“Qëndro gjithmonë i uritur”. Ergisa Bejkollari, nga sfida në sfidë: Shqipëria e së ardhmes, nevojë për një mentalitet të ri - Business Magazine Albania

“Qëndro gjithmonë i uritur”. Ergisa Bejkollari, nga sfida në sfidë: Shqipëria e së ardhmes, nevojë për një mentalitet të ri

Ergisa Bejkollari nuk është studentja tipike shqiptare jashtë vendit. Me studime dhe një karierrë shumëdimensionale në Shqipëri, nga gazetaria në telekomunikacion, pasioni i vërtetë i saj mbetet ekonomia.

Pasionin vendosi ta ndjekë me një specializim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Ergisa ka arritur që në Universitetin e Vanderbilt ku studion, të punësohet edhe si asistent-profesoreshë, në lëndët Mikro dhe Makroekonomi, një privilegj për një studente shqiptare. Edhe pse përtej oqeanit, Ergisa sërish mendon për vendin e saj, për rikthimin në të dhe për kontributin që dëshiron t’i japë zhvillimit të vendit tashmë bashkë me eksperiencën amerikane nga pas.

Ashtu si shumë të tjerë, marrja e vendimit për të studiuar jashtë vendit, edhe pse me një bursë të financuar nga Fondi Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim, nuk ishte aspak i lehtë. Ajo ndan me Business Magazine përvojën amerikane dhe mënyrat se si pret që një sistem i ri arsimor t’i japë avantazhet që ajo kërkon për të kryer transformimin e mentalitetit të biznesit në Shqipëri.

Ergisa pas disa viteve karierrë në Shqipëri ju erdhi një mundësi për të studiuar drejt Amerikës? Pse e morët këtë vendim dhe sa dyshime kishit me veten?

 Kur mësova se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim më kishte zgjedhur midis fituesve të bursës për shkollim në vitin 2021, isha në një moment kur isha rehatuar profesionalisht. Dhe në të gjithë rrugëtimin tim profesional, që kur kam nisur të punoj 19 vjeç, kam ndjerë që është pikërisht ky moment kur duhet ta ndërpresësh atë që po bën dhe të sfidosh veten tek diçka e re.

Arsyeja tjetër përse e mora vendimin është sepse doja të shkoja aty ku më çon pasioni: tek ekonomia dhe politikat që lidhen me të. Unë në Shqipëri kam provuar disa sektorë: nga media, telekomunikacioni e teknologjia. Kisha njohuri të mjaftueshme në biznes për të kuptuar që ajo që unë dua të bëj është në fakt një ndërlidhje midis biznesit dhe politikave ekonomike. Kjo edhe sepse kam bindjen që një ekonomi si Shqipëria, vetëm sipërmarrja private mund t’i japë hovin që i ka munguar, të paktën pas fundviteve ’90.

Zakonisht jemi mësuar që nga vendi largohen kryesisht familjet ose të rinjtë që nuk përfundojnë as universitetin. Por për ty ishte një rast ndryshe. Ti shkoje me eksperiencën e arsimit dhe të profesionit nga pas. Si ishte përballja me botën amerikane të studimit. Ku ndryshonte ajo nga Shqipëria?

Sistemi amerikan i studimit ka dy elementë që përbëjnë ndryshim thelbësor nga ai në Shqipëri: serioziteti me të cilin konsiderohen studentët dhe liria që u jepet për të kuptuar çfarë duan të bëjnë me veten, akademikisht dhe profesionalisht. Unë, dhe studentë të tjerë shqiptarë, vijmë nga një ambient ku fatkeqësisht, studenti nënvlerësohet në lidhje me potencialin që zotëron. Është në fakt një e metë e përgjithshme e shoqërisë tonë, ku rrallë herë ndodh që të njohësh njerëz që të motivojnë e të bëjnë të ndihesh se ke rëndësi e vlera.

Ndryshime të tjera lidhen padyshim me infrastrukturën, por kjo nuk ishte e papritur për mua. Një sistem edukimi nuk mund të jetë më i mirë sesa politika apo ekonomia e një vendi. Është në fakt pikërisht ky sistem edukimi që në afatgjatë prodhon këto pasoja në ekonomi e politikë. Teoria ë kapitalit njerëzor, një nga teoritë më të rëndësishme të shkencave sociale, thotë pikërisht këtë: investimi ose jo-investimi në edukim, sjell efektet më të dukshme afatgjata në ekonominë e një vendi. Pikërisht në këtë teori vende të tjera kanë bazuar planet e tyre për rialokimin e shpenzimeve publike nga sektorë si transporti tek edukimi për shembull. Dhe duke patur parasysh, që në Shqipëri buxheti për arsim tkurret çdo vit, unë nuk u surprizova. Gjithsesi, duke parë iniciativat e vetë universiteteve, i lejoj vetes shpresën dhe optimizmin që të gjithë së bashku do e ndryshojmë këtë sistem.

