Pandemia COVID-19 nuk ishte ndonjë gjëmim në qiell të hapur, por përkundrazi një katastrofë “natyrore” e bërë nga njeriu, duke na vënë përballë një pasqyrë për aq shumë zakone tona të këqija dhe praktika të rrezikshme – vërtet vdekjeprurëse.
Mbi të gjitha, transmetimi i koronavirusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit ishte një produkt i urbanizimit masiv dhe shkeljes shkatërruese të habitateve natyrore dhe përhapja e shpejtë e tij ishte rezultat i mbi-industrializimit, tregtisë frenetike dhe zakoneve bashkëkohore të udhëtimit. Po kështu, paaftësia e botës për t’u bërë bashkë në mbajtjen fre të krizës, reflekton shkallën në të cilën kapaciteti i qeverisjes mbetet prapa hiper-globalizimit.
Shumë prej këtyre dështimeve ishin të dukshme para se virusi të godiste, me njerëz në shumë vende që përqafonin liderë nacionalistë dhe populistë të cilët premtuan veprim vendimtar, në një botë që dukej jashtë kontrollit. Por megjithëse ky ka qenë një vit i vështirë, ka të paktën pesë arsye për të qenë të gëzuar për vitin 2021.
Arsyeja e parë dhe më e dukshme është humbja e Presidentit të ShBA Donald Trump. Është lehtësim të jesh në gjendje të zgjohesh në mëngjes, pa u shqetësuar se çfarë personi më i fuqishëm i botës tha në Twitter, ndërsa po flije. Shtetet e Bashkuara së shpejti do të kthehen në duar të afta. Përveçse e bën Amerikën më të parashikueshme dhe të përgjegjshme, fitorja e presidentit të zgjedhur Joe Biden mban implikime të rëndësishme për demokracitë në të gjithë botën.
Vetë Trumpianët e Europës – kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe zv/kryeministri i Polonisë, sundimtari de facto, Jarosław Kaczyński – tashmë kanë mbetur jetimë nga shkatërrimi politik i Trump. Ndërsa europianët shohin përpara drejt zgjedhjeve të tyre – në Holandë dhe Gjermani në 2021 dhe në Francë në 2022 – partitë populiste do të kenë më pak pretendime se po kanalizojnë valën e historisë. Në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri Boris Johnson – një erëtregues i konsumuar politik – tashmë po zhvendoset me erërat e reja politike. Pas humbjes së Trump, më në fund pushoi nga puna mësuesin e tij populist të Brexit, Dominic Cummings dhe sinjalizoi se do të krijonte një identitet të ri për botën pas-Trump.
Arsyeja e dytë për të qenë të gëzuar është se vaksinat COVID-19 janë në rrugë e sipër. Kjo do të lejojë një kthim gradual të normalitetit dhe mënyra se si ato janë zhvilluar duhet të riafirmojë mbështetjen tonë për bashkëpunimin ndërkombëtar. Nuk ishte tjetër veçse frymëzuese të shihje vaksinën e parë të vinte nga BioNTech, një kompani e financuar nga Bashkimi Europian i udhëhequr nga dy shkencëtarë gjermanë me origjinë turke. Duke pasur parasysh shqetësimet e justifikueshme në lidhje me “nacionalizmin e vaksinave|, është e rëndësishme që njerëzit të kenë parë që internacionalizmi, jo provincializmi, është rruga për të dalë nga kjo dhe krizat e tjera globale.
Kjo më çon në arsyen e tretë të optimizmit: lajme inkurajuese në frontin e klimës. Siç kanë vërejtur shumë komentues, ndryshimi i klimës mund të çojë në një krizë edhe më të madhe se COVID-19. Por pas një rënie masive prej 7% të emisioneve të gazrave serë këtë vit, ne të paktën dimë se çfarë është e mundur. Dhe tani që qeveritë kanë provuar se janë të afta të shpenzojnë gjithçka që duhet në rast urgjence, ata do të përballen me presion në rritje për të investuar në teknologjitë e nevojshme për një tranzicion të shpejtë në energjinë e pastër.
Shkaku i katërt për gëzim është kthimi i besimit te qeveria. COVID-19 i ka kujtuar të gjithëve se sa e vlefshme mund të jetë administrata publike kompetente. Ai gjithashtu ka sjellë vëmendje të re për nevojën e rishpërndarjes. Pas krizës financiare të vitit 2008, shumë shpresuan se ortodoksia mbizotëruese neoliberale do t’i jepte rrugë demokracisë sociale dhe kontrollit më të madh politik mbi ekonominë. Në vend të kësaj, ne morëm ndihma bankare dhe shembuj të tjerë verbues të “socializmit për të pasurit dhe kapitalizmit për të varfrit”.
Pas një dekade të kursimit të dhimbshëm dhe përmbysjeve politike që shkaktoi, qeveritë më në fund po marrin më shumë përgjegjësi për mirëqenien e publikut. Partitë kryesore, përfshirë Demokratët në ShBA, po shtyjnë politikat për të mbështetur punëtorët dhe klasën e mesme, duke ofruar shpresë që pabarazia strukturore, e cila i ka bërë shumë të ndihen “të lënë pas” (dhe në këtë mënyrë të hapur për thirrjet populiste), më në fund do të adresohet.
Kjo na sjell në arsyen e fundit për të qenë të gëzuar. Pandemia ka shkaktuar një rishikim të sistemit global. Në vend të hiper-globalizimit të parregulluar, shumë fuqi udhëheqëse po kërkojnë mënyra për të pajtuar oreksin për mallra të lirë, teknologji të përparuara dhe përfitime të tjera të tregtisë me një kontroll më të madh mbi punët e brendshme. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për “shkëputje” në ShBA, “qarkullim të dyfishtë” në Kinë, apo “autonomi strategjike” në Europë, debatet e politikave të vonuara tani janë duke u zhvilluar.
Këtu, e shoh bashkëbisedimin europian veçanërisht tërheqës, pasi ajo është e përqendruar në kanalizimin e dëshirës për më shumë kontroll në mënyra që pengojnë nacionalizmin e vetëmposhtur. Kërkimi i BE-së për sovranitet përfshin të paktën pesë fusha (çështje ekonomike dhe financiare, shëndetin publik, dixhitalizimin, politikën e klimës dhe sigurinë) dhe europianët kanë bërë përparim të mirë në të gjitha ato. Krijimi i një fondi rimëkëmbjeje prej 750 miliardë eurosh (915 miliardë dollarë) tregon se vende si Gjermania janë të gatshme të kalojnë vijat e tyre tradicionale të kuqe, në interes të solidaritetit.
Sigurisht, është shumë herët për të deklaruar fitoren në ndonjë nga betejat tona aktuale. Biden do të luftojë për të qeverisur një vend të polarizuar përballë rezistencës Republikane. Dorëzimi i vaksinave në të gjithë botën do të jetë një sfidë e madhe logjistike. Fuqitë e mëdha konkurruese ende mund të prishin axhendën e klimës, në fillim të samitit të klimës COP26 në Glasgow në nëntor. Kërcënimi i recensionit dhe krizave të reja të borxhit mund të përkeqësojnë pabarazinë, duke siguruar një kthim në politikat më toksike. Ringjallja e ëndrrës europiane do të varet nga rezultati i zgjedhjeve kombëtare shumë të kontestuara.
Por ndërsa afrohet viti 2021, gjërat duken shumë më mirë sesa dukeshin vetëm disa muaj më parë. Tani kemi të paktën pesë arsye për të festuar Vitin e Ri.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.