Pushime jashtëtokësore? Hoteli i parë në hapësirë mund të hapet deri në vitin 2027 - Business Magazine Albania

Pushime jashtëtokësore? Hoteli i parë në hapësirë mund të hapet deri në vitin 2027

Pushime jashtëtokësore? Hoteli i parë në hapësirë mund të hapet deri në vitin 2027

Kur përmendim fjalën “pushime”, mendja na shkon te plazhet , pistat e skive që shkëlqejnë, autostradat e gjata apo parqet argëtuese. Por rrallëkush mendon për udhëtime kozmike në rrota gjigante rrotulluese apo për pamje që zbulojnë harkun e gjerë të Tokës nga lartësia, megjithatë, kjo mund të ndryshojë shumë shpejt. Gjashtë dekada pas nisjes së Epokës Hapësinore, ajo po kalon gjithnjë e më shumë në fazën komerciale, duke i mundësuar edhe individëve privatë të udhëtojnë përtej atmosferës së Tokës. Vetëm në muajt e fundit, miliarderët Jeff Bezos dhe Richard Branson kanë realizuar udhëtime që shkojnë ose arrijnë kufirin e vijës Kármán,  pika ku mbaron atmosfera e Tokës dhe fillon hapësira. Me klientë të këtij niveli, duket se epoka e udhëtimeve për kënaqësi në hapësirë është afër, madje edhe për arratisje disa-ditore.

Për ta bërë të mundur një eksperiencë të tillë, startup-i nga Sacramento, Orbital Assembly Corporation (OAC), ka njoftuar planet për hapjen e një hoteli në hapësirë deri në vitin 2027. I pari i këtij lloji, Voyager Station do të jetë një resort luksoz i projektuar për të akomoduar 280 vizitorë dhe 112 anëtarë ekuipazhi, me një restorant, bar, sallë koncertesh, palestër dhe madje edhe kinema. Nëse kjo duket e pabesueshme, arkitekti dhe zëvendëspresidenti i OAC, Tim Alatorre, e kupton skepticizmin. Por sipas tij, shumë shpejt kjo do të bëhet pjesë e zakonshme e jetës sonë. “Mendoj se do të jetë normale që mamaja jote ka qenë në hapësirë, babai yt gjithashtu,” thotë ai. “Të jesh astronaut nuk do të jetë më diçka e veçantë, sepse të gjithë do ta kenë provuar.”

Pushimet ndërplanetare

Për momentin, kjo ide mbetet thellësisht e re dhe ende një ëndërr e lashtë njerëzore. Prej shekujsh, udhëtimi në hapësirë ka frymëzuar breza të tërë. Struktura bazë e Voyager-it bazohet në koncepte të zhvilluara që prej fillimit të shekullit XX për kolonizimin e hapësirës. Rrota rrotulluese, e konceptuar në vitet 1900 për të krijuar gravitet artificial, u popullarizua në vitet 1950 nga shkencëtari gjerman Wernher von Braun (stacioni fillimisht mban emrin e tij). Falë forcës centrifugale që krijon, vizitorët do të mund të lëvizin në mënyrë normale. Siç thuhet në faqen zyrtare të OAC: “Ne ofrojmë gravitet.” Fillimisht, niveli i gravitetit do të jetë i ngjashëm me atë të Hënës, rreth një e gjashta e Tokës — që do të thotë rreth një rrotullim e gjysmë në minutë. Alatorre shprehet se synojnë ta rrisin gradualisht deri në nivelin e Marsit (një e treta e Tokës) dhe në fund të simulojnë gravitetin e plotë tokësor. Por duke qenë se ka ende pak kërkime mbi adaptimin e trupit të njeriut në gravitet artificial, duan të studiojnë mirë reagimin fizik të mysafirëve para se të rrisin forcën G. Sidoqoftë, për shumë persona, kjo ndjesi “lunare” është pjesë e tërheqjes. Personat me aftësi të kufizuara do të përballen me më pak barriera fizike, ndërsa të tjerët do të ndihen si superatletë. Alatorre shpreson që do të ketë “shumë video fantastike në YouTube”. Pasi të nisen nga Toka, vizitorët do të mbërrijnë në një qendër ndërlidhëse pa gravitet. Prej andej, ashensorë do t’i çojnë drejt një zinxhiri “modulësh banimi” të vendosura përgjatë perimetrit të stacionit rrotullues. Vetëm në skajin e kësaj rrote forca centrifugale do të jetë mjaftueshëm e fortë për t’i mbajtur vizitorët në tokë.

