Bizneset dhe qytetarët e Tiranës mund të verifikojnë në kohë reale detyrimet e tyre vendore përmes shërbimit elektronik “Taksat dhe tarifat vendore – Bashkia Tiranë” në platformën e-Albania.
Ky shërbim, i cili tashmë shtrihet edhe për qytetarët që zotërojnë njësi tregtare apo pasuri të tjera të përdorura për veprimtari ekonomike, u ofron përdoruesve një panoramë të plotë dhe të përditësuar mbi detyrimet e tyre vendore, duke përfshirë edhe penalitetet për pagesat e vonuara. Nga taksa mbi ndërtesën, truallin dhe tokën bujqësore, deri te tarifa e pastrimit, taksa e tabelës apo shfrytëzimi i hapësirës publike, çdo detyrim paraqitet i detajuar sipas vitit, shumës dhe këstit përkatës.
Përveç transparencës, shërbimi “Vërtetim likuidimi të taksave dhe tarifave vendore” mundëson shkarkimin e dokumentit që vërteton se subjekti nuk ka detyrime ndaj Bashkisë së Tiranës. Ky dokument, i nevojshëm për procedura të ndryshme ligjore, administrative apo tregtare, merret menjëherë online, duke shmangur nevojën për paraqitje fizike në sportel.
Lexo edhe: Politico: Shqipëria luftë korrupsionit dhe drejt BE-së me ndihmën e inteligjencës artificiale
Shërbimet nuk kërkojnë asnjë dokument shoqërues; procedura kryhet me vetëm disa klikime, ndërsa informacioni është i aksesueshëm nga çdo pajisje me lidhje interneti. Përdoruesit mund të shkarkojnë në çdo moment mandatin e arkëtimit për detyrimet e papaguara ose vërtetimin e likuidimit të tyre, duke kursyer kohë dhe duke shmangur burokracitë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto