"Teara Handmade Jewelry", bizhuteritë që flasin për shpirtin! - Business Magazine Albania

“Teara Handmade Jewelry”, bizhuteritë që flasin për shpirtin!

Nga Eni Muça-  Vlerina Haxhiraj e gjeti veten aty ku pasioni takohet me guximin. Pasi mbylli një kapitull të gjatë në botën e financave, ajo zgjodhi të hapë një tjetër, më personal, më i brishtë, por edhe më i vërtetë. Kështu lindi Teara Handmade Jewelry, një univers i vogël i ndërtuar me dashuri, kujtime dhe dritë. Përmes bizhuterive të saj, Vlerina ndan ndjesi, kujtime dhe histori që prekin shpirtin. Çdo gur, çdo ngjyrë dhe çdo formë është një reflektim i jetës së saj, i momenteve të qeta, i udhëtimeve, i njerëzve që ka takuar. Në këtë intervistë për Business Magazine Albania, ajo na tregon se si krijimi u bë mënyra e saj për të komunikuar me botën dhe për ta kthyer artin në ndjenjë.

Si lindi ideja për të krijuar Teara Handmade Jewelry dhe çfarë të shtyu të nisesh këtë rrugëtim?
Pas ndërprerjes së karrierës time të gjatë në tregun financiar shqiptar, ndieja se kisha nevojë të ngrija një “gjë” timen, diçka që t’i përkisja dhe të më plotësonte si njeri! Vendimi nuk ishte aspak i lehtë dhe paragjykimi po ashtu, se po lija një karrierë të suksesshme dhe po nisja diçka që nuk ishte e sigurtë. Bizhuteritë kanë qenë pasioni im dhe ndieja se atje mund të shprehja veten dhe të gjeja një mënyrë ndryshe komunikimi me botën, doja të sillja vetëm lumturi dhe qetësi njerëzve që do më ndiqnin, në këtë botë të mbuluar nga problemet. Personalizimi dhe një ndjenjë lidhjeje me të kaluarën mendova se ishte diçka shumë origjinale dhe unike. Dhe menjëherë iu futa punës dhe studiova për realizim bizhuterish, pastaj çdo gjë tjetër që ju shihni, është intuitë, pasion. Pika ime e fortë do të jenë disa pjesë unike, përmes të cilave mund ta shpreh në mënyrë të veçantë kreativitetin tim.
Çfarë përfaqësojnë për ty produktet që krijon, janë art, pasion, apo mënyrë për të shprehur veten?
Është shumë e rëndësishme të sqaroj se, unë nuk kam studiuar art, por në një farë mënyre e kam bërë artin siç e kam ndier për ta shpreh. Mendoj që të gjithë mund të bëjmë art, edhe duke vizatuar diçka të rrëmujshme, jo krejt perfekte.. për mua të bësh art, është si momenti kur mbyll sytë dhe fillon të udhëtosh, nëpër botë, në vende që nuk i ke parë kurrë, është një udhëtim për të zbuluar aroma të reja, këngë të reja, ngjyra të reja, të njohësh njerëz të rinj. Një eksplorim i thellë i vetes, por e etur për të eksploruar më tej! Gjithashtu, është edhe një udhëtim bukurie, fati, dashurie dhe arti! E gjitha kjo, është një ëndërr që dua ta ndaj me ju të gjithë.
Nga vjen frymëzimi yt? A ka ndonjë element kulturor, simbolik apo personal që shfaqet shpesh në krijimet e tua?

Teara gjithmonë është frymëzuar për koleksionet e saj të bizhuterive nga udhëtimet e mia, nga takimet, kujtimet, situatat ku shpesh herë kthehem dhe pas ne kohë, duke imagjinuar. Në fakt, unë besoj se jeta, është një zbulim i vazhdueshëm i mendjes, i shpirtit, i trupit! Ka udhëtime kërkimesh për të zbuluar vende të reja, por ka gjithashtu udhëtime të zemrës, të besimit, të mirëqënies, për mua, fundi i njërit, shënon fillimin e një tjetri. Kjo është arsye përse në koleksionin e bizhuterive të mija, gjen stile nga më të ndryshmet, pasi rrugëtimi jonë, shoqërohet me ndryshime të vazhdueshme në stilin e jetës, po ashtu dhe të kombinimeve tona.