Lexo edhe:Shtëpi fluturuese! Projekti i ri i Japonisë për tu siguruar nga tërmetet

Një resort si asnjë tjetër

Modulet banimi përfshijnë një sipërfaqe totale prej 125,000 metrash katrorë, ku do të gjenden të gjitha shërbimet e një resorti luksoz në qiell: nga palestra e deri te një kinema në hapësirë. Mysafirët do të ngrejnë pesha të mëdha pa mundim, do të provojnë një “slam dunk”, do të shijojnë koncerte live, do të hanë ushqime tradicionale astronautësh si Tang dhe akullore të thatë, përveç kuzhinave nga e gjithë bota. Dhe mbi të gjitha — pamja. Asnjë resort në Tokë nuk mund të krahasohet me panoramën që ofron Voyager: një pamje magjepsëse e një pjese të Tokës blu, të gjelbër dhe të bardhë që harkohet mbi sfondin e zezë të hapësirës.

Çmimi i të qenit astronaut

Në faqen zyrtare të kompanisë thuhet: “Bëhu një nga njerëzit e parë që kalojnë pushimet në një stacion hapësinor luksoz. Bëhu pjesë e historisë.” Si të ishte një pronë në Aspen apo Palm Beach, faqja ofron edhe qira afatshkurtra dhe afatgjata për vila luksoze, hapësira tregtare apo industriale — një lojë fjalësh e qëllimshme. Por kush janë klientët potencialë? Çmimi i një udhëtimi të tillë mbetet ende shumë i lartë. Oliver Daemen, për shembull, pagoi 28 milionë dollarë për të udhëtuar përkrah Bezos, dhe kjo është në fundin më të ulët të çmimeve historike. Për momentin, vetëm më të pasurit në botë mund ta përballojnë këtë eksperiencë. Por Alatorre thekson: “Ne duam që kjo të jetë një zgjedhje e thjeshtë: të shkosh në Paris apo në hapësirë për një javë — të jetë çështje preferencash, jo parash.” Synimi i kompanisë është që çmimi i qëndrimit në hotel të krahasohet me një biletë udhëtimi me anije turistike. Ai shton se, në të vërtetë, “resorti është i lirë, është fluturimi që është i shtrenjtë”. Por me zhvillimin e teknologjive më të avancuara për nisje, siç janë raketat Starship dhe Super Heavy nga kompania e Elon Musk, SpaceX, pritet që kostoja për kilogram të transportuar në orbitë të ulet ndjeshëm.

Nga teoria në realitet

Nëse një projekt i kësaj përmase duket ambicioz, kjo është sepse vërtet është. SpaceX, e cila për momentin nuk ka lidhje zyrtare me OAC, i bëri një përshëndetje startup-it në Instagram në mars, duke përfunduar me një dozë skepticizmi: “Mbase @spacex do të mund të ofrojë një biletë vajtje-ardhje deri atëherë? Jemi kuriozë të shohim nëse ky plan do të bëhet realitet.” Alatorre pranon se partnerët dhe investitorët kanë të drejtë të jenë të kujdesshëm. Por nga ana tjetër, të gjitha treguesit flasin për një rritje të shpejtë të tregut hapësinor. ISS (Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor), i cili ka 23 vjet në funksion, po i afrohet fundit të misionit, ndërsa disa kompani po synojnë të zëvendësojnë boshllëkun e tij me projekte të reja. Axiom Space ka një kontratë me NASA për të ndërtuar një modul destinacioni që do të bashkëngjitet me ISS dhe më vonë do të bëhet një stacion i pavarur komercial. Muajin e kaluar, Sierra Space dhe Blue Origin (pjesë e perandorisë Bezos) njoftuan projektin Orbital Reef, një stacion për përdorim të përzier që synohet të lëshohet deri në fund të dekadës. Megjithatë, Voyager mbetet i vetmi që fokusohet ekskluzivisht te turizmi hapësinor. Në fund të ditës, Alatorre shprehet optimist: “Nuk ka asgjë teknologjikisht që na pengon. Është vetëm çështje kohe dhe fondesh — dhe ne mund t’i kapërcejmë.”

bedroomhr

 

astronomy

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0