Të rinjtë e Kosovës tashmë kanë një libër për orientimin në karrierë - Business Magazine Albania

Të rinjtë e Kosovës tashmë kanë një libër për orientimin në karrierë


Libri “Orientim në Karrierë”, synon t’i vetëdijësojë studentët e të rinjtë, por edhe profesorët e institucionet publike, për rëndësinë e orientimit në karrierë. Ky libër është i shkurtër, praktik, dhe i lehtë për t’u përvetësuar. Ju rekomandoj ta lexoni, veçanërisht ju studentë të cilët jeni duke bërë plane për karrierën tuaj. Në këtë intervistë do të mësoni më shumë rreth librit dhe Gentianit, autorit të tij.

Si erdhi ideja për të shkruar një libër për orientimin në karrierë?

Kam punuar për çështjen e orientimit në karrierë prej dhjetë vitesh me më shumë se 1000 nxënës të shkollave të mesme, studentë dhe programe të OJQ-ve. Gjatë përgatitjeve të këtyre trajnimeve dhe punëtorive kam vërejtur mungesën e materialeve rreth kësaj fushe. Madje në gjuhën shqipe ky libër është i pari në formatin e shtypur dhe deri më tani i vetmi.

Duke qenë unë vetë autor i materialeve të këtyre trajnimeve dhe punëtorive, kam ndjerë obligim moral që të lëvizim më konkretisht në këtë fushë. Nga studimi i kësaj fushe dhe gjithmonë nga përvoja praktike, kam ardhur me një teori të veprimit për orientim në karrierë. Nuk mundet orientimi në karrierë të zhvillohet pa u paraprirë nga zhvillimi i avancuar i të menduarit. Prandaj, në pjesën e parë të librit kam sjellë kapituj të veçantë që nxisin dhe zhvillojnë të menduarit e thellë, mendimin kritik, dilema morale e të ngjashme. Gjithnjë me aktivitete dhe shembuj konkretë. Dhe pasi të mund ta kem frymëzuar mendimin për jetën, karrierën dhe botën në përgjithësi, atëherë mund të vijohet me aktivitete. Fillimisht të njohjes së vlerave të vetvetes, njohjes me alternativat dhe hap pas hapi deri te përcaktimi i objektivave dhe karrierës përkatëse. Pastaj në pjesën e fundit të librit kam sjell materiale konkrete dhe shabllone origjinale për disa nga shkathtësitë akademike të nevojshme në çdo fushë veprimi.

Ju keni thënë se libri mund të përdoret në planprogramin arsimor si dhe në kuadër të organizatave joqeveritare, sa është interesimi i këtyre institucioneve për të aplikuar metodologjinë e orientimit në karrierë?

Libri është ndërtuar që të jetë i përshtatshëm për përdorim shkollor, me instruksione nga mësimdhënësi apo trajneri. E vërteta është se prej kur organizata ‘Identiteti’ ka iniciuar kërkesën për përfshirjen e kësaj lënde në shkollat publike, që prej atëherë ka lëvizje edhe nga institucionet publike dhe organizatat e huaja në Kosovë. Por, këto nisma duken ‘të pa orientuara’, në kuptimin që nuk kanë ndonjë plan specifik të nisjes, zhvillimit, monitorimit dhe përcaktimit në karrierë. Gjithsesi, secila nga këto nisma prek një pjesë nga ajo që do të mund të quhej orientim në karrierë. Këtyre nismave fatmirësisht nuk u mungon përkrahja financiare.

Sipas teje, sa ka interesim nga rinia e Kosovës për t’u përgatitur për rrugëtimin e tyre në karrierë?

Së fundi, kam parë interesim pak më të lart se zakonisht. Të rinjtë deri në moshën 29 vjeҫ janë shumë të përqendruar në orientimin e karrierës. Fatkeqësisht ka një presion familjar mbi nxënësit që në shkollën fillore për përzgjedhje të drejtimit në shkollë të mesme dhe pastaj për fakultet. Pra, këto metoda apo “tradita” jo domosdo ndikojnë pozitivisht për orientimin në karrierë.

Njeriu ka aftësi dhe vlera për më shumë se një fushë, prandaj orientimi, riorientimi, zhvillimi i mëvonshëm për një karrierë të re është plotësisht diҫka normale.

Cili është mesazhi yt për studentët dhe të rinjtë e Kosovës?

Nëse nuk lexoni dhe veproni sot, pasojat do t’i vuajë e gjithë shoqëria jonë pas 20 vitesh. Brenda kësaj shoqërie do të jetoni ju dhe pasardhësit tuaj.

Le ta marrim si maksimë moton e alpinistëve ‘Kurrë mos shiko poshtë se rrëzohesh’. Ndaj, edhe ne të rinjtë të mos ndikohemi nga realiteti i zymtë që ka rezultuar nga politikanët tanë të 20 vjeçarit të parë, por le të shikojmë lart se duke u zhvilluar në karrierë, me dinjitet dhe etikë, lëvizje konkrete në punë, ne mund ta bëjmë vendin tonë të suksesshëm për pak vite.

Na thuaj diçka për veten, çfarë bën, çfarë ke studiuar?

Unë vij nga Ferizaji, kam studiuar filologjinë (gjuhë dhe letërsi angleze), teologjinë dhe menaxhimin në edukimin formal. Por, në mënyrë joformale, studimet i kam zgjeruar edhe në fusha të tjera. Kam punuar si mësimdhënës i gjuhës angleze dhe etikës në disa shkolla publike të Ferizajt dhe Gjilanit, pastaj si trajner dhe folës në aktivitete motivuese në Ferizaj, kryesisht përmes Qendrës për Motivim, Karrierë dhe Sukses ‘Identiteti’ në Ferizaj. Kjo është një nismë që e kam themeluar para 5 vitesh me një grup të rinjsh. Madje, pikërisht me këtë grup të rinjsh dhe profesionistësh kam iniciuar urgjencën dhe masivizimin e çështjes së Orientimit në Karrierë, duke kërkuar përfshirjen e një lënde të veçantë në shkolla për orientim në karrierë. Aktualisht drejtoj sektorin për arsim në Këshillin e Bashkësisë Islame në Ferizaj dhe mekanizmin e këtij sektori, Akademinë e Studimeve të PNFBI. Faleminderit shumë për interesimin, urime të gjithë besimtarëve muslimanë, muajin e shenjtë të Ramazanit.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0