OKB: Gratë kanë 3 herë më shumë gjasa të humbasin vendin e punës për shkak të AI - Business Magazine Albania

OKB: Gratë kanë 3 herë më shumë gjasa të humbasin vendin e punës për shkak të AI

Orare fleksibël pune për gratë dhe burrat që kujdesen për familjarët

Një në katër punëtorë në botë mund të humbasë punën për shkak të inteligjencës artificiale (AI), dhe gratë janë ato që përballen me një rrezik shumë më të lartë për t’u zëvendësuar. Ky është përfundimi shqetësues i një raporti të përbashkët nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) pranë OKB-së dhe Instituti Kombëtar i Kërkimeve në Poloni. Studimi përforcon shumë prej analizave të fundit mbi ndikimin e AI-së në tregun e punës dhe megjithëse konkludon se zëvendësimi i plotë i njeriut nuk do të jetë skenari më i mundshëm, transformimi  radikal i rutinës së punës tashmë ka nisur.

Por ndikimi nuk do të shpërndahet në mënyrë të barabartë. “Punët në sektorin administrativ dhe zyrtar,” thekson OKB, “janë më të ekspozuarat ndaj rrezikut për zëvendësim nga AI, për shkak të aftësisë së teknologjisë për të automatizuar shumë prej detyrave të tyre.” Për shkak të strukturës aktuale të tregut botëror të punës, kjo do të thotë se shumë gra janë në vijën e parë të rrezikut.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, OKB thekson: ekspozimi i grave ndaj zëvendësimit nga AI “vazhdon të jetë ndjeshëm më i lartë.” Në vendet me të ardhura të larta, “9.6% e vendeve të punës që janë në rrezik të lartë automatizimi zihen nga gra