Shqipëria çel sot grupkapitullin e fundit të negociatave, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri- BE, që do të mbahet në Bruksel, e cili shënon hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave në një kohë prej 12 muajsh.
Grupi V i kapitujve të negociatave të integrimit në BE, i njohur si “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”, përfshin pesë fusha specifike politiko-ekonomike:
Kapitulli 11: Bujqësia dhe Zhvillimi Rural. Fokusohet në modernizimin e sektorit bujqësor, rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin rural.
Kapitulli 12: Siguria ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare. Synon garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe bimëve, duke harmonizuar standardet kombëtare me ato evropiane.
Kapitulli 13: Peshkimi. Trajton menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve detare, ruajtjen e ekosistemeve dhe zhvillimin e peshkimit sipas standardeve të BE-së.
Kapitulli 22: Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore. E fokusuar në përdorimin e fondeve të BE-së për zhvillim rajonal, uljen e pabarazive dhe mbështetjen e projekteve infrastrukturore dhe sociale.
Kapitulli 33: Dispozitat financiare dhe buxhetore. Ka si qëllim harmonizimin e politikave financiare dhe buxhetore të Shqipërisë me praktikat e Bashkimit Evropian, për të garantuar transparencë dhe menaxhim efektiv të fondeve publike.
Këta kapituj janë thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi kandidat, duke u fokusuar në modernizimin e bujqësisë, garantimin e sigurisë ushqimore, menaxhimin e fondeve të BE-së dhe respektimin e praktikave buxhetore evropiane. Organizimi i kapitujve të negociatave në gjashtë grupe tematike është pjesë e metodologjisë së rishikuar të anëtarësimit në BE.
Rruga e Shqipërisë drejt familjes europiane (Kronologjia)
Shqipëria së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor u identifikua si kandidate potenciale për anëtarësim në BE gjatë Samitit të Këshillit Evropian në Selanik, në qershor 2003.
Në vitin 2009, Shqipëria dorëzoi aplikimin zyrtar për anëtarësim në BE. Në opinioni e saj për aplikimin e Shqipërisë (në vitin 2010), Komisioni vlerësoi se përpara se të hapeshin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit, vendi duhej të arrinte një nivel të nevojshëm përputhshmërie me kriteret e anëtarësimit dhe, në veçanti, të përmbushte 12 prioritetet kyçe të identifikuara në opinion zyrtar të BE-së.
Në tetor 2012, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat, me kusht përmbushjen e masave kyçe në fushat e reformës në drejtësi, administratës publike dhe rishikimit të rregullores së Kuvendit.
Në qershor 2014, Shqipëria u shpall zyrtarisht vend kandidat nga BE. Në prill 2018, Komisioni dha një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në konkluzionet e qershorit 2018, Këshilli përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave në qershor 2019, në varësi të progresit në fusha kyçe si: drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shërbimet e inteligjencës dhe administrata publike. Komisioni përsëriti rekomandimin për hapjen e negociatave në Paketën e Zgjerimit të miratuar në maj 2019. Në konkluzionet e qershorit 2019, Këshilli mori parasysh rekomandimin e Komisionit.
Në mars 2020, anëtarët e Këshillit Evropian miratuan vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, dhe në korrik 2020 u prezantuan për shtetet anëtare kornizat e para negocuese. Në korrik 2022, u mbajt Konferenca Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Komisioni nisi procesin e shqyrtimit (screening).
Në korrik 2022, Komisioni nisi procesin e screening-ut, i cili po ecën pa pengesa. Në korrik 2023, Komisioni Evropian i paraqiti Këshillit raportin e screening-ut për Grupin 1, ”Themeloret”, duke përfshirë edhe kriteret për hapjen e negociatave për këtë grup kapitujsh.
Raporti i zgjerimit dhe perspektiva mbi Shqipërinë
Në raportin e zgjerimit të publikuar në fillim të këtij muaji, Komisioni Europian nënvizonte se ”Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm, me katër grupe (clusters) të hapura gjatë vitit të fundit. Përgatitjet për hapjen e grupit të fundit gjatë këtij viti janë në fazë të avancuar. Progres është arritur në fushat themelore, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tani nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur kriteret e ndërmjetme në kuadër të kapitujve themelorë, të cilat do të hapin rrugën për mbylljen e kapitujve të negociatave sapo të jenë kryer reformat e nevojshme sektoriale.
Arritja e objektivit të Shqipërisë për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 varet nga ruajtja e ritmit të reformave dhe nxitja e një dialogu politik gjithëpërfshirës. Nëse ritmi i reformave mbahet, Shqipëria është në rrugë të mbarë për të përmbushur këtë objektiv ambicioz.’‘
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.