Maratona e Tiranës është pa dyshim ngjarja më e rëndësishme sportive e vitit në kryeqytet. Por përveç garës dhe emocioneve sportive, ajo është bërë edhe një platformë solidariteti, ku organizata të ndryshme përdorin këtë eveniment për të ngritur zërin dhe për të mbështetur kauza që prekin zemrat e qytetarëve.
Prej pesë vitesh, Fondacioni Down Syndrome Albania (DSA) është pjesë e këtij eventi përmes fushatës #RunForDSA – “Garo, Mbështet si Maratonomak”, që zhvillohet çdo tetor, muaj i ndërgjegjësimit dhe avokimit për sindromën Down.
Qëllimi i fushatës është të rrisë ndërgjegjësimin për personat me aftësi të kufizuara dhe njëkohësisht të mbledhë fonde për të financuar shërbimet terapeutike që Fondacioni ofron për fëmijët me sindromën Down, ato në spektrin e Autizmit apo me sfida të tjera zhvillimore. Për DSA-në, kjo fushatë ka rëndësi jetike, pasi rreth 80% e familjeve të fëmijëve përfitues nuk kanë mundësi financiare për të përballuar kostot e shërbimit.
Në këtë jubile të 5-vjetorit të #RunForDSA, Fondacioni synonte të angazhonte 500 garues dhe të mblidhte 50,000 euro. Rezultatet e këtij viti i tejkaluan pritshmëritë: 527 garues (përfshirë dhe ekipet prej 165 garues të Balfin Group dhe 41 nga Abi Bank dhe NOA) vrapuan me logon e DSA në bluzat e tyre më 19 tetor në Maratonën e Tiranës, duke ndihmuar Fondacionin të mbledhë 45,185 euro – një sukses i madh si në numër pjesëmarrësish, ashtu edhe në fonde të mbledhura. Ekipi #RunForDSA fitoi dhe çmimin „Grupi me pjesëmarrjen më të madhe të garuesëve” me vlerë 500 euro i akorduar nga organizatorët e Maratonës së Tiranës.
Këto arritje marrin vlerë të veçantë në një vit të vështirë financiar për Fondacionin, për shkak të mungesës së granteve për shërbimet terapeutike. Kompanitë me dhurime të konsiderueshme ishin:
- PwC Albania – Dhurues i Artë
- Merril Lynch dhe Sisal Hub Albania – Dhurues të Argjendtë (me Sisal Hub që solli edhe ekipin më të madh pjesëmarrës)
- Credins Bank – Dhurues i Bronztë
- Rent From Locals
- Concentrix
- Fibank Albania
- Sigal Invest
- Inditex Albania
- Mektrin
- Alumil
Ndër kompanitë e tjera mbështetëse që u përfshinë me dhurime ishin dhe EasyPay, Sicred, Ultra Post, Hako, Axians Albania, Agral, Vëllezërit Gjata, Best Seller, Geah Belle, Mega Brands, Gatuaj me Xhenin, Fashion Store Shkoder, Ferma Ime, Century 21 Astoria, Shtëpia e Lodrave, Raelna si dhe bizneset e dy emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Londër – D’Emilia Barbers dhe Disios Motor Services.
Organizata NGO Finance Hub kontribuoi gjithashtu për mbledhjen e fondeve, përmes hapjes së një faqeje të dedikuar në GoFundMe ku dhuruan me dhjetra qytetarë.
Fushata gëzon mbështetje edhe nga partnerë që ndihmojnë në uljen e kostove dhe promovimin e saj: DBS Group (që prodhon bluzat falas), BEA Marketing and Promotion dhe Business Magazine.
Një element i veçantë i #RunForDSA janë dhe garuesit me maskota, ide kjo e ideatorit të kësaj fushate, Daniel Nikolla, një emigrant shqiptar dhe marketer i suksesshëm në Mbretërinë e Bashkuar me kompaninë Merx Marketing, i cili sjell gjithmonë energji dhe kreativitet në mënyrën se si përcillet mesazhi i fushatës, për ta bërë kauzën të dukshme dhe virale në mediat sociale.
Aktualisht, Fondacioni Down Syndrome Albania u shërben 40 fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale, dhe apelon që shqiptarët, brenda e jashtë vendit, të bëhen mbështetës të rregullt të kauzës.
Në faqen e tyre zyrtare, tashmë mund të zgjidhet edhe opsioni për dhurime periodike mujore, për ta bërë kontributin më të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.