Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke tejkaluar jo vetëm nivelin e planifikuar, por edhe rezultatet e së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se nga janari deri në qershor, ky zë fiskal ka siguruar për buxhetin 40,8 miliardë lekë – rreth 8,6 miliardë lekë ose 26,6% më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024. Krahasuar me planin fillestar, kjo shumë rezulton 5,4 miliardë lekë më e lartë, duke përfaqësuar një realizim 15,4% mbi objektivin.
Rritja e punësimit formal, përmirësimi i deklarimit të pagave në sektorin privat dhe kontrollet më të forta tatimore janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë performancë. Administrata Tatimore raportoi 10 523 të punësuar të rinj krahasuar me një vit më parë, ndërsa paga më të larta në sektorin publik dhe në fusha strategjike si teknologjia, ndërtimi dhe shërbimet financiare kanë zgjeruar ndjeshëm bazën e tatueshme.
Lexo edhe: Tkurrja e turizmit ul çmimet e hoteleve, sa kushtojnë dhomat nga jugu në veri
Një tjetër element me peshë ka qenë modernizimi i administrimit fiskal, përmes platformave të digjitalizuara si e-filing dhe fiskalizimi në kohë reale, të cilat kanë rritur transparencën dhe efikasitetin në mbledhjen e të ardhurave.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto