Sot është e hënë… por jo çdo gjë fillon me stres, ja disa lajme që... - Business Magazine Albania

Sot është e hënë… por jo çdo gjë fillon me stres, ja disa lajme që na japin arsye për optimizëm

Edhe pse e hëna shpesh shoqërohet me kthimin në ritmin e zakonshëm dhe shumë punë përpara, javën që lamë pas ndodhën disa gjëra që vlejnë të ndalemi. Sepse bota nuk është vetëm lajme të rënda. Ja çfarë shkoi mirë këtë javë:

Uganda ndali shpërthimin e Ebolës

Pas më pak se tre muajsh nga konfirmimi i rasteve të para në kryeqytetin Kampala, Uganda shpalli fundin e shpërthimit të Ebolës. Falë reagimit të shpejtë të autoriteteve shëndetësore dhe punës në terren me komunitetin, virusi u përmbajt me vetëm 14 raste të konfirmuara dhe 4 humbje jete. OBSH e përshëndeti reagimin si shembull të lidershipit dhe qëndresës së popullit ugandez.

Lexo gjithashtu: Është vetëm 14 vjeç, por po ndërton të ardhmen me inteligjencë artificiale/ Njihuni me Kaon Krasniqin

Shkencëtarët amerikanë sfidojnë administratën Trump

Dy organizata të mëdha shkencore në SHBA, AMS dhe AGU, bashkuan forcat për të vazhduar punën mbi krizën klimatike, pavarësisht vendimit të administratës Trump për të pushuar 400 studiues të raportit kombëtar mbi klimën. Iniciativa e tyre garanton që puna për të përballuar ndryshimet klimatike nuk do të ndalet.

“Popemobili” bëhet klinikë për fëmijët në Gaza

Një nga makinat ikonike të Papa Françeskut po transformohet në një klinikë lëvizëse për fëmijët në Gaza. E pajisur për diagnostikim dhe trajtim, ajo do të jetë gati të japë kujdes shëndetësor sapo të hiqet bllokada humanitare izraelite. Një akt simbolik i kujdesit njerëzor në një zonë të tronditur rëndë.

 Dreri elk mund të rikthehet në Britani pas 3,000 vitesh

Britania po përgatitet të rikthejë një nga kafshët e saj të humbura, drerin elk. Me projekte pilot në Derbyshire dhe Nottinghamshire, kjo iniciativë mund të ndihmojë në rindërtimin e ekosistemeve natyrore, ashtu siç kanë bërë më parë kastorët.

Lexo gjithashtu: 400 aplikime, 4 vite pritje dhe një ëndërr që u bë realitet/ Eris Bleta, një shqiptar në CISCO

Platformë e re për shkrimtarët e klasës punëtore në MB

“The Bee” është një nismë letrare që synon të zgjerojë zërin e klasës punëtore në letërsinë britanike. Me revista, podcast dhe komunitet online, synimi është i qartë: më shumë përfaqësim, më pak elitizëm.

Shitjet e disqeve vinyl vazhdojnë të rriten

Në SHBA, u shitën mbi 43 milionë disqe vinyl në vitin 2024, një rekord i ri në një epokë digjitale. Ky rikthim nostalgjik po ndihmon artistët të krijojnë të ardhura të qëndrueshme dhe tregon se muzika fizike ka ende vend në zemrat tona.

Dielli mbi parkingjet, energji e pastër në horizont

Qeveria britanike propozoi vendosjen e paneleve diellore mbi parkingjet publike, duke ndjekur shembullin e Francës. Kjo mund të shndërrojë hapësirat bosh në burime të fuqishme energjie të rinovueshme.

 Fëmijët në Uzbekistan po përfitojnë më shumë nga arsimi parashkollor

Nga 27% në 2017, sot mbi 75% e fëmijëve në Uzbekistan ndjekin kopshtin, falë projekteve si “Kopshti në Rrota”, që sjell arsim në zonat e thella rurale me autobusë të përshtatur.

Shkollat e Nju Jorkut ndalojnë celularët

Një ndalim i ri “nga zile në zile” për celularët do të aplikohet në të gjitha shkollat publike të qytetit të Nju Jorkut. Masa synon të mbrojë shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rikthejë vëmendjen në mësim.

 Postive News

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0