Sri Lanka vendos javë pune 4-ditore për të kursyer karburantin dhe gazin mes krizës energjetike - Business Magazine Albania

Sri Lanka vendos javë pune 4-ditore për të kursyer karburantin dhe gazin mes krizës energjetike

Sri Lanka vendos javë pune 4-ditore për të kursyer karburantin dhe gazin mes krizës energjetike

Sri Lanka ka vendosur të reduktojë javën e punës në katër ditë, si një masë emergjente për të kursyer rezervat gjithnjë e më të pakta të karburantit dhe gazit. Vendimi vjen në një moment kur konflikti në Lindjen e Mesme po vazhdon të ndikojë rëndë në furnizimet me energji në rajonin e Azisë Jugore.

Shumë vende të rajonit po përballen me mungesa serioze të karburantit dhe gazit LPG, i cili përdoret për gatim, transport dhe madje edhe për kremacione. Furnizimet janë ndërprerë për shkak të tensioneve të fundit pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iran.

Një nga pikat kyçe të krizës është Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës dhe gazit drejt Azisë Jugore. Kjo ngushticë është bllokuar për rreth dy javë nga Irani, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve, duke ndërprerë transportin e energjisë drejt shumë vendeve.

Për shkak se shumica e vendeve të rajonit importojnë pothuajse të gjithë karburantin dhe gazin që përdorin, shumë qeveri paralajmërojnë se rezervat aktuale mund të zgjasin vetëm për disa javë. Në Bangladesh, qeveria ka marrë masa emergjente për të ruajtur energjinë. Universitetet janë mbyllur për pushime të parakohshme gjatë muajit të Ramazanit dhe janë vendosur ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike. Frika kryesore është se mungesa e karburantit mund të ndalojë fabrikat e tekstileve, të cilat janë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.

Pakistan, i cili merr rreth 85% të energjisë përmes ngushticës së Hormuzit, shkollat janë zhvendosur përkohësisht në mësim online. Qeveria ka rritur gjithashtu çmimet e karburantit për të shmangur grumbullimin e tij nga qytetarët.

Ndërkohë Sri Lanka ka vendosur masa të drejtpërdrejta për uljen e konsumit të karburantit. Duke filluar nga kjo javë, institucionet shtetërore, shkollat dhe universitetet do të punojnë vetëm katër ditë në javë. Punonjësve të administratës publike u është kërkuar të punojnë nga shtëpia kur kjo është e mundur.

Lexo edhe: Greqia për herë të parë në hapësirë, astronauti grek pjesë e ESA-s

Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu që sektori privat të ndjekë të njëjtin model dhe të shpallë çdo të mërkurë si ditë pushimi për të reduktuar përdorimin e karburantit.

Në vend kanë nisur edhe kufizimet për furnizimin me karburant. Në shumë qytete janë krijuar radhë të gjata para pikave të furnizimit, ndërsa drejtuesit e automjeteve lejohen të blejnë vetëm 15 litra benzinë ose naftë në javë. Transportit publik i është lejuar një sasi më e madhe, deri në 200 litra. Sipas zyrtarëve, rezervat aktuale të benzinës dhe naftës mund të zgjasin për rreth gjashtë javë, por çdo ndërprerje e re e furnizimeve mund ta përkeqësojë ndjeshëm situatën. Autoritetet kanë theksuar se shërbimet thelbësore, si spitalet, portet dhe shërbimet emergjente, do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht.

Qeveria e Sri Lankës ka paralajmëruar se një luftë e zgjatur në Lindjen e Mesme dhe vazhdimi i bllokimit të transportit të energjisë në ngushticën e Hormuzit mund të dëmtojë seriozisht përpjekjet e vendit për të dalë nga kriza e rëndë ekonomike e vitit 2022.Në Indi, ku rreth 60% e gazit LPG vjen nga vendet e Gjirit, në shumë qytete janë krijuar radhë të gjata për bombolat e gazit për gatim. Shumë restorante kanë mbyllur përkohësisht aktivitetin ose kanë hequr nga menuja gatimet që kërkojnë kohë të gjatë për t’u përgatitur. Disa hotele kanë paralajmëruar se mund të detyrohen të mbyllen, ndërsa një fabrikë e madhe çeliku ka deklaruar se mund të ndalojë prodhimin për shkak të mungesës së energjisë.

Kryeministri indian Narendra Modi është përpjekur të qetësojë qytetarët duke deklaruar se nuk ka mungesë të menjëhershme të gazit dhe se nuk ka arsye për panik.

Megjithatë, India ka arritur një sukses diplomatik gjatë fundjavës, pasi dy cisterna që transportonin gaz arritën të kalojnë nëpër ngushticën e Hormuzit dhe të mbërrijnë në vend. Sipas ministrit të jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar, kjo u bë e mundur pas negociatave të drejtpërdrejta me autoritetet iraniane. Ai tha se bisedimet kanë dhënë rezultate dhe kanë lejuar kalimin e anijeve me furnizime kritike. Kriza aktuale tregon sa e varur është ekonomia globale nga rrugët kryesore të transportit të energjisë dhe sa shpejt mund të ndikojnë konfliktet gjeopolitike në furnizimin me karburant dhe gaz në shumë vende të botës.

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0