Sejko takim me Bloomberg, thekson forcimin e sektorit financiar dhe klimën pozitive ekonomike - Business Magazine Albania

Sejko takim me Bloomberg, thekson forcimin e sektorit financiar dhe klimën pozitive ekonomike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me ekipin e Bloomberg News* të kryesuar nga Shefi i zyrës së tij në Varshavë, njëkohësisht dhe Team Leader-i për Evropën Lindore, z. Piotr Skolimowski, dhe zj. Gresa Kraja, reportere pranë Bloomberg.

Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e Bloomberg me zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare në vend. Ai u shpreh se veprimtaria e sektorit financiar është rritur në mënyrë të qëndrueshme; zhvillimet ekonomike kanë qenë pozitive, të ndikuara nga ecuria e mirë e konsumit dhe investimeve, si dhe performanca e fortë e sektorit të turizmit. Guvernatori shtoi se politika monetare e kujdesshme dhe konsistente e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, ka pasur një kontribut pozitiv në këto zhvillime. Ajo ka mundësuar kthimin e inflacionit pranë objektivit, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike dhe stabilitetin financiar, si dhe ka gjeneruar një ambient financiar të qetë, me kushte të favorshme financiare dhe kreditim në rritje. Presionet inflacioniste kanë ardhur në rënie, ndaj Banka e Shqipërisë ka lehtësuar politikën e saj monetare.

Lidhur me perspektivën ekonomike, Guvernatori theksoi se ajo mbetet pozitive. Rritja e ekonomisë pritet të mbetet e qëndrueshme dhe inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3% gjatë vitit 2025. Kjo ecuri do të ndihmohet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit. Megjithatë, vazhdimi i tensioneve gjeopolitike dhe pasiguria në lidhje me politikat tregtare dhe ekonomike, mund të kenë implikime të rëndësishme për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti.

Guvernatori i vlerësoi përfaqësuesit e Bloomberg për punën e tyre në përcjelljen e kujdesshme dhe të përgjegjshme të lajmeve që lidhen me ekonominë dhe sistemin financiar. Ai vuri në dukje se falë profesionalizmit të gazetarëve është rritur ndjeshëm cilësia dhe analiza e lajmit ekonomik. Mediat kanë përcjellë me transparencë dhe vërtetësi vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar, duke ndihmuar kështu në përmbushjen e objektivave të saj.

Përfaqësuesit e Bloomberg u shprehën se ata i kushtojnë një rëndësi të veçantë të dhënave ekonomike dhe nënvizuan se bankat qendrore janë kontribuuese të pa zëvendësueshme për funksionimin e ekonomive moderne. Institucionet financiare ofrojnë shërbime thelbësore për administrimin e kursimeve dhe kreditimin e individëve e të bizneseve, si dhe u ofrojnë atyre produkte investimi që i ndihmojnë të planifikojnë dhe ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

*Bloomberg është një kompani globale që ofron shërbime financiare dhe informacion në kohë reale, duke përfshirë lajme ekonomike, analiza financiare, të dhëna për tregjet, si dhe mjete të nevojshme për menaxhimin e investimeve. Ajo përdoret nga profesionistët e financave për të analizuar të dhënat e tregjeve dhe për të marrë vendime investimi. Bloomberg menaxhon një portal lajmesh (bloomberg.com), me lajme dhe analiza për ekonominë, biznesin, politikën, dhe industrinë e financave, dhe ofron shërbim të produkteve mediatike dhe teknologjike. Ai përbën një nga burimet më të rëndësishme të informacionit dhe analitikës financiare për profesionistët globalë.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0