Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 649, datë 16 tetor 2024, që rregullon kushtet dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarisë së stacioneve të plazhit. Vendimi i ri synon të qartësojë rolet institucionale, të forcojë menaxhimin vendor dhe të balancojë interesin publik me aktivitetin privat në zonat bregdetare. Një nga ndryshimet kryesore lidhet me krijimin e një tipologjie të re plazhi, të quajtur “plazh publik i tarifuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore”. Këto hapësira do të administrohen drejtpërdrejt nga bashkitë ose nga ente të krijuara prej tyre dhe nuk mund të jepen me kontratë apo delegim për administrim subjekteve private.
Po ashtu, rregullorja zgjeron shtrirjen e saj territoriale, duke përfshirë për herë të parë plazhet buzë lumenjve, krahas atyre detare dhe liqenore. Ndryshimet i japin këshillave bashkiakë kompetencën për të miratuar çmime maksimale për shërbimet e stacioneve të plazhit, përpara fillimit të çdo sezoni turistik. Çmimet do të diferencohen sipas zonave bregdetare, duke u bazuar në nivelin e zhvillimit turistik, kërkesën, aksesin dhe standardin e shërbimit.
Lexo edhe: Krijohet Agjencia “Innovation4Albania”, nxitje inovacionit dhe startup-eve
Në rast se një bashki nuk miraton një vendim të tillë, çmimi maksimal do të dakordësohet mes njësisë vendore dhe subjektit privat, por do të jetë gjithsesi detyrues dhe i përfshirë në kontratë. Çdo tejkalim i këtij kufiri do të konsiderohet shkelje kontraktore dhe do të sjellë masa administrative apo zgjidhje të kontratës.
Rregulla më të forta për zhurmat dhe sezonin turistik
Vendimi përforcon gjithashtu detyrimet për respektimin e niveleve të lejuara të zhurmës në stacionet e plazhit. Bashkitë do të publikojnë plane vendore të detajuara për çdo plazh, ndërsa Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe strukturat e tjera shtetërore do të raportojnë dhe monitorojnë çdo ankesë.
Në të njëjtën kohë, rishikohet roli i Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik, i cili do të drejtohet nga ministri përgjegjës për turizmin dhe do të asistojë nga një task-forcë ndërinstitucionale, me përfaqësues nga disa ministri kyçe.
Përjashtime për zona specifike bregdetare
Vendimi parashikon përjashtime të veçanta për disa zona bregdetare në bashki si Fier, Divjakë, Vlorë, Rrogozhinë, Durrës, Himarë dhe Shkodër, ku mungojnë strukturat akomoduese pranë plazheve. Në këto raste, subjekteve u lejohet ushtrimi i aktivitetit me kushte të lehtësuara, por me një limit maksimal prej 50 çadrash.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.