Shqipëria, me çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në Europë, sipas fuqisë blerëse - Business Magazine Albania

Shqipëria, me çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në Europë, sipas fuqisë blerëse

A doni të shisni shtëpinë tuaj shpejt dhe lehtë?!

Një familjeje mesatare shqiptare i duhen mesatarisht 16.3 vite pune për të blerë një apartament. Kjo kohë është më e gjata në të gjithë Europën, sipas treguesit Numbeo, që llogarit indeksin e çmimit ndaj të ardhurave, që mat përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti, për mesin e vitit 2025. Kjo është hera e parë që Shqipëria del në fund të listës për raportin e çmimeve të apartamenteve ndaj të ardhurave në 36 shtete të matura.Në renditjen e fillimit të vitit 2024, viti më i hershëm kur Shqipëria është përfshirë në këtë tregues, vendi renditej në vend të 32, me 13.8 vite, duke lënë pas ndër të tjera Maqedoninë e Veriut (14.8) dhe Serbinë (16.8), që ishte e fundit në listë.

Përkeqësimi në renditjen e fundit tregon për një rritje më të shpejtë të çmimeve të apartamenteve në raport me të ardhurat. Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj, ose rreth 770 euro. Megjithatë, pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit.

Paga më e lartë mesatare mujore bruto është në Serbi, më 1150 euro në muaj (135,403 dinarë serbë). Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paga është gati 1100 euro (2140 Bam). Në Mal të Zi paga është 1083 euro. Edhe Maqedonia e Veriut paguan mesatarisht punonjësit me më shumë se një mijë euro në muaj, konkretisht 62 mijë dinarë maqedonas, ose 1020 euro në muaj.

Rritja e çmimeve të apartamenteve ka qenë shumë më e shpejtë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për një familje që të blejë një shtëpi. Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se çmimet e banesave iu kthyen rritjes së shpejtë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.

Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës u rrit me 23.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë.

Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, në kryeqytet, çmimet e shitjes në disa prej zonave periferike nga Paskuqani në Shkozë variojnë nga 900 deri 1,400 euro për metër katror. Banesat brenda zonës së verdhë të ndërtimit ofrohen me çmime shitje mbi 1,500 euro për metër katror.

Ndërsa në zonat e qendrës dhe brenda Unazës së Vogël nuk gjen më apartamente me çmime nën 2,000 euro për metër katror dhe sa më shumë i afrohesh qendrës çmimet arrijnë në 3-4 mijë euro/metër katror. Në zonën pranë liqenit dhe në kullat në qendër të Tiranës, çmimet fillojnë nga 5 mijë euro për metër katror.

Lexo edhe: Christian Canacaris: dy dekada, një vizion dhe bankingu digjital në Shqipëri

Në Durrës apartamentet fillojnë nga 1200 -1700 euro për metër katror, sipas ofertave aktuale të agjencive. Çmimet më të larta ka në zonat me pamje deti dhe komplekset për banorë të nivelit të lartë, deri në 2,000 euro/m².

Në zonën e Lungomare, Agjenci si Smart Capital dhe Vlora Estate ofrojnë apartamente 2+1 me sipërfaqe rreth 110 m² për 215,000–285,000 euro, që përkthehen në 1,950–2,600 euro/m².

Zonat pak më të thella (Rradhimë, Kalaja, Uji i Ftohtë) kanë çmime prej 130,000–160,000 euro për 60–80 m², që korrespondojnë në 1,700–2,200 euro/m².

Në Sarandë për një apartament mesatar, sipas agjencive, çmimi luhatet rreth 1,800–2,200 euro/m², ndërsa investimet në zona luksi shkojnë deri në 2,500–2,800 euro/m².

Pas Shqipërisë, apartamentet më të shtrenjta sipas fuqisë blerëse janë në Serbi, vlerëson Numbeo, me 15.8 vjet. Më pas renditen Rusia (15.5), Portugalia (14.6). në rajon, apartamentet më të lira janë në Maqedoninë e veriut, ku një familjeje i duhet të punojë 12.5 vjet (mungojnë të dhënat për Indeksi Çmim ndaj të ardhurave mat përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti. Ai tregon sa vite të ardhurash neto familjare duhen për të blerë një apartament mesatar, ku një vlerë më e ulët nënkupton përballueshmëri më të mirë.

Përllogaritja bazohet në:
-të ardhurat neto familjare të barasvlershme me 1.5 herë pagën mesatare neto (duke supozuar se 50% e grave janë aktive në tregun e punës),
– çmimin e një apartamenti mesatar prej 90 m²,
– dhe çmimin mesatar për m² të përllogaritur si mesatarja ndërmjet zonave qendrore dhe periferike të qytetit.

Ky tregues përdoret gjerësisht për të krahasuar sa i përballueshëm është tregu i banesave në një qytet apo vend. Treguesi është pjesë e Indeksit të Cilësisë së jetesës, ku Shqipëria u rendit e fundit në Europë, ky një nga faktorët që ndikoi në këtë rezultat lidhet me çmimet e larta të apartamenteve në raport me të ardhurat, krahas fuqisë së ulët blerëse dhe kujdesit shëndetësor.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën, sa kohë që nuk ndalesh.”
— Konfuci
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0