Të thuash “më fal” është e lehtë. Është vetëm një fjalë, dy rrokje. Mund ta thuash më shpejt se sa teshtin. Por ta thuash me kuptim të thellë është një tjetër histori. Sipas një studimi nga platforma e të mësuarit të gjuhëve Babbel, britanikët përdorin fjalën “sorry” për 15 qëllime të ndryshme dhe vetëm një prej tyre ka lidhje me ndjesën e sinqertë.
E përdorim për t’u kërkuar të tjerëve të na hapin rrugën, për të kërkuar që të na përsërisin diçka, për të treguar empati, për të shprehur mosbesim, për të kundërshtuar, madje edhe për të ironizuar. Dhe në rastin e britanikëve, për të filluar pothuajse çdo fjali. “Në anglishten britanike, ‘sorry’ është shndërruar nga një shprehje ndjeseje në një mjet komunikimi të gjithanshëm,” shpjegon Noël Wolf, eksperte kulturore dhe gjuhësore në Babbel. Sipas saj, përdorimi mesatar është nëntë herë në ditë. “Në një kulturë ku drejtpërdrejtësia perceptohet si e pasjellshme, dhe hapësira personale mbrohet me fanatizëm, ‘sorry’ shërben për të shmangur konfliktin dhe për të mbajtur ekuilibrin shoqëror.”
Por, për shkak të përdorimit të tepruar, kjo fjalë ka humbur peshën e saj reale. Dhe kur na nevojitet të kërkojmë ndjesë me të vërtetë, nuk dimë si ta bëjmë. A mund të jemi realisht të penduar, nëse s’e dimë më si të kërkojmë ndjesë? A ka më vlerë fjala “më fal” në një kohë kur e përdorim për çdo gjë? Këto pyetje ngrihen edhe nga autorët Marjorie Ingall dhe Susan McCarthy në librin Getting to Sorry: The Art of Apology at Work and at Home, ku analizojnë pse jemi kaq të paaftë të kërkojmë falje si në jetën personale, ashtu edhe në atë profesionale, dhe si kjo na pengon të ndërtojmë marrëdhënie të shëndetshme. Një nga pikat kyçe të librit është ndikimi i “faljeve të famshme”, deklarata publike të bëra në rrjetet sociale ose nga përfaqësues të figurave publike, që synojnë të ruajnë imazhin e tyre, shpesh duke minimizuar apo mohuar gabimet. E kemi parë këtë me Drew Barrymore, Lena Dunham, Ashton Kutcher, Mila Kunis dhe shumë politikanë britanikë. Këto “falje” janë të sterra-analizuara nga PR, ose në raste të tjera, kaq të dobëta sa kthehen në meme virale. “Këto falje fokusohen më shumë te personi që kërkon ndjesë sesa tek ai që është lënduar,” thotë Ingall. “Shpesh nuk specifikohet se për çfarë kërkohet ndjesë, duke krijuar përshtypjen se është një manovër për të shmangur përgjegjësinë.”
Lexo edhe:BE ndryshon sërish rregullat për fluturime. Ja çfarë ka të re!
Si pasojë, kemi krijuar një model ku kërkimi i ndjesës është më shumë një mjet për të dalë “hero” nga një situatë ku kemi qenë në fakt “fajtori”. Kjo vetëmbrojtje mendore sjell shprehje si: “Më vjen keq nëse u ndjeve i/e lënduar” ose “Më vjen keq që e ke kuptuar kështu” – fraza që nuk marrin aspak përgjegjësi. “Kjo lidhet me mënyrën se si truri ynë kërkon të ruajë imazhin që kemi për veten si persona të mirë,” shton Ingall. “Kur përballemi me faktin se kemi bërë diçka të gabuar, truri ynë kërkon justifikime për të ruajtur identitetin tonë pozitiv.” Sipas psikologes klinike Dr Jenna Vyas-Lee, kërkimi i ndjesës mund të jetë emocionalisht kërcënues. “Kur pranojmë gabimin, aktivizohet ndjenja e turpit, frika nga përplasja ose ndjesia e pasigurisë, sidomos nëse jemi rritur në një mjedis ku gabimet ndëshkoheshin apo ndjeshmëria nuk pranohej.” Ajo thekson se dinamika e pushtetit dhe konteksti ndikojnë gjithashtu: kërkimi i ndjesës ndaj një shefi është ndryshe nga ai ndaj një partneri, prindi apo miku. Në të njëjtën kohë, të marrësh një ndjesë të dobët është zhgënjyese. E bën personin që është lënduar të ndihet i vetëm dhe i pakuptuar.
Po si duket një ndjesë e mirëfilltë?
Sipas studimeve, ndjesat që përdorin fjalë më të gjata perceptohen si më të sinqerta. Një ndjesë efektive duhet të përmbajë tri elementë:
-
Emërtimi i sjelljes: Çfarë saktësisht bëre gabim?
-
Pranimi i ndikimit: Si e preku këtë personin tjetër?
-
Oferta për riparim: Çfarë do të bësh për të përmirësuar situatën?
Shembull: “Fola me ton të ashpër më herët. E kuptoj që kjo mund të të ketë bërë të ndihesh i/e pavlerësuar. Do të përpiqem të jem më i/e kujdesshëm/e në të ardhmen.”
Është e rëndësishme që kërkimi i ndjesës të mos përfundojë aty. Vyas-Lee këshillon që disa ditë më vonë të rikthehesh me një mesazh të tillë: “Kam menduar për atë që ndodhi, dhe ende më vjen keq për mënyrën si e trajtova situatën. Dua të dish që e marr seriozisht.” Kjo tregon kujdes të vazhdueshëm dhe respekt për marrëdhënien. Në fund të ditës, si të rritur emocionalisht të ndërgjegjshëm, nuk kemi asnjë justifikim për ndjesa të dobëta. Por nëse kemi gabuar më parë, tani e dimë çfarë të mos bëjmë herën tjetër.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto