Qiratë ditore në Tiranë, taksa e re sipas të ardhurave - Business Magazine Albania

Qiratë ditore në Tiranë, taksa e re sipas të ardhurave

Sa kushton qiraja e një apartamenti me një dhomë gjumi në qendër të qytetit?

Të gjitha struktura akomoduese që funksionojnë me regjim ditor (B&B, bujtina) do të duhet të paguajnë taksën e infrastrukturës arsimore dhe tarifën e pastrimit, në varësi të qarkullimit vjetor. Një projektvendim “Për disa shtesa dhe ndryshime në sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranë” propozon shtimin për kategori të tjera biznesesh me qëllim llogaritjen e taksës së infrastrukturës arsimore dhe tarifën e pastrimit.

“Në zërin Hotele, motele të shtohet zëri “B&B”, bujtinë si strukturë akomoduese që funksionojnë me regjim ditor”, thuhet ne relacion. Më herët në këtë taksë përfshiheshin vetëm Hotelet e motelet (lekë/dhomë në vit).

Po si do të llogaritet detyrimi për tarifën vendore të pastrimit dhe taksën për Infrastrukturën Arsimore sipas ndarjes së xhiros për strukturat e qirasë ditore?

Sipas vendimit nr.158, datë 26.12.2019 “Për miratimin e sistemit të taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës” taksa për Infrastrukturën Arsimore dhe Tarifa e Pastrimit llogaritet si detyrim fiks vjetor, por ndryshon sipas kategorisë së xhiros së biznesit.

Deri tani për njësitë e shërbimit tarifa e pastrimit paguhet vetëm nga hotelet dhe motelet. Psh. Tarifa e pastrimit, për një biznes në kategorinë e njësisë së shërbimit hotele dhe motele me xhiro vjetore nga 0 deri 2 milionë lekë tarifa e pastrimit është 5,750 lekë në vit.

Lexo edhe: Bashkia e Tiranës propozon ulje 50% të taksave për gratë kryefamiljare me 3 fëmijë

Me propozimin e Bashkisë së Tiranës kjo taksë do të paguhet edhe nga strukturat e qirasë ditore Bed and Breakfest, apo siç njihen ndryshe B&B (ndryshe nga hotelet, B&B-të janë zakonisht biznese familjare ose private me pak dhoma) dhe nga bujtinat. Pra nëse xhiroja e tyre vjetore do të jetë deri në 2 milionë lekë detyrimi për tarifën e pastrimit do të 5,750 lekë në vit. Detyrimi do të jetë i njëjtë sa moteli dhe hoteli me xhiro vjetore 2 milionë lekë.

Për bizneset me xhiro nga 2 deri 8 milionë lekë tarifa e pastrimit fikse vjetore është 11,500 lekë. Plus tarifës fikse biznesi në këtë fashë xhiro, paguan plus edhe 1,150 lekë për dhomë. Pra nëse një hotel apo motel ka 5 dhoma ai paguan detyrimin vjetor prej 11,500 lekë si tarifa fikse vjetore + 5 dhoma x 1,150 tarifa/dhome =17,250 lekë në vit.

Edhe për bizneset e shërbimit, të përfshirë në kategorinë e xhiros mbi 8 milionë lekë tarifa e pastrimit llogaritet në të njëjtën formulë. Për këtë kategori taksa fikse vjetore është 34,500 lekë në vit. Ndërsa për dhomë është 1,725 lekë që i shtohet detyrimit prej 34,500 lekë.

Dhe për bizneset VIP tarifa e pastrimit për dhomë është 2,900 lekë plus tarifa fikse vjetore prej 69,000 në vit.

Ndërsa taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore për njësitë e shërbimit, me xhiro vjetore nga 0 deri 2 milionë lekë është 2,500 lekë në vit.

Për bizneset me xhiro nga 2 deri 8 milionë lekë është 4,000 lekë në vit. Për biznesi të kategorizuar në xhiro mbi 8 milionë lekë tarifa llogaritet 17,000 lekë në vit. Dhe për bizneset VIP taksa llogaritet 32,000.

Projektvendimi propozon gjithashtu ndryshime të tjera në aneksin 6, përkatësisht në kategorinë “Shitje me pakicë” nën zërin Shitje produktesh farmaceutike dhe të ngjashme me to (depo farmaceutike të regjistruara si biznes i vogël), të hiqet togfjalëshi (depo farmaceutike të regjistruara si biznes i vogël).

Depot farmaceutike, për shkak të volumit dhe tipologjisë së aktivitetit nuk mund të jenë të regjistruara në ndarjen e shitjes me pakicë. Propozohet heqjen nga ky zë duke e përfshirë në zërin: “Magazina, dyqane, depo farmaceutike etj., të cilat realizojnë shitje me shumicë”

Gjithashtu propozohet që te njësitë shërbimi marangoz, rrobaqepës, këpucar, floktore, orëndreqës etj të shtohen për saktësim edhe “bojaxhi dhe punime hidraulike të ngjashme me to” duke qenë se kjo kategori nuk mund të klasifikohet si subjekte ndërtimi.

Ndërsa në zërin: Institucionet jopublike të edukimit (shkollat, kopshtet apo çerdhet),shërbimet në klinikat e specialiteteve të ndryshme mjekësore, shërbimet në laboratorë diagnostifikimi etj në rastet kur nuk e kalojnë kufirin e regjistrimit në TVSH të hiqet pjesa e fundit pasi ndarja sipas xhiros dhe kategorisë VIP bie ndesh me këtë lloj formulimi.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0