Në orët e para të mëngjesit të 3 janarit, forcat amerikane bombarduan Karakasin, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në kryeqytet, dhe kapën presidentin venezuelian Nicolás Maduro nga kompleksi i tij në Fort Tiuna. Para agimit, operatorë të forcave speciale Delta e transportuan Maduron, të verbuar, me pranga në duar dhe i veshur me një tuta sportive Nike – në anijen USS Iwo Jima, nga ku do të dërgohej për gjykim në Nju Jork për një sërë akuzash federale që lidhen me trafikun e drogës dhe terrorizmin.
Presidenti Donald Trump e shpalli versionin e tij të asaj që presidenti rus Vladimir Putin e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë, përmes rrjetit të tij Truth Social, përpara se shumica e amerikanëve të zgjoheshin. Në një konferencë shtypi në Mar-a-Lago, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do ta “administrojnë” Venezuelën “derisa të realizohet një tranzicion i sigurt, i drejtë dhe i arsyeshëm”.
Edhe një herë, administrata Trump ka ndërmarrë një operacion ushtarak në funksion të një objektivi politik, të cilin nuk ka arritur ta shpjegojë në mënyrë koherente dhe bindëse. Ky hap dramatik, ndonëse teknikisht i ekzekutuar me sukses, u ndërmor pa asnjë përgatitje serioze për hapat pasues.
Nuk është se administrata nuk pati kohë për të planifikuar. Operacioni ishte kulmi i disa muajve përshkallëzimi: bllokadë detare, konfiskim i cisternave të naftës në det të hapur, mbi njëqind viktima në sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, dhe një sulm me dron i CIA-s ndaj një porti venezuelian. “Operacioni Vendosmëri Absolute” u konsiderua një sukses i pastër. Por për çfarë qëllimi? Çfarë zgjidhi realisht?
Arsye të kundërta
Administrata nuk arrin të vendosë nëse qëllimi i operacionit ishte zbatimi i ligjit apo ndryshimi i regjimit. Senatori Tom Cotton argumentoi se “Kongresi nuk ka pse të njoftohet sa herë që dega ekzekutive kryen një arrestim”, duke e paraqitur operacionin si një veprim të thjeshtë të Departamentit të Drejtësisë ndaj një trafikanti droge që rastësisht ishte president i Venezuelës. Por Trump foli sikur ndryshimi i regjimit tashmë kishte ndodhur: SHBA-të do ta “drejtonin” vendin, kompanitë amerikane të naftës do të hynin për të “rregulluar infrastrukturën e shkatërruar” dhe për të “filluar të gjeneronin fitime”.
Këto dy narrativa nuk mund të jenë të dyja të vërteta. Arrestimi i një personi nuk është i njëjtë me marrjen e kontrollit të një shteti.
Megjithatë, administrata nuk sheh arsye për të harmonizuar këto kundërthënie dhe ka paraqitur një listë justifikimesh të njohura: drejtësi dhe prosperitet për venezuelianët; ndalim i fentanylit (edhe pse Venezuela nuk e prodhon atë); frenim i emigracionit të paligjshëm drejt SHBA-ve; luftë kundër “narco-terrorizmit” (edhe pse Maduro nuk kontrollon bandën Tren de Aragua); kompensim për asetet e naftës që gjoja Venezuela ua ka “vjedhur” kompanive amerikane; ndalim i ndikimit të Iranit dhe Kinës në hemisferën perëndimore; presion ndaj Kubës përmes naftës së subvencionuar; dhe fitim politik nga diaspora venezueliane në Florida.
Kësaj liste i shtohet edhe dëshira e hapur e Trump për të treguar se ka “tejkaluar” të gjithë presidentët e mëparshëm amerikanë. Por bollëku i arsyetimeve e zbraz vetë idenë e justifikimit. Arsyet funksionojnë si mjegull – për të hutuar, jo për të bindur. Siç e përshkruan Washington Office on Latin America, kjo është “teatër”. Demonstrimi i forcës amerikane ishte vetë qëllimi.
Shkelja flagrante e së drejtës ndërkombëtare – përfshirë detyrimet kushtetuese të SHBA-së ndaj traktateve – nuk është problem për këtë administratë; përkundrazi, është pikë force. Injorimi i Kartës së OKB-së shihet si dëshmi se Trump nuk i përgjigjet askujt. Por paligjshmëria nuk është strategji.
Argumenti i drogës është veçanërisht i pabesueshëm. Vetëm një muaj më parë, Trump fali ish-presidentin e Hondurasit, Juan Orlando Hernández, i dënuar për trafik droge dhe i ekstraduar në SHBA. Ndërsa Maduro arrestohet për akuza ende të pakonfirmuara, një trafikant i dënuar lirohet sepse ishte politikisht i dobishëm. “Narco-terrorizmi” përdoret kundër armiqve dhe harrohet për miqtë.
Lexo edhe:Paga reale mesatare sot vlen 140 euro më pak se në 2020-ën
Çfarë pason?
Kur SHBA-të arrestuan Manuel Noriegën në Panama më 1990, ekzistonte një opozitë e gatshme për të marrë pushtetin. Në Venezuelë, këto kushte nuk ekzistojnë. Regjimi nuk është shembur. Zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez është betuar si presidente, ndërsa ushtria ka shpallur mobilizim të plotë.
Trump paralajmëron një “valë të dytë” ndërhyrjeje, më të madhe. Pra, kërcënimi është bombardim i mëtejshëm nëse vendi nuk dorëzohet. Por çfarë ndodh nëse shpërthen një kryengritje? Kush do t’i mbrojë fushat e naftës? Çfarë ndodh nëse vendi fragmentohet dhe rajoni destabilizohet? Trump nuk ka përgjigje, sepse nuk i ka bërë këto pyetje.
Gënjeshtra Kundër Kushtetutës
Etërit themelues të SHBA-së krijuan një sistem që e detyronte ekzekutivin të justifikonte veprimet e tij. Sot, ky sistem është boshatisur. Ndryshe nga gënjeshtrat e kalibruara të së shkuarës, Trump përdor një stuhi justifikimesh që ndryshojnë vazhdimisht, duke e bërë të pamundur çdo verifikim.
Kjo nuk është thjesht një krizë politike; është një krizë e mendimit kritik dhe e institucioneve.
Liri nga Mendimi
Konferenca e Trump u karakterizua nga një vetëbesim i rremë: pyetjet e vështira për të ardhmen nuk kishin përgjigje. Kush qeveris Venezuelën? “Një grup.” Sa do të zgjasë ndërhyrja? “Derisa të ketë tranzicion të sigurt.” Po nëse dështojnë? Heshtje. Liria nga justifikimi është kthyer në liri nga mendimi.
Stephen Holmes është profesor i së drejtës në Universitetin e Nju Jorkut dhe bashkautor i librit The Light that Failed: A Reckoning (2019).
Copyright: Project Syndicate, 2026.
www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto