Skema sekrete miliardëshe, ja si xAI e Musk po i del para OpenA... - Business Magazine Albania

Skema sekrete miliardëshe, ja si xAI e Musk po i del para OpenAI-së në garën e fitimit

Kompania e inteligjencës artificiale xAI e Elon Musk po lë pas rivalët e saj më të mëdhenj në garën drejt fitimit. Sipas një regjistrimi të një thirrjeje me investitorët, të siguruar nga Forbes, xAI pritet të bëhet fitimprurëse deri në vitin 2028, duke lëvizur shumë më shpejt se OpenAI, e cila llogarit të dalë “në të gjelbër” vetëm pas vitit 2030.

Sot, xAI ka 10 miliardë dollarë cash në bankë, por nevojat e saj për fuqi kompjuterike janë aq kolosale, sa kjo shumë është vetëm fillimi. Në thirrjen me investitorët, Jonathan Shulkin nga Valor Equity Partners, i cili ka shërbyer përkohësisht edhe si CFO i xAI, zbuloi se kompania ndodhet në një fazë të fuqishme zgjerimi:

“Të ardhurat po rriten me shpejtësi. xAI do të jetë pozitive në cash flow brenda 2.5 ose 3 vitesh. Dhe, për raundin e ri të financimit prej 15 miliardë dollarësh, kërkesa ka kaluar pritshmëritë.”

Në qendër të këtij suksesi të parashikuar qëndron një skemë financimi jo tradicionale, e dizajnuar për të ulur kostot marramendëse të ndërtimit të qendrave të të dhënave, struktura që kushtojnë 20 deri në 30 miliardë dollarë secila.

Për ta përballuar këtë, xAI po përdor një mekanizëm të ri të krijuar nga Valor Compute Infrastructure (VCI), një SPV (special purpose vehicle) që blen pajisjet më të shtrenjta të qendrave të të dhënave, përfshirë rafte me çipet e Nvidia-s, dhe më pas ia jep me qira xAI-së.

VCI po mbledh 7.5 miliardë dollarë cash dhe gati dyfishin e kësaj shume në borxh, ku përfshihen kompani si Nvidia (që ka angazhuar 2 miliardë dollarë), Blue Owl, Apollo, GoldenTree dhe Marathon. Investitorët individualë po marrin gjithashtu pjesë, me një kthim të projeksionuar prej 9% në vit.

Sipas të dhënave të thirrjes, VCI pritet të blejë 22 miliardë dollarë fuqi kompjuterike, duke filluar menjëherë me 5.3 miliardë dollarë çipa Nvidia GB200 që janë tashmë funksionalë. Por urdhri më spektakolar vjen në 2026-ën, kur planifikohet blerja e GB300, çipat më të rinj dhe më të fuqishëm të Nvidia-s, me vlerë mbi 10 miliardë dollarë.

Shulkin e përmbledh kështu arsyen e kësaj skeme:
“Për xAI, financimi me kapital tradicional është tepër i shtrenjtë, me kosto 40–50%. Duke përdorur këtë strukturë, kostoja e kapitalit bie ndjeshëm. Është një inovacion financiar i vërtetë.”

Ndërkohë, OpenAI po përgatitet të shpenzojë 1.4 trilionë dollarë për infrastrukturë AI, një plan i jashtëzakonshëm që e shtyn më tej rentabilitetin, ndërsa Anthropic, një tjetër rival i madh, synon të arrijë ekuilibrin financiar gjithashtu në vitin 2028.

Ajo që mbetet e qartë është se gara drejt dominimit të inteligjencës artificiale po zhvendoset: jo vetëm te algoritmat, por edhe te fuqia financiare dhe aftësia për të kontrolluar furnizimin me çipa.

Me një arkë të mbushur, investitorë të gatshëm dhe një strategji financimi të paparë më parë në industrinë e teknologjisë, xAI e Elon Musk duket e pozicionuar të ngjitet në majat e tregut shumë më shpejt se sa pritej.

Forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0