Ne përdorim monologun e brendshëm, ku flasim me veten, për të vlerësuar situatat dhe për të marrë vendime më të sigurta. Një robot është trajnuar të thotë me zë të lartë procesin e tij të brendshëm të vendimmarrjes, duke na dhënë një pamje të qartë të mënyrës se si i jep përparësi kërkesave sfiduese.
Arianna Pipitone dhe Antonio Chella nga Universiteti i Palermo në Itali, programuan një robot humanoid me emrin Pepper, i bërë nga SoftBank Robotics në Japoni, me softuer që modelon proceset njohëse të njeriut, si dhe një përpunues që kthen tekstin në të folur. Kjo e lejoi Pepper të shprehte procesin e tij të vendimmarrjes gjatë përfundimit të një detyre.
Lexo: Teknologjia cloud po transformon shërbimet publike
-“Me monologun e brendshëm, ne mund të kuptojmë më mirë se çfarë roboti dëshiron të bëjë dhe cili është plani i tij”,- thotë Chella.
Softueri lejoi Pepper të marrë informacionin përkatës nga memoria e tij dhe të gjejë mënyrën e duhur për të vepruar bazuar në komandat njerëzore.
Studiuesit i kërkuan Pepper të shtronte një tryezë darke sipas rregullave të mirësjelljes që kishin koduar te roboti. Monologu i brendshëm u aktivizua ose u çaktivizua për të parë se si ndikonte në aftësinë e Pepper për të bërë atë që kërkohej.
Kur u udhëzua të vendoste një pecetë mbi një pirun me të folurin e brendshëm të aktivizuar, Pepper pyeti veten se çfarë kërkonin rregullat e mirësjelljes dhe arriti në përfundimin se kjo kërkesë ishte kundër rregullave që i ishin dhënë. Më pas i pyeti studiuesit nëse vendosja e pecetës në pirun ishte veprimi i duhur. Kur i thanë se ishte veprimi i duhur, Pepper tha: “Në rregull, unë preferoj të ndjek dëshirën tuaj” dhe shpjegoi se si do të vendoste pecetën mbi pirun.
Kur iu kërkua të bënte të njëjtën detyrë pa shprehur fjalimin e brendshëm, Pepper e dinte që kjo kundërshtonte rregullat e mirësjelljes, kështu që nuk e kreu detyrën dhe nuk shpjegoi pse.
“Monologu i brendshëm” është vetëm një program themelor aktualisht, thotë Pipitone. “Në këtë moment, është një rrëfim i procesit të Pepper”,- thotë ajo.
“Me potencialin që robotët të bëhen më të zakonshëm në të ardhmen, ky lloj programimi mund të ndihmojë publikun të kuptojnë aftësitë dhe kufizimet e tyre”,- thotë Sarah Sebo në Universitetin e Çikagos. “Ajo ruan besimin e njerëzve dhe mundëson bashkëpunime dhe ndërveprime të përsëritura midis njerëzve dhe robotëve”,- thotë ajo.
Sidoqoftë, ky eksperiment përdori vetëm një pjesëmarrës njerëzor, thotë Sebo. “Është e paqartë se si qasja e tyre do të ndryshonte në një gamë të gjerë të pjesëmarrësve njerëzorë”,- thotë ajo.
Lexo: ”Green pass” gati në 1 qershor, çfarë është certifikata për të udhëtuar lirisht
Pipitone thotë se të dëgjosh një robot që shpreh procesin e tij të vendimmarrjes rrit transparencën midis njerëzve dhe robotëve. Kjo mund të ketë aplikime në detyra bashkëpunuese, të tilla si ato me robotë mjekësorë dhe për të dalë nga situatat e ngërçit me robotët. “Mund të jetë shumë e rëndësishme të kuptohet përse një robot arrin në një vendim në vend të një tjetri”,- thotë ajo.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto