Starton Start-up City: Ideja jote e biznesit vlerësohet me 2500 euro - Business Magazine Albania

Starton Start-up City: Ideja jote e biznesit vlerësohet me 2500 euro

Nëse jeni nxënës apo studentë dhe keni një ide biznesi individuale a në grup, është ky momenti i duhur: Start-Up City ka hapur aplikimet në edicionin e tij të katërt! 

Një iniciativë unike për fuqizimin dhe aplikimin e ideve të biznesit nga ana e nxënësve dhe studentëve, Start-Up City vjen si organizim i përbashkët i Universitetit Metropolitan Tirana, Metropolitan Incubator dhe Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Ideja më e mirë do të vlerësohet me çmimin 2500 euro duke u mbështetur nga Metropolitan Incubator për implementimin e saj në treg. Çmimet janë rezervuar edhe për idenë e dytë më të mirë, e cila shpërblehet me 1000 euro, ideja e tretë me ofrimin e mentorimit dhe inkubimit në Metropolitan Incubator. Gjithashtu për triumfuesin në çmimin “Sipërmarrësi Individual” ofrohet një bursë e plotë studimi në Universitetin Metropolitan Tirana. Fitues do të ketë edhe në kategoritë “Best Pitch” dhe “Best Woman Entrepreneur”. 

Risia e këtij viti është bashkëpunimi me EU for Innovation dhe World Business Angels Forum Albania – WBAF Albania, që hap dyert për një gamë të gjerë mundësish shumëpalëshe për bizneset e reja shqiptare, të shkallëzuara dhe me rritje të lartë për t’u angazhuar me tregjet globale dhe investitorët e huaj. 

Për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë të interesuarve, do të organizohet sesioni informues për Start-Up City 4 në datë 14 prill, ora 14:00 që mund të ndiqet pranë mjedisve të Universitetit Metropolitan Tirana ose online përmes linkut: https://global.gotomeeting.com/join/505944133 

Përgjatë tre edicioneve të kaluara të Start-Up City kanë marrë pjesë më shumë se 500 të rinj, janë prezantuar mbi 80 ide biznesi, ku fituesit ndër vite si “Concept Marketing Albania”, “T-Bot” apo “Romix” operojnë tashmë suksesshëm në treg. 

Juria e Start-Up City është përbërë ndër vite nga emra të njohur të sipërmarrjes, politikëbërjes, akademisë dhe organizatave, si ish-Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Nikolin Jaka, Sekretarja e Përgjithshme e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë Ardita Seknaj, Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana Arjan Çukaj, Zv/Dekani i Fakultetit të Ekonomisë-UT Alban Korbi, CEO i Sigal Pension Elvis Ponari etj. 

Aplikimet janë të hapura deri në datën 29 prill dhe detajet gjenden duke klikuar në link: https://umt.edu.al/start-up-city. Gjatë muajit maj do të zhvillohen 2 bootcampe për finalistët e Start-Up City 4 dhe eventi gala do të zhvillohet në datën 25 maj. 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0