A ndiheshe e pabarabartë me studentët nga Amerika apo vende të tjera të botës?

Po ndihesha dhe ende ndihem, pas thuajse dy viteve. Jo vetëm në krahasim me studentët vendas, por edhe me studentët nga shtete të tjera. Megjithatë, nuk e kam lejuar në asnjë moment që kjo të ndikonte tek unë. Përkundrazi, ka qenë kjo forca ime që më bënte të punoja disa herë më shumë dhe ndërkohë punoja më shumë, forcohesha më shumë. Patjetër që ndjen një revoltë të brendshme kur sheh për shembull sesi India apo Koreja e Jugut investon tek mijëra studentë çdo vit për t’u shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për rikthyer pastaj në pozicione të rëndësishme në administratë. Apo sesi Pakistani, Egjipti e vende të tjera i japin një rëndësi të madhe matematikës, statistikës e lëndëve të tjera duke e ditur rëndësinë që ato kanë për profesionet e së ardhmes, teknologjia psh, apo për studimet e thelluar akademike si doktoratura.

Si mund ta përmbledhësh rrugëtimin tënd në Amerikë nga fillimi i studimeve deri në fillimin e punës tënde të re si asistent profesore. Pengesat e hasura gjatë procesit dhe momentet kur ke menduar të dorëzohesh?

Kam menduar shumë shpesh të dorëzohem. Madje, kanë qenë pikërisht ato momente kur kam marrë nën kontroll veten 100% dhe jam munduar ta trajtoj veten time si shoqe. Kam ardhur si një njeri që i ushtronte vetes presion te jashtëzakonshëm për të qenë më e mira. Por, kam arritur të zbuloj tek vetja një mekanizëm që më ndihmoi t’i bëja gjërat hap pas hapi, ashtu siç duhen bërë. Shkathtësia dhe ambicia janë elementë pozitivë vetëm kur i ke nën kontroll.

Çfarë ka zbuluar Ergisa rreth karakterit të saj në një ambient të huaj?

E zakonshmja është që në një ambient të ri të mësosh të jesh më i hapur, i shpejtë, fleksibël dhe i fortë, por unë këto i kisha mësuar në Shqipëri. As Shqipëria nuk është një ambient i lehtë për të rinjtë si unë, vëllai im e të tjerë të rinj që njoh, sidomos kur nuk vjen nga një shtresë e privilegjuar dhe kur prindërit të mësojnë si gjë të parë respektin për punën. Kështu që duke qenë e shpejtë dhe e patrembur, Amerika më mësoi të kundërtën: të duroja dhe të dëgjoja më shumë. Mendoj se kisha nevojë për të dyja dhe se në fushën time, tepër shkencore, janë thelbësore.

Cila ka qenë sfida që të ka zhvilluar më shumë?

E gjithë eksperienca ne tërësi ka qenë një sfidë që më ka zhvilluar më shumë por nëse do flisja për drejtimin në të cilin jam zhvilluar do thoja në atë shkencor. Unë kam ardhur këtu me njohuri në biznes, politikë e marrëdhënie me publikun, por zbulova pasionin për kërkimin shkencor dhe akademinë.

A është ambienti në Shqipëri, sfidues mjaftueshëm për t’i nxjerrë të rinjve më të mirën nga vetja.

Ambjenti në Shqipëri i sfidon të rinjtë në aspektin karakterial dhe njerëzor, por jo në aspektin akademik. Nuk më pëlqen të përgjithësoj sepse eksperiencat janë unike, por mendoj se vjetrimi i materialeve dhe metodave me të cilat shpjegohet, sidomos në universitete, krijon një prapambetje tek studentët shqiptarë. Kjo në anën tjetër zhvillon aspektin karakterial sepse identifikohen lehtësisht ata që kërkojnë të dinë më shumë, ata që mësojnë shpejt dhe ata që guxojnë. Megjithatë, unë nuk do doja që guximtarët dhe kuriozët të ishin përjashtimi. Do doja të ishin rregulli.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0