Kur krijon një startup, suksesi nuk është gjithmonë i garantuar. Por kur identifikon një problem real dhe sjell një zgjidhje efektive, mund të ndërtosh diçka që bën ndryshim. Këtë ka arritur Erik Zhubi me Peakjobs – një platformë që ka transformuar mënyrën se si punonjësit dhe bizneset lidhen me njëri-tjetrin.Por si arriti ai të ndërtojë një startup që brenda pak muajsh u bë një histori suksesi dhe aplikacioni nr.1 në AppStore në Kosovë? Në këtë intervistë, ai ndan me ne mësimet dhe planet për të ardhmen.
Çfarë ju frymëzoi për të krijuar Peakjobs? Si lindi ideja për këtë platformë?
Një nga frymëzimet më të mëdha ishte krijimi i një produkti që buron nga Kosova dhe ka ndikim rajonal e ndërkombëtar. Për më shumë se një dekadë kemi punuar në zhvillimin e produkteve teknologjike për tregje të ndryshme dhe kemi pasur mundësinë të shohim nga afër sfidat me të cilat përballen tregjet e punës. Gjatë këtij udhëtimi, kuptuam se ekzistonte një hendek i madh: punëtorët shpesh thoshin se nuk ka punë, ndërsa punëdhënësit ankoheshin se nuk ka kandidatë të kualifikuar. Ky ishte momenti kur vendosëm të ndërtojmë një platformë që lidh dy palët dhe krijon një qasje të lehtë, të shpejtë dhe transparente për të gjithë.
Fillimisht, kemi krijuar një zgjidhjeje që u ofronte bizneseve fleksibilitetin për të rekrutuar staf për disa orë, ditë apo muaj në industri të ndryshme. Nga atje, filluam duke përfshirë sektorë të rëndësishëm si mikpritja, tregtia me pakicë dhe shumicë, logjistika, prodhimi, teknologjia, e-commerce, eventet dhe shumë të tjera. Krijuam Peakjobs, një platformë që jo vetëm lehtëson punësimin fleksibil, por gjithashtu shton vlera për bizneset dhe individët përmes moduleve të tjera si Punët me orar te plotë dhe Peakjobs Search – ku punëdhënësit mund të gjejnë kandidatë në bazë të aftësive dhe përvojave pa postuar punë dhe të fillojnë komunikimin drejtpërdrejt përmes chat-it.
Platforma juaj mbulon një gamë të gjerë sektorësh. Si i identifikoni dhe rekrutoni bizneset për t’u bashkuar me Peakjobs?
Ne jemi fokusuar në sektorët ku kërkesa për punëtorë është më e lartë dhe ku fleksibiliteti është esencial, si mikpritja, shitja me pakicë dhe shumicë, logjistika, prodhimi, kujdesi shëndetësor dhe teknologjia. Pasi identifikuam sektorët kyç, ndërtuam një strategji të mirëstrukturuar për të arritur bizneset përmes kanaleve të ndryshme:
- LinkedIn për të kontaktuar drejtpërdrejt me bizneset e mëdha.
- Email marketing për bizneset e vogla dhe të mesme.
- Media sociale si TikTok, Instagram dhe Facebook për të rritur ndërgjegjësimin.
- Prezenca mediatike në televizionet kryesore të Kosovës.
Procesi i regjistrimit për bizneset është jashtëzakonisht i thjeshtë. Çdo biznes regjistrohet në pak minuta dhe përfiton 30 ditë falas, duke u dhënë mundësinë ta testojnë platformën dhe të shohin rezultatet konkrete.
Çfarë lloj feedback-u keni marrë nga përdoruesit deri tani?
Feedback-u ka qenë shumë pozitiv, si nga punëtorët ashtu edhe nga bizneset. Bizneset e vlerësojnë platformën për transparencën dhe qasjen e lehtë në profilet e kandidatëve, të cilat përfshijnë detaje të rëndësishme si përvoja, aftësitë dhe edukimi. Ato gjithashtu e çmojnë mundësinë për të filluar komunikimin menjëherë përmes chat-it dhe efikasitetin që platforma sjell në procesin e rekrutimit. Nga ana tjetër, punëtorët janë të kënaqur me mundësinë për të gjetur punë që i përshtaten aftësive dhe nevojave të tyre, shpesh brenda një kohe të shkurtër.
Cilat kanë qenë disa nga sfidat kryesore me të cilat jeni përballur gjatë zhvillimit dhe rritjes së Peakjobs, dhe si i keni tejkaluar ato?
Adoptimi i teknologjisë dhe pagesave online ka qenë një nga sfidat më të mëdha. Shumë biznese në rajon janë mësuar me metoda tradicionale dhe shpesh e shohin teknologjinë si një sfidë shtesë, në vend që ta konsiderojnë si një mundësi për të rritur efikasitetin dhe performancën. Për të adresuar këtë, kemi punuar ngushtë me klientët për t’i edukuar mbi përfitimet e përdorimit të teknologjisë dhe kemi siguruar mbështetje të vazhdueshme për ata që përdorin platformën. Ende ka punë për t’u bërë në këtë drejtim, por ne besojmë se me kalimin e kohës tregu do të kuptojë vlerën e teknologjisë.
Duke marrë parasysh suksesin fillestar në Kosovë, si e vlerësoni tregun potencial në rajone të tjera? A po shqyrtoni zgjerimin ndërkombëtar dhe cilat tregje janë në fokusin tuaj?
