Studimi: Personat me këtë zakon financiar jetojnë jetë më të qetë, edhe nëse nuk fitojnë shumë - Business Magazine Albania

Studimi: Personat me këtë zakon financiar jetojnë jetë më të qetë, edhe nëse nuk fitojnë shumë

Studimi: Personat me këtë zakon financiar jetojnë jetë më të qetë, edhe nëse nuk fitojnë shumë

Pavarësisht se sa të përmbushur ndihen njerëzit në jetën e tyre, paratë mbeten ende një nga shtyllat kryesore për të jetuar e për të shijuar jetën. Por, çelësi i lumturisë nuk qëndron te sa para fiton, por te mënyra si i menaxhon ato. Edhe pse një pjesë e madhe e amerikanëve nuk janë të sigurt financiarisht, kjo nuk do të thotë se po jetojnë jetë të palumtura, të paktën sipas një studimi të fundit. Një studim i publikuar në revistën Stress and Health ka treguar se nuk është e nevojshme të fitosh një pagë të lartë për të pasur një jetë të qetë. Në fakt, mënyra më e mirë për të mbajtur shëndetin mendor është të kujdesesh për financat në mënyra që funksionojnë për ty.

Menaxhimi i mirë financiar sjell më shumë qetësi, pavarësisht të ardhurave

Sipas këtij studimi, menaxhimi i shëndetshëm i financave është çelësi drejt mirëqenies mendore. Kjo qetësi buron nga zakone të thjeshta si kursimi i rregullt dhe pagesa e faturave,  qofshin ato kartat e kreditit, këstet e shtëpisë, të makinës apo borxhet e studentëve. Studimi është bazuar në të dhëna të mbledhura nga 20,000 australianë përgjatë një periudhe 20-vjeçare, duke përdorur një instrument të validuar shkencërisht për matjen e ankthit dhe depresionit – Mental Health Inventory-5. Rezultatet treguan se çdo rritje me 1% në kursime lidhej me një përmirësim prej 0.475% në pikët e shëndetit mendor, ndërsa një rritje me 1% në pagesat e rregullta të kartave të kreditit sillte një përmirësim prej 0.507%.

Të ardhurat e njëjta, por nivele ankthi të ndryshme

Studiuesit zbuluan se edhe nëse dy persona fitonin të njëjtën shumë, ai që kishte zakone të këqija financiare përjetonte më shumë stres dhe ankth. Arsyeja është e qartë: kur je i mbingarkuar me borxhe ose nuk e di si do t’i përballosh shpenzimet e muajit, kjo ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor. Ndërsa, edhe nëse nuk jeton me luks, ndjesia se je në kontroll të financave të tua të sjell paqe mendore. “Kur individët përballen me vështirësi financiare, nuk janë në gjendje të kursejnë apo të investojnë, kështu që humbin mundësinë për rritje dhe për të përmbushur qëllimet që kanë vendosur për të ardhmen,” – tha bashkëautori i studimit, Rajabrata Banerjee, profesor i ekonomisë së aplikuar në Universitetin e Australisë së Jugut. “Kjo shpesh i detyron të huazojnë për të përmbushur nevojat bazë, duke hyrë në cikle të pafundme borxhesh dhe pagesash me interesa të larta.”

Lexo edhe:Sekreti i 100 viteve jetë, pse Japonia po sfidon kohën

Balancimi i shëndetit mendor dhe financave

Studiuesit shpresojnë se ky studim do të ndihmojë individët të ndërmarrin hapa për të mbrojtur shëndetin e tyre mendor përmes menaxhimit të duhur të financave. “Prandaj, sjelljet e shëndetshme financiare janë thelbësore për ndërtimin e stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë, arritjen e objektivave, pavarësinë dhe mundësitë, si dhe për reduktimin e stresit,” – theksoi Banerjee.

Shumë amerikanë nuk i përballojnë dot shpenzimet bazë

Sipas një sondazhi të CNN, rreth 39% e të rriturve në SHBA shprehën se shqetësohen shpesh ose gjatë gjithë kohës se të ardhurat e tyre nuk do të jenë të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e jetesës. Ndërkohë, 35% e të rriturve kanë marrë punë shtesë për të plotësuar nevojat ekonomike. Këto shifra janë edhe më të larta te komunitetet latino (52%), afro-amerikanët (44%) dhe personat nën 45 vjeç (47%). Një pjesë e konsiderueshme e tyre ka reduktuar udhëtimet me makinë (41%) ose janë detyruar të përdorin kartat e kreditit për të përballuar nevojat bazike (37%). Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për ata që nuk i përballojnë dot faturat – shumë amerikanë nuk kanë as fond emergjence. Një sondazh i U.S. News për vitin 2025 zbuloi se dy në pesë amerikanë (42%) nuk kanë kursime për situata emergjente. Pothuajse po aq (40%) nuk do të mund të përballonin një shpenzim emergjent prej 1,000 dollarësh, ndonëse 60% e tyre kishin përjetuar një shpenzim të papritur në vitin e kaluar.

Paqja financiare fillon nga zakonet, jo nga shuma e të ardhurave

Ndonëse shumica e njerëzve do të donin të fitonin më shumë, studimi sugjeron se qetësia mendore nuk varet vetëm nga të ardhurat, por nga mënyra si menaxhohen ato. Një menaxhim i shëndetshëm financiar, që përfshin kursimin dhe shlyerjen e detyrimeve, mund të jetë çelësi për një jetë më të qetë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme. Edhe nëse rroga mbetet e njëjtë, zakonet bëjnë gjithë diferencën.

YT

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0