli në Singapor, kishte zhvilluar monedhat TerraUSD (një kriptomonedhë që duhej të ruante vlerën e 1 dollarit amerikan) dhe token-in Luna. TerraUSD u promovua si një sistem inovativ i mbështetur nga një algoritëm që ruante automatikisht stabilitetin e çmimit.

Lexo edhe: Barometri 2025, 50% e bizneseve japin ryshfet në administratë, tendenca në rritje të fortë

Por kur TerraUSD ra nën vlerën 1 dollar në maj 2021, Kwon u tha investitorëve se algoritmi kishte rikthyer vlerën në 1 dollar. Dokumentet e gjykatës treguan se kjo ishte gënjeshtër: Kwon kishte urdhëruar fshehurazi një firmë tregtare që të blinte miliona dollarë të monedhës për të manipuluar tregun dhe për të krijuar idenë e një rikuperimi automatik përmes sistemit që ai kishte ngritur. Rënia e TerraUSD dhe Luna në vitin 2022 shkaktoi një efekt domino në tregun e kriptomonedhave, duke rrëzuar një sërë kompanish dhe duke shkaktuar humbje prej disa miliardë dollarë te investitorët në mbarë botën. Në sallën e gjyqit, Kwon u shpreh i penduar: “Kam kaluar çdo moment të këtyre viteve duke menduar se çfarë mund të kisha bërë ndryshe dhe çfarë mund të bëj tani për të ndrequr dëmin”. Megjithatë, prokurorët theksuan se pasojat e mashtrimit të tij janë të pallogaritshme dhe se miliona njerëz humbën kursimet e jetës për shkak të veprimeve të tij.

Kwon është një nga disa drejtues të industrisë së kriptove që u përballën me akuzat e autoriteteve amerikane pas rënies së tregut në 2022. Kolapsi masiv i TerraUSD dhe Luna shënoi fillimin e një periudhe hetimesh të shtrira dhe goditjesh të ashpra ndaj kompanive të dyshuara për mashtrim.

AP

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0