Vendet e Azisë Juglindore nxisin javën 4-ditore të punës për të përballuar krizën e mundshme të naftës - Business Magazine Albania

Vendet e Azisë Juglindore nxisin javën 4-ditore të punës për të përballuar krizën e mundshme të naftës

Vendet e Azisë Juglindore nxisin javën 4-ditore të punës për të përballuar krizën e mundshme të naftës

Vendet aziatike me mungesë burimesh të naftës po marrin masa të pazakonta për të përballuar një goditje të mundshme energjitike që mund të vijë si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme. Qeveritë në disa vende të Azisë Juglindore po nxisin punën nga shtëpia, po eksperimentojnë me javën 4-ditore të punës dhe po inkurajojnë përdorimin e përbashkët të makinave, me qëllim uljen e konsumit të karburantit dhe mbrojtjen e ekonomive nga pasojat e rritjes së çmimeve të naftës.

Shqetësimi kryesor lidhet me ndikimin që lufta mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit mund të ketë mbi furnizimet globale me energji. Rajoni i Azisë Juglindore, me më shumë se 700 milionë banorë, varet në masë të madhe nga nafta dhe gazi që importohen nga Lindja e Mesme, ndaj çdo ndërprerje e mundshme e furnizimit mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për ekonomitë e tij.

Në Filipine, qeveria u ka kërkuar institucioneve publike të kufizojnë udhëtimet zyrtare vetëm në aktivitetet thelbësore për të kursyer energji. Pak ditë më parë, autoritetet urdhëruan që shumë zyra shtetërore të kalojnë në një javë pune katërditore. Në Tajlandë, stafi i shumicës së agjencive qeveritare është udhëzuar të punojë nga shtëpia, ndërsa në Vietnam qeveria u ka bërë thirrje kompanive të inkurajojnë punën në distancë dhe qytetarëve të përdorin më shumë transportin e përbashkët ose biçikletat. Ndërkohë, Indonezia ka paralajmëruar rritje të shpenzimeve për subvencionet e karburantit.

Këto masa po ndërmerren në një moment kur disa nga ekonomitë më të mëdha të rajonit tashmë po përballen me ngadalësim. Çmimi i naftës u rrit ndjeshëm pas fillimit të konfliktit me Iranin, duke arritur rreth 119 dollarë për fuçi, përpara se të zbriste sërish rreth nivelit të 90 dollarëve. Nëse çmimet mbeten të larta për një periudhë të gjatë, qeveritë që subvencionojnë karburantin mund të përballen me rritje të ndjeshme të deficitit buxhetor. Po ashtu, energjia më e shtrenjtë mund të shtojë presionet inflacioniste dhe t’i detyrojë bankat qendrore të shtyjnë uljen e normave të interesit, të cilat zakonisht përdoren për të stimuluar rritjen ekonomike.

Lexo edhe: Vetëm tetë minuta zemërim mund të vënë në rrezik shëndetin e zemrës

Sipas ekonomistëve, rritja ekonomike në rajon është mbështetur vitet e fundit nga sektorë të veçantë si inteligjenca artificiale dhe qendrat e të dhënave, por këta sektorë nuk krijojnë mjaft vende pune dhe nuk rrisin ndjeshëm pagat. Banka Aziatike e Zhvillimit vlerëson se ekonomia e Azisë Juglindore u rrit me 4.5%  vitin e kaluar dhe se rritja do të ngadalësohet lehtë në rreth 4.4% në vitin 2026.

Në Indonezi, ekonomia më e madhe e rajonit, rritja po ndikohet nga varësia e madhe ndaj mallrave bazë, nga tkurrja e klasës së mesme dhe nga dobësimi i fuqisë blerëse. Tajlanda, ekonomia e dytë më e madhe, përballet me nivele të larta të borxhit familjar, me një popullsi që po plaket dhe me rënie të turizmit.

Indonezia konsiderohet nga analistët si vendi më i ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve të naftës, pasi subvencionon çmimet e karburantit dhe ka ndërmarrë politika të kushtueshme sociale nën presidencën e Prabowo Subianto. Deficiti fiskal i vendit arriti në 2.9 për qind vitin e kaluar, shumë pranë kufirit të vetëvendosur prej 3%. Analistët paralajmërojnë se ky kufi mund të tejkalohet nëse subvencionet e karburantit mbeten në nivelet aktuale ndërkohë që çmimet e naftës rriten.

Para përshkallëzimit të konfliktit me Iranin, qeveria indoneziane kishte planifikuar rreth 12.4 miliardë dollarë subvencione energjie për këtë vit, duke u bazuar në një çmim mesatar të naftës prej 70 dollarësh për fuçi. Tashmë autoritetet kanë sinjalizuar se ky buxhet mund të rritet nëse trendi i çmimeve vazhdon.

Përveç presionit mbi financat publike, një shqetësim i menjëhershëm për rajonin është edhe siguria e furnizimit me naftë. Shumica e vendeve të Azisë Juglindore varen nga importet e produkteve të naftës nga Lindja e Mesme, ndërsa vetëm Malajzia dhe Brunei janë eksportues neto të naftës dhe gazit. Ekonomitë më të mëdha, si Indonezia dhe Tajlanda, prodhojnë energji, por jo në sasi të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën e brendshme.

Indonezia ka bërë të ditur se rreth një e katërta e importeve të saj të naftës kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë, ku trafiku i anijeve është reduktuar ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit. Tajlanda siguron rreth gjysmën e importeve të saj të naftës dhe gazit të lëngshëm nga Lindja e Mesme.

Në disa pjesë të Filipineve, Indonezisë, Tajlandës dhe Vietnamit janë raportuar tashmë blerje nga paniku. Rezervat strategjike të naftës ndryshojnë nga vendi në vend: Tajlanda ka furnizime të mjaftueshme për rreth 95 ditë, ndërsa Indonezia ka rezerva për vetëm rreth 25 ditë.

Autoritetet vietnameze kanë kërkuar nga rafineritë dhe nga i gjithë zinxhiri kombëtar i furnizimit me naftë të punojnë për të siguruar burime alternative dhe për të garantuar furnizim të vazhdueshëm për tregun.

Megjithatë, ndërsa përpjekjet për të ulur konsumin e karburantit dhe rritja e çmimeve të naftës mund të frenojnë aktivitetin ekonomik, frika nga inflacioni mund t’i pengojë bankat qendrore të ulin normat e interesit. Disa ekonomistë paralajmërojnë madje se nëse presionet vazhdojnë, disa banka qendrore mund të detyrohen t’i rrisin ato deri në fund të vitit.

Pavarësisht këtyre sfidave, ekspertët theksojnë se ekonomitë e rajonit janë sot më të forta dhe më të qëndrueshme sesa gjatë krizës financiare aziatike të vitit 1997, kur shumë vende përjetuan tronditje të mëdha ekonomike dhe politike.

financialtimes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0