Për herë të parë në botë, Italia realizon transplantin e mëlçisë me një teknikë inovative - Business Magazine Albania

Për herë të parë në botë, Italia realizon transplantin e mëlçisë me një teknikë inovative

Në spitalin Molinette, pjesë e kompleksit “Città della Salute e della Scienza” në Torino, është realizuar një transplant i jashtëzakonshëm i mëlçisë tek një vajzë 21-vjeçare, e cila u shpëtua falë një teknike krejtësisht të re dhe të padëgjuar më parë,  një ndërhyrje plotësisht ekstra-anatomike, ku mëlçia e re u lidh me trupin në mënyrë krejt të ndryshme nga procedurat tradicionale.

Tre “kanalet” kryesore që zakonisht përdoren për të bashkuar mëlçinë me trupin; vena porta, arteria hepatike dhe kanali biliar nuk ishin më funksionale. Vajza ishte lindur me një keqformim të rëndë të quajtur atrezia e rrugëve biliare, një gjendje që kërkoi një transplant të parë të mëlçisë në moshën më pak se gjashtë muajshe, gjithashtu i kryer në të njëjtin spital, në Qendrën për Transplantin e Mëlçisë. Fatkeqësisht, gjatë adoleshencës, vajza nisi të përjetonte infeksione të vazhdueshme të tëmthit që preknin mëlçinë e mëparshme të transplantuar, duke çuar me kohë në cirrozë të rëndë, një formë e avancuar e dëmtimit të mëlçisë.

Pasi u hoq mëlçia e dëmtuar, mjekët u përballën me një sfidë madhore: asnjë nga pikat tradicionale të lidhjes së organit nuk ishte më e përdorshme. Për të siguruar furnizimin me gjak arterial, ata lidhën drejtpërdrejt aortën abdominale të pacientes me arterien e mëlçisë së re. Për të zëvendësuar funksionin e venës portale, u përdor një teknikë e quajtur “transpozicion kavo-portal”: vena kava inferiore u pre dhe u bashkua me venën porta të mëlçisë së dhuruar.

Lexo edhe: Studimi: Stili i jetës pas të 50-ave faktor kyç për jetëgjatësinë

Operacioni, i cili zgjati rreth 14 orë, u drejtua nga profesori Renato Romagnoli me ekipin e tij, në bashkëpunim me anestezistët e repartit Anestezi & Reanimacion 2 (të udhëhequr nga Dr. Maurizio Berardino) dhe me kardio-kirurgët dhe perfuzionistët e departamentit të Kardio-Kirurgjisë të profesorit Mauro Rinaldi. Gjatë një faze delikate të operacionit, për rreth 80 minuta, u përdor një makineri jashtë-trupore për të ruajtur funksionin e qarkullimit të gjakut.

Pas pesë ditësh në terapi intensive, vajza tani është në gjendje të mirë dhe po ndjek një proces të kujdesshëm rikuperimi në repartin gjysmë-intensiv kirurgjikal – një dëshmi e kurajos, inovacionit dhe bashkëpunimit multidisiplinar që i dha asaj një jetë të dytë.

Burimi: TgCom24

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0