Sam Altman reagon ashpër ndaj reklamave të Claude gjatë Super Bowl-it - Business Magazine Albania

Sam Altman reagon ashpër ndaj reklamave të Claude gjatë Super Bowl-it

Reklama e Anthropic gjatë Super Bowl-it, një nga katër spotet publicitare që kompania publikoi të mërkurën, nis me fjalën “TRADHTI” të shfaqur me shkronja të mëdha në ekran. Kamera fokusohet te një burrë që i kërkon sinqerisht këshilla një chatbot-i (qartësisht i ngjashëm me ChatGPT-në) se si të flasë me nënën e tij.

Chatbot-i, i portretizuar nga një grua bionde, i jep disa këshilla klasike: dëgjo më shumë, provo një shëtitje në natyrë… por më pas biseda kthehet papritur në një reklamë për një faqe fiktive takimesh për të moshuar, të quajtur “Golden Encounters”.

Në fund, Anthropic thekson se, ndonëse reklamat do të hyjnë në botën e inteligjencës artificiale, ato nuk do të shfaqen në chatbot-in e saj, Claude. Një tjetër reklamë paraqet një djalë të ri që kërkon ndihmë për të ndërtuar muskuj abdominalë. Pasi jep të dhënat e tij fizike, chatbot-i i sugjeron… shtroja këpucësh që rrisin gjatësinë. Këto reklama janë të drejtuara qartë ndaj përdoruesve të OpenAI, pas njoftimit se ChatGPT do të përfshijë reklama në versionin falas. Ato krijuan menjëherë reagime të forta në media, duke u cilësuar si tallëse dhe provokuese ndaj OpenAI.

Reklamat ishin aq argëtuese, sa vetë Sam Altman pranoi në rrjetin X se i kishte parë me humor. Megjithatë, reagimi i tij tregoi se nuk i kishte marrë aq lehtë. Ai publikoi një postim shumë të gjatë, ku akuzoi rivalin për “mungesë ndershmërie” dhe “qasje autoritare”. Në reagimin e tij, Altman shpjegoi se modeli me reklama synon të mbulojë kostot e ofrimit falas të ChatGPT për miliona përdorues. Sipas tij, ChatGPT mbetet chatbot-i më i përdorur në botë. Por ai këmbënguli se reklamat e Anthropic janë mashtruese, pasi lënë të kuptohet se ChatGPT do të ndërpresë bisedat për të futur reklama të papërshtatshme.

Lexo edhe: 10 reklamat më të mira të Super Bowl 2026

“Ne kurrë nuk do të shfaqnim reklama në mënyrën që përshkruan Anthropic,” shkroi Altman. “Nuk jemi budallenj dhe e dimë që përdoruesit nuk do ta pranonin këtë.”

OpenAI ka premtuar se reklamat do të jenë të ndara, të etiketuara qartë dhe nuk do të ndikojnë në përmbajtjen e bisedës. Megjithatë, kompania ka deklaruar se ato do të lidhen me temën e diskutimit. Në blogun e tij, OpenAI shkruan: “Planifikojmë të testojmë reklama në fund të përgjigjeve, kur ka një produkt apo shërbim të sponsorizuar që lidhet me bisedën aktuale.”

Kjo është pikërisht pika që Anthropic synon të kritikojë në reklamat e saj. Altman gjithashtu akuzoi rivalin se ofron produkte të shtrenjta vetëm për njerëzit e pasur. “Anthropic shërben një produkt të shtrenjtë për elitën,” shkroi ai. “Ne duam ta bëjmë AI-në të aksesueshme për miliarda njerëz.” Por në realitet, edhe Claude ka versione falas dhe me pagesë: 0, 17, 100 dhe 200 dollarë. Ndërsa ChatGPT ofrohet me 0, 8, 20 dhe 200 dollarë. Diferencat janë minimale. Ai pretendoi gjithashtu se Anthropic përpiqet të kontrollojë mënyrën se si njerëzit përdorin AI-në, duke bllokuar disa kompani dhe duke vendosur kufizime strikte. Është e vërtetë që Anthropic është pozicionuar që në fillim si kompani e “AI-së së përgjegjshme”, e themeluar nga ish-punonjës të OpenAI që kishin shqetësime për sigurinë.

Megjithatë, të dyja kompanitë kanë politika përdorimi, masa mbrojtëse dhe kufizime për përmbajtje të ndjeshme. Për shembull, OpenAI lejon disa forma përmbajtjeje erotike, ndërsa Anthropic jo, por të dyja kufizojnë temat që lidhen me shëndetin mendor. Altman e çoi debatin në ekstrem kur e quajti Anthropic “autoritar”. “Një kompani autoritare nuk mund të na çojë drejt së ardhmes. Është një rrugë e errët,” shkroi ai. Përdorimi i termit “autoritar” për shkak të një reklame satirike gjatë Super Bowl-it duket i tepruar. Sidomos në një kontekst global ku protestuesit në shumë vende po përballen me dhunë shtetërore.

Edhe pse rivalët kanë përdorur gjithmonë reklamat për të sulmuar njëri-tjetrin, këtë herë duket se Anthropic preku një nerv të ndjeshëm.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0