Si e përshkruan procesin e punës, nga ideja deri te bizhuteria e përfunduar?
Teara, ka qenë gjithmonë për kërkimin, që nga fillimi i saj. Kërkimi i pafund për materiale të reja, stile të reja, trende të reja, harmoni, gurë, të gjitha me rrënjë të forta në të kaluarën, në histori! Teara, është BËRË ME DORË! Secila prej bizhuterive tona, është e montuar me dorë! Kam ndarë pasionin dhe dashurinë tonë për bukurinë, për punën e punuar mirë deri në detaje. Që prej fillimit tim, isha e ndërgjegjshme se të zgjedhësh të bësh “art të ngadaltë” është një filozofi. Bukuria e objekteve, nuk qëndron vetëm në formën origjinale, por edhe në kohën, përpjekjen dhe procesin. Pas çdo bizhuterie, fshihet një jetë, orë të tëra pune, edhe pse jeta moderne në ditët e sotme, thekson shpejtësinë dhe kënaqësinë e menjëhershme, me zgjidhjet e shpejta dhe konsumin e shpejtë si normë.
Cila ka qenë sfida më e madhe gjatë ngritjes së një biznesi të punimeve dore online në Shqipëri? 
Sfida kryesore ishte gjetja e materialeve të cilat do të punoja, veglat, dilema se sa do të justifikonte mundin tim çmimi që do t’i vendosja, paketimi ka qenë një tjetër sfidë. Mendoj që tregu shqiptarë ka akoma potencial që duhet të zhvillohet dhe kështu do të na ndihmojë edhe ne sipërmarrësit me pritshmëritë dhe idetë tona kreative. Dhe në fund, një tjetër sfidë e madhe ka qenë edhe puna me veten time, pasi nga një format jo protagonist dhe zyrtare, duhet tashmë të bëja rolin krejt të kundërt. Por ia dola mbanë dhe kësaj, në jetë, njeriu mirë është të jetë fleksibël dhe të bëjë maksimumin për të realizuar ato që mendon se e bëjnë të lumtur.
Si ndikojnë rrjetet sociale, sidomos Instagrami, në suksesin e markës tënde? Çfarë ke mësuar nga ndërveprimi me klientët?
Instagrami ka qenë e vetmja dritare e imja virtuale me botën, pas saj, u kthye edhe Facebook! Nuk kam qenë ndonjë përdoruese e mirë, sa mezor ndaja një foto në harkun e disa muajve ose viti! Kurse tani e kuptoj mire dhe vazhdoj zhvillohem, pasi është vlerë e shtuar, kur di ta përdorësh siç duhet. Karriera ime e gjatë në tregun financiarë, më ka armatosur me njohuri të cilat më kanë shërbyer edhe këtu. Mendoj që çelësi i suksesit, është serioziteti dhe korrektesa, pas këtyre vijnë dhe dashuria dhe durimi për të bërë gjëra të veçanta, këmbëngulje dhe zemër. Kam mësuar se rregulli i artë që është i vlefshëm për çdo aspekt të jetës, duke përfshirë edhe biznesin tim, është : “Trajtoji njerëzit ashtu siç dëshiron të të trajtojnë ata ty”. Unë, sinqerisht shpresoj që secili nga klientët e mi, të ndiej gjithmonë se sa shumë i vlerësoj, përmes çdo ndërveprimi që kemi pasur.
Cila është pjesa më e bukur e këtij udhëtimi për ty deri tani, një moment ose ndjesi që nuk e harron?
Si gjithë sfidat që vijnë për këdo, shpesh herë më kanë bërë të mendoja nëse mund të vazhdoja akoma këtë që kam nisur, nëse ia vlente të vazhdoja… Ajo që bëj nuk është “thelbësore” në çdo kuptim, por është thelbësore për mua, për shëndetin tim mendor dhe emocional. Më mban të lidhur me tokën dhe të lumtur kur krijoj!
Secila prej jush mikesha, keni ndihmuar për të mbajtur duart dhe zemrën time të lumtur. Mesazhet dhe tekstet tuaja mbështetëse dhe emocionuese për krijimet e mia, fotot tuaja, rekomandimet tuaja, të gjitha këto, më kanë mbushur zemrën dhe më kanë dhënë atë që kisha nevojë dhe kam kërkur gjithë jetën time. Nëse do të mund të përqafoja secilën prej jush, do ta bëja dhe do t’ju thoja FALEMINDERIT që mbajtët zemrën time peshë, duke më ndihmuar që unë të jem kjo që jam sot.
Çfarë synon për të ardhmen e Teara Handmade Jewelry? A po planifikon koleksione të reja, bashkëpunime, apo diçka ndryshe që do të surprizojë klientët?
Së shpejti bashkëpunime me piktorë, një website dhe koleksione bizhuterish “Një dhe e vetme”, ndërtuar me elementë të pa përsëritshëm, me tema dhe simbole kombëtarë, simbole që na karakterizojnë. Koleksionet e ardhëshme, do flasin gjuhë më profesionale përsa i përket paraqitjes vizuale me foto dhe video. Dhe pse jo edhe për të shitur jashtë Shqipërie, jam duke studiuar në disa drejtime.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0