“Pieces of a woman” dhe miti i famshëm se dhimbja na bën më të fortë - Business Magazine Albania

“Pieces of a woman” dhe miti i famshëm se dhimbja na bën më të fortë

Pieces of a women

Shkruar nga Nada Dosti, kontributore

A jeni gjendur edhe ju në mes të një sprove apo një brenge që ju ka shkundur ekzistencën tuaj? Humbja e një personi të dashur, humbja e vendit të punës, humbja e miqve, një tradhëti, një braktisje…të gjitha këto dhembin, dhembin fort. Dhe pikërisht mu atëherë kur dëshirojmë të dëgjojmë fjalë solidarizuese, kur presim mirëkuptim dhe ta ndajmë këtë dhimbje me dikë që mendojmë se na e do të mirën, vjen fraza e famshme: “mos u mërzit (më keq akoma “mos u anko”) se kjo ka për të të bërë më të fortë”. Brenda vetes shpërthejnë fraza të tipit: nuk dua të jem më e fortë, dua të mbetem kështu e brishtë, e thyeshme…! Dua vetëm që kjo dhimbje të marrë fund dhe të jem në gjendje të ndërroj faqe dhe të vazhdoj përpara.

A nuk tingëllon kjo shprehje njëjtë me “kjo dhimbje ka për të të bërë më të fortë në mënyrë që të jesh në gjendje të përballosh dhimbje të tjera”, apo si një parashikim ogurzi që sjell para syve të tu imazhin e një tjetër tragjedie, ndërsa ti ende nuk e ke kapërdirë këtë të tanishmen?

Dhimbja dhe vuajtjet nuk janë një gjendje e këndshme, të cilës duhet t’i shkojmë nga pas, por nëse vjen duhet ta mirëpresim si një mundësi për ta riformësuar veten herë pas here. Mënyra se si presim këtë gjendje dhe mënyra se si reagojmë karshi saj përcakton kush jemi dhe do të përcaktojë të gjithë të ardhmen tonë. E kemi në dorë vetë nëse dëshirojmë të zhytemi në vorbullën e vetëviktimizimit dhe vetëmëshirimit, apo e kundërta të shtiremi sikur asgjë s’ka ndodhur, të stampojmë në fytyrë një buzqeshje të rremë për t’u përshtatur me këtë atmosferën e shtirur pozitive të shoqërisë sonë kapitaliste/post-moderniste. Pozitivitet pompoz, i cili fryhet më së shumti nga industria e vetëzhvillimit me ato frazat super motivuese sa që të vjen turp nga vetja dhe të bën të ndihesh në faj nëse qoftë edhe një ditë nga jeta jote të kalon në lot.

As vetëviktimizimi, as pozitiviteti i shtirur nuk na ndihmon ta pranojmë dhimbjen tonë ashtu siç duhet.  Ja një histori e dhimbshme prej së cilës mund të mësojmë shumë. Bëhet fjalë për “Pjesëza të një gruaje” të Netflix-it, një histori kur lindja në shtëpi e një nëne të re, Marta, përfundon në një tragjedi të pashmangshme. Ajo fillon një odise të një viti të tërë nën zi që trondit marrëdhënien e saj me partnerin dhe sjell kriza të thella në marrëdhënie me nënën e saj. Të tre këto personazhe kanë mënyrat e tyre për ta tejkaluar traumën: nëna përpiqet të gjejë drejtësi duke gjetur një kokë turku për të sakrifikuar dhe nis kështu një proces gjyqësor kundrejt mamisë, që të ketë dikë kë të fajësojë duke shpresuar se më në fund do të gjejë paqen. Partneri, nga ana tjetër bashkëpunon me vjehrrën e tij për çështjen e procesit, por edhe të një varri të denjë për të pasur një vend për ta qarë të bijën, ndërsa nga ana tjetër e tradhton Martën me të parën që i del përpara. Tradhti e cila i’a shton më shumë dhimbjen Martës, sepse ndërsa ajo vuan dhe pret një mbështetje pikërisht atëherë kur më së shumti ka nevojë, përballet me këtë thikë pas shpine. Derisa më në fund vendos të çlirohet nga të dyja këto marrdhënie toksike, me partnerin dhe me nënën e saj duke u tërhequr në vetminë e saj për t’i dhënë kohë vetes për ta përtypur këtë tragjedi. Por, në fund arrin të mësohet me humbjen e saj dhe vendos të ecë përpara atëherë kur është koha më e përshtatshme për ta bërë këtë.

Lexo: Rezilienca ndaj COVID-19? Tre Biznese Shqiptare merren si Shembull për Europën Juglindore në buletinin Zviceran Mosaic

Dy elementë të rëndësishëm në këtë histori shihen si një mjet i fuqishëm për të shëruar dhimbjen dhe për të krijuar reziljencën: dhurimi i trupit të së bijës maternitetit dhe mbjellja e farave për disa bimë shtëpiake. I pari, një gjest solidar për të tjerët: duke luftuar kundër vullnetit të së ëmës dhe partnerit të cilët të dy këmbëngulin të kenë një varr ku të qajnë, në vend të egoizmit zgjedh ta dhurojë trupin për kërkime dhe analiza shkencore në mënyrë që të gjendet shkaku i vdekjes me shpresën se shumë jetë foshnjesh do të shpëtohen në të ardhmen duke evituar kështu zemërthyrjen e shumë nënave të reja. I dyti, një gjest kreativ për ta mbajtur veten të zënë dhe produktive: farat duket se s’po mbijnë deri në momentin që Marta vendos çka i duhet asaj, shpirtit dhe trupit të saj. Kur ajo fokusohet tek vetja dhe tek shërimi atëherë duket se çdo gjë shkon në vendin e vetë, ashtu siç ka qenë e destinuar të jetë prej fillimit.

Pra jo, dhimbja nuk na bën më të fortë por na mëson si ta marrim veten, si të ecim përpara dhe si të ndërrojmë kapitull për të filluar një të ri. Sepse kur ke prekur fundin, kur je përballur me stuhitë më të frikshme dhe më të tmerrshme të jetës tënde, ke mësuar në të njëjtën kohë si të krijosh reziliencën/ përpjekjen për të mbijetuar dhe për të bashkëjetuar me traumën derisa të vijë koha që të marrësh vendimin për t’ja lënë atë së kaluarës.

Dhimbja nuk na bënë më të fortë. Përkundrazi. Dhimbja na shkatërron ëndrrat dhe entuziazmin, madje na largon dhe dëshirën për të jetuar. Ajo çfarë na bën më të fortë është kalitja e karakterit, apo aftësia për ta marrë veten dhe për të mos lejuar që cilado dhimbje që kemi kaluar mos të na kthejë në një njeri të padurueshëm, por në një person solidar, i gatshëm për t’u zgjatur dorën atyre që përjetojnë të njëjtën dhimbje apo dhimbje të ngjashme. Na bën më të fortë pranimi i vetes dhe kurajo për të folur për dhimbjen tonë dhe për të shpjeguar se si pasi u bë pjesë e jona i thamë lamtumirë dhe i treguam derën.

Vuajtjet nuk janë të këndshme dhe nuk janë ndonjë gjëndje e mrekullueshme. Por, mund të notoni deri në fund të thellësisë dhe të sillni diçka në sipërfaqe që mund të ndihmojë të tjerët”, thotë shkrimtarja Lidia Yuknavitch.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0