Si u shndërrua kremi i diellit në objekt teorish konspirative - Business Magazine Albania

Si u shndërrua kremi i diellit në objekt teorish konspirative

Si u shndërrua kremi i diellit në objekt teorish konspirative

Në rrjetet sociale po qarkullojnë gjithnjë e më shumë video ku njerëz të ndryshëm i shmangen përdorimit të kremit kundër diellit, duke e cilësuar si “plot kimikate të dëmshme” dhe duke pretenduar se mund të shkaktojë më shumë dëm sesa mbrojtje. Shpesh, këto mesazhe përfundojnë duke rekomanduar alternativa “natyrale” ose edhe receta shtëpiake, të cilat jo vetëm që nuk ofrojnë mbrojtjen e nevojshme, por rrisin rrezikun e dëmtimit nga dielli.

Ky trend, i njohur si “lëvizja anti-sunscreen”, ka kaluar nga një fenomen periferik konspirativ në një dukuri më të përhapur, sidomos gjatë verës së vitit 2025. Edhe personazhe publike e influencerë kanë ndarë hapur bindjen se nuk përdorin krem kundër diellit për vete dhe fëmijët e tyre, duke ushqyer kështu mitin e rrezikshëm të “tolerancës natyrale” ndaj diellit. Sipas studimeve të fundit, të rinjtë e Gen Z tregohen veçanërisht të ndjeshëm ndaj këtyre miteve. Një sondazh i Akademisë Amerikane të Dermatologjisë tregoi se një pjesë e konsiderueshme e tyre e shohin nxirjen më të rëndësishme sesa rrezikun nga kanceri i lëkurës, ndërsa të tjerë pranojnë se përdorin krem vetëm kur ua kujton dikush tjetër.

Lexo edhe: 9 projekte marramendëse që po ndryshojnë botën

Si funksionon kremi kundër diellit?

Dermatologët shpjegojnë se rrezatimi ultravjollcë (UVA dhe UVB) dëmton lëkurën në nivele të ndryshme, UVA duke shkaktuar plakje të parakohshme dhe UVB duke djegur lëkurën dhe dëmtuar ADN-në, gjë që rrit rrezikun për melanoma. Statistikat tregojnë se shumica e rasteve me kancer të lëkurës lidhen drejtpërdrejt me ekspozimin e tepruar në diell.

Kremrat kundër diellit ndahen në dy kategori:

  • Me filtra kimikë, që thithin rrezet UV dhe i kthejnë në nxehtësi të padëmshme.

  • Me filtra mineralë, si oksidi i zinkut ose dioksidi i titanit, që krijojnë një shtresë mbrojtëse mbi lëkurë dhe i reflektojnë rrezet.

Shumica e teorive konspirative fokusohen tek kremrat me filtra kimikë, duke u bazuar në studime që tregojnë gjurmë të disa përbërësve (si oxybenzone) në gjak pas përdorimit. Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto janë doza shumë të vogla, të sigurta dhe të testuara nga autoritetet shëndetësore ndërkombëtare. Për më tepër, të njëjtat substanca gjenden edhe në produkte të tjera kozmetike të përdorura gjerësisht.

Mjekët dermatologë janë të qartë: rreziqet nga ekspozimi i pambrojtur në diell janë shumë më të mëdha se çdo dyshim i ngritur mbi kremrat. Për ata që shqetësohen për kimikatet, një alternativë e sigurt mbetet përdorimi i kremrave mineralë. Mesazhi i tyre kryesor është i thjeshtë: mos përdorimi i kremit kundër diellit rrit ndjeshëm rrezikun e kancerit të lëkurës.

theindependent

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0