Kosova ka qenë një treg i shkëlqyer pilot për ne dhe na ka ndihmuar të kuptojmë nevojat e biznesit dhe të punëtorëve. Duke nisur nga 22 janari 2025, do të zgjerohemi në Shqipëri, dhe shumë shpejt pas kësaj do të hyjmë në Maqedoninë e Veriut. Tregjet e tjera në fokusin tonë janë Greqia dhe Bullgaria, vende që kanë një kërkesë të madhe për zgjidhje inovative në tregun e punës. Zgjerimi ndërkombëtar është pjesë e vizionit tonë për ta bërë Peakjobs një platformë të njohur në mbarë rajonin dhe më gjerë.
Si i menaxhoni sfidat e sigurisë dhe privatësisë në një platformë që përfshin rekrutimin dhe menaxhimin e të dhënave të punonjësve?
Siguria dhe privatësia janë shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet Peakjobs. Duke qenë se platforma jonë merret me të dhëna personale dhe profesionale të mijëra përdoruesve, ne kemi vendosur standarde të larta për t’i mbrojtur ato. Për këtë, kemi implementuar teknologjitë më të fundit të sigurisë në përputhje me GDPR-në evropiane dhe rregulloret globale për mbrojtjen e të dhënave. Çdo kandidat dhe biznes që përdor platformën kalon nëpër procese të verifikimit të shumëfishtë, si për numrin e telefonit ashtu edhe për dokumentet e identifikimit. Këto masa jo vetëm që rrisin sigurinë, por gjithashtu garantojnë cilësinë dhe seriozitetin e përdoruesve në platformë. Përveç kësaj, të dhënat e ndjeshme ruhen në serverë të sigurt dhe janë të enkriptuara, duke minimizuar çdo rrezik të shkeljes së privatësisë.
Lexo edhe:Intervistë për Harper’s Bazaar – Nga skena te studioja: Udhëtimi i modës i frymëzuar nga arti i Felice dhe Dren
Si e shihni rolin e teknologjisë në transformimin e mënyrës se si njerëzit lidhen me punën përmes Peakjobs? A mendoni se teknologjia po ndryshon perceptimin e punës?
Teknologjia ka revolucionarizuar mënyrën si njerëzit punojnë dhe si kompanitë rekrutojnë. Në rajonin tonë, kemi parë që shumë individë dhe biznese janë të bllokuar në proceset tradicionale, ku informacioni shpesh është i shpërndarë në platforma të ndryshme dhe efikasiteti është minimal. Peakjobs ka ndryshuar këtë dinamikë duke sjellë një qasje të centralizuar dhe të lehtë për përdoruesit. Falë teknologjisë, ne u kemi dhënë mundësi punëtorëve të krijojnë profile të personalizuara dhe të paraqesin aftësitë e tyre në mënyrë profesionale. Ata tani mund të zbulojnë mundësi që më parë nuk ishin të dukshme për ta dhe të hyjnë në një proces rekrutimi shumë më të shpejtë dhe më transparent. Për kompanitë, teknologjia ka thjeshtuar menaxhimin e rekrutimit – nga përzgjedhja e kandidatëve deri te vendimet finale. Ne besojmë fuqimisht se teknologjia jo vetëm që po ndryshon perceptimin e punës, por po krijon një treg më të drejtë dhe më efikas, ku njerëzit kanë më shumë kontroll mbi karrierën e tyre dhe bizneset rrisin kapacitetet për t’u rritur.
Cilat janë disa nga inovacionet që planifikoni të prezantoni në të ardhmen për të mbajtur Peakjobs në pararojë të tregut të rekrutimit?
Inovacionet tona të ardhshme janë të orientuara drejt automatizimit dhe personalizimit maksimal të procesit të rekrutimit. Disa nga risitë kryesore përfshijnë:
- Asistenti Virtual me Inteligjencë Artificiale – Ky sistem do të ndihmojë punëtorët të optimizojnë profilet e tyre dhe do t’u sugjerojë punë të përshtatshme bazuar në aftësitë dhe interesat e tyre. Për bizneset, AI-ja do të ndihmojë në filtrimin e kandidatëve më të përshtatshëm dhe në planifikimin e rekrutimeve.
- Peakjobs Search – Një modul i avancuar që do t’u mundësojë bizneseve të kërkojnë direkt për kandidatë të veçantë në bazën tonë të të dhënave pa pasur nevojë të postojnë punë.
- Intervistat Virtuale dhe Vlerësimi Automatik – Po punojmë në një sistem që lejon kryerjen e intervistave online direkt në platformë dhe krijon raporte automatike për kandidatët, duke kursyer kohë dhe burime.
Këto inovacione janë pjesë e angazhimit tonë për ta mbajtur Peakjobs si platformën më të avancuar të rekrutimit në treg.
Çfarë mendoni se ka kontribuar më së shumti në suksesin e shpejtë të aplikacionit, që e ka çuar atë në vendin e parë në toplistën e Kosovës në App Store?
Suksesi ynë i shpejtë është rezultat i disa faktorëve kryesorë:
- Fokusimi në fleksibilitet dhe transparencë: Ne kemi krijuar një platformë që përmbush nevojat reale të përdoruesve. Mesazhi ynë që punëtorët mund të zgjedhin ku, si dhe kur të punojnë ka rezonuar shumë tek ta.
- Marketing i fuqishëm dhe i targetuar: Përdorimi i rrjeteve sociale dhe i mediave tradicionale ka ndihmuar që Peakjobs të arrijë shpejt tek një audiencë e gjerë.
- Dizajni intuitiv dhe lehtësia e përdorimit: Aplikacioni është ndërtuar që të jetë i thjeshtë për të gjithë, pavarësisht nivelit të njohurive teknologjike.
Së bashku me këta faktorë, angazhimi ynë për të përmirësuar vazhdimisht platformën dhe për të mbështetur përdoruesit në çdo hap ka bërë që aplikacioni të fitojë besimin e tregut dhe të shndërrohet në një histori suksesi brenda një kohe të shkurtër.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.