Shqiptaro-amerikani Chris Nikic është personi i parë me sindromën “Down” që përfundon me sukses Trialtonin e Njeriut të Hekurt (Ironman) dhe do të nderohet për këtë me Çmimin Jimmy V bën të ditur kanali i njohur televiziv amerikan i sporteve ESPN.
Çmimi Jimmy V u ndahet njerëzve që kanë arritur suksese në sport duke kapërcyer pengesa të jashtëzakonshme me këmbëngulje dhe vendosmëri. Në nëntorin e vitit të kaluar, Nikic, që ishte 21 vjeç në atë kohë, përfundoi notimin e distancës 2,4 milje, bëri 112 milje me biçikletë si dhe vrapo maratonën prej 26.2 miljeve në konkursin Ironman Florida, në Panama City Beach. Ai i përfundoi të treja për 16 orë, 46 minuta dhe 9 sekonda – pra 14 minuta përpara kohës kualifikuese.
Chris Nikic është nga Florida, djali i Nik Nikiçit që është krenar dhe mbështetësi më i madh i udhëtimit të jashtëzakonshëm që ka bërë i biri. Chris u lind me shumë probleme fizike. Ishte vetëm 5-muajsh kur iu desh të bënte një operacion në zemër. Deri në moshën katër vjeç nuk ecte. Vetëm kur mbushi 5 vjeç filloi të hante ushqime të forta. Kur mbushi 17 kishte kryer 4-5 operacioni të mëdha, me probleme në vesh që ia ndërlikonin drejtpeshimin.
Mirëpo, vullneti i këtij djaloshi është i jashtëzakonshëm. Chris Nikic tani vrapon, noton, çiklon, ngre pesha, merr pjesë në një seri sportesh por mbi të gjitha frymëzon dhjetëra mijëra fëmijë e të rinj të tjerë si ai, me probleme fizike, që të gjejnë potencialin e tyre pavarësisht prej vështirësive.
Ai është emëruar edhe për Çmimin e Atletit më të Mirë me Paaftësi në Sportet e Meshkujve. Ndërsa po stërvitet që të marrë pjesë në Olimpiadën Speciale Botërore të vitit 2022. Çmimi “Jimmy V” u krijua për të nderuar trajnerin e basketbollit të Universitetit të North Carolina-s, Jim Valvano që vdiq para kohe nga një sëmundje e rëndë. Për herë të parë u dha në 2007, për trajneren e basketbollit Kay Yow. Që atëherë e kanë marrë një numër atletësh që sjellin me vete histori frymëzuese që kanë sfiduar fatin.
“Si ambasador i Olimpiadës Speciale, unë përfaqësoj miliona atletë rretheqark botës që tani besojnë se përfshirja është e mundshme për ta”, tha Chris duke folur për ESPN për çmimin që po i jepet. “Ju falenderoj nga ana ime, por shumë më me rëndësi, në emër të komunitetit me sindromën Down dhe kolegët e mi atletë të Olimpiadës Speciale”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.