Në një kohë kur ekonomia shqiptare po përballet me mungesë të ndjeshme të fuqisë punëtore si pasojë e emigrimit, ndryshimeve strukturore dhe kërkesave në rritje nga sektori privat, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) ka vendosur në dispozicion të publikut mbi 6 mijë pozicione të hapura pune në platformën zyrtare “puna.gov.al”.
Këto vende pune përfshijnë një spektër të gjerë profesionesh dhe janë të përshtatshme për individë me profile të ndryshme arsimore dhe përvoja të ndryshme – duke filluar nga profesionistët me arsim të lartë, deri tek ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm apo profesional. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama vuri në dukje se “Thirrja e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës ofron mundësi konkrete për të rinjtë e moshës 21–29 vjeç, që duan të hedhin hapat e parë drejt karrierës në Administratën Publike dhe se aktualisht janë 600 vende praktike në administratë dhe institucione publike”. Aplikimet për të rinjtë që kanë përfunduar studimet në ciklin e parë “Bachelor” dhe duan të angazhohen në praktikë pune në institucionet publike janë hapur më 27 qershor dhe përfundojnë në 10 gusht.
“Të rinjtë do të kryejnë një trajnim të dedikuar nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, ASPA, do të kenë kompensim financiar gjatë praktikës, si dhe mundësi kontrate pune 1-vjeçare për 250 praktikantë”, – tha Rama. Periudha e praktikës përfshin një periudhë 3-mujore: shtator-dhjetor 2025 dhe për t’u bërë pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës të rinjtë duhet të aplikojnë “online”.
Lexo edhe: Shqipëria, me çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në Europë, sipas fuqisë blerëse
Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike dhe personale. Programi mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike apo private. Institucionet bëjnë përzgjedhjen e praktikantëve që do të punësohen me kontratë 1-vjeçare, duke u bazuar te performanca e vlerësimit të praktikantëve si dhe nevojave të secilit institucion.
SI FUNKSIONON PROGRAMI
Në një intervistë të dhënë në media, përfaqësuesja e Agjencisë, Gertiola Çepani, e përshkroi këtë situatë si një “hapësirë reale me potencial të madh punësimi”, veçanërisht për të rinjtë dhe ata që ndodhen aktualisht jashtë tregut të punës. Sipas saj, nuk është më çështje e përzgjedhjes së kandidatëve më të kualifikuar, por një nevojë për të mbushur pozicione të lira që po shtohen ndjeshëm nga viti në vit, sidomos gjatë sezonit turistik dhe në sektorë me intensitet të lartë kërkese.
Portali “puna.gov.al” është krijuar për të qenë i lehtë në përdorim dhe i qasshëm për çdo qytetar. Aty ofrohen mundësi punësimi të klasifikuara sipas profesionit dhe nivelit të arsimimit. Kështu, individët me diplomë universitare kanë akses në pozicione si ekonomistë, juristë, inxhinierë, menaxherë, ekspertë IT-je apo zhvillues softuerësh. Ndërkohë që ata me kualifikim të mesëm apo me eksperiencë praktike, mund të aplikojnë për profesione si kuzhinierë, recepsionistë, rrobaqepës, punëtorë teknikë, magazinierë dhe operatorë në sektorë prodhimi apo shërbimesh.
Aplikimi është i thjeshtuar: çdo punëkërkues që regjistrohet në portal mund të krijojë një profil, të ngarkojë CV-në e tij dhe të aplikojë menjëherë për pozicionet e hapura. Sistemi automatik i platformës i përcjell aplikimet direkt tek punëdhënësit, të cilët më pas nisin procedurat e intervistimit dhe përzgjedhjes. Për individët që hasin vështirësi në përdorimin e teknologjisë, Zyrat e Punës në çdo qytet të vendit ofrojnë ndihmë të drejtpërdrejtë nga specialistët e Agjencisë. Përmes këtyre zyrave, qytetarët mund të përfitojnë asistencë në aplikim, orientim profesional, organizim intervistash dhe ndihmë për përgatitjen e dokumentacionit. Ky shërbim është menduar për të siguruar që askush të mos mbetet jashtë mundësive që ofron tregu i punës për shkak të mungesës së njohurive teknologjike.
PRAKTIKA TË PAGUARA
Veç punësimit të drejtpërdrejtë, Agjencia Kombëtare e Punësimit ofron gjithashtu programe për zhvillimin e aftësive profesionale dhe integrimin më të mirë në treg. Një prej nismave më të vlerësuara është programi i praktikës 6- mujore të paguar, që synon të ofrojë eksperiencë pune për të sapodiplomuarit në institucione shtetërore apo private. Ky program është menduar si një urë lidhëse midis shkollës dhe tregut të punës. Nga ana tjetër, edhe punëdhënësit janë përfshirë në këtë sistem.
Përmes portalit “paga.gov.al” dhe platformës “e-Albania”, ata mund të shpallin pozicionet vakante në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë. Në bashkëpunim me specialistët e AKPA-së, bizneset mund të përshkruajnë kërkesat për pozicionet, kriteret e aplikimit dhe të përcaktojnë qartësisht kushtet e punës. Në disa raste, shpallen paraprakisht edhe pagesat mujore, ndërsa në të tjera, ato mbeten të negociueshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.