Shkurti i këtij viti u rendit ndër muajt më të nxehtë të regjistruar globalisht, duke konfirmuar trendin e fortë të ndryshimeve klimatike që po ndikon gjithnjë e më shumë në rajonin e Mesdheut, përfshirë edhe vendin tonë. Temperatura mesatare globale e këtij muaji arriti 1.49°C, shumë pranë kufirin kritik të ngrohjes globale.
Sipas analizave të publikuara nga Copernicus Climate Change Service, temperatura mesatare globale e ajrit në sipërfaqe gjatë shkurtit 2026 arriti në rreth 13.26°C. Kjo është rreth 0.53°C më e lartë se mesatarja klimatike e periudhës 1991–2020 dhe e rendit këtë muaj si shkurtin e pestë më të ngrohtë të regjistruar në historinë e matjeve moderne.
Kur krahasohet me periudhën para-industriale të viteve 1850–1900, temperatura globale rezulton rreth 1.49°C më e lartë, një tregues që bota po afrohet gjithnjë e më shumë me kufirin kritik të ngrohjes globale. Në pamje të parë, shkurti i vitit 2026 ishte pak më i freskët se mesatarja klimatike për kontinentin. Temperatura mesatare në Kontinentin Evropian ishte rreth –0.07°C, rreth 0.10°C më e ulët se mesatarja e periudhës 1991–2020. Ky fakt e rendit muajin ndër tre shkurtet më të freskët të 14 viteve të fundit në Europë.
Në realitet, Evropa përjetoi kontraste shumë të forta temperaturash. Rajonet perëndimore, jugore dhe juglindore të kontinentit, zonat mesdhetare përfshirë dhe vendin tonë, regjistruan temperatura mbi mesataren sezonale. Zonat veriore si Fennoskandia, shtetet baltike dhe veriperëndimi i Rusisë përjetuan kushte më të ftohta se zakonisht për të dytin muaj radhazi. Kjo ndarje klimatike tregon se ndryshimet klimatike nuk manifestohen në mënyrë uniforme; ndërsa disa rajone përjetojnë ngrohje të fortë, të tjera mund të kenë periudha më të ftohta për shkak të ndryshimeve në qarkullimin atmosferik.
Lexo edhe: Ndarja në burim e mbetjeve dhe riciklimi, qeveria vendos afate për njësitë vendore
Kur analizohet i gjithë sezoni i dimrit në hemisferën veriore, nga dhjetori 2025 deri në shkurt 2026, rezulton se temperatura mesatare globale ishte rreth 0.51°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020. Kjo e rendit këtë dimër si të pestin më të ngrohtë të regjistruar në nivel global. Në Europë, temperatura mesatare e dimrit ishte rreth 0.09°C mbi mesataren klimatike, megjithëse kontinenti përjetoi kontraste të mëdha rajonale.
Një tjetër tregues i rëndësishëm i ngrohjes së klimës vjen nga temperaturat e sipërfaqes së deteve. Deti Mesdhe ka shfaqur temperatura më të larta se mesatarja, një zhvillim që sipas ekspertëve mund të ndikojë në intensitetin e stuhive dhe në shpërndarjen e reshjeve në rajon.
Në javën e fundit të muajit shkurt, temperatura e sipërfaqes së detit paraqet devijime pozitive pothuajse në të gjithë pellgun e Mesdheut, në intervalin nga 0.2 deri në 1.5°C krahasuar me periudhën klimatike referente 1991–2020. Megjithatë, Deti Adriatik dhe deti Jon shfaqen devijime dukshëm më të larta, në intervalin nga 1.4 deri në 1.5°C. Këto temperatura relativisht të rritura janë një vazhdim i trendit në rritje të temperaturës mesatare të Mesdheut që nga fillimi i vitit, sipas matjeve satelitore.
Veçanërisht në Atlantikun e Veriut subtropikal janë regjistruar temperatura rekord për këtë periudhë të vitit, ndërsa edhe në shumë pjesë të Oqeanit Paqësor janë vërejtur anomali të ngrohta. Pikërisht ky kontrast temperaturash në Atlantik gjatë dimrit krijoi kushte të favorshme për zhvillimin e sistemeve atmosferike dhe stuhive që arritën në Evropë. Kur dallimet midis zonave të ngrohta dhe të ftohta në sipërfaqen e detit bëhen më të theksuara, ato mund të nxisin procese atmosferike më të forta, duke ndikuar në motin e kontinentit.
Për rajonin e Mesdheut, këto zhvillime klimatike kanë një rëndësi të veçantë. Shumë studime shkencore e konsiderojnë Mesdheun si një nga “pikat e nxehta” të ndryshimeve klimatike në botë. Rritja e temperaturave dhe ndryshimet në reshje po ndikojnë drejtpërdrejt në bujqësi, burimet ujore, biodiversitetin dhe sistemet energjitike.
Nëse temperaturat globale vazhdojnë të rriten me ritmet aktuale, rajoni i Mesdheut mund të përballet në dekadat e ardhshme me periudha më të gjata thatësire, me rritje të temperaturave ekstreme dhe me presion më të madh mbi burimet ujore.
Sipas analizave klimatike, temperatura mesatare globale për 12 muajt e fundit, nga marsi 2025 deri në shkurt 2026, ishte rreth 1.44°C mbi nivelin para-industrial. Ky nivel është shumë pranë kufirit 1.5°C të vendosur në Marrëveshjen e Parisit, një prag që shkencëtarët e konsiderojnë kritik për të shmangur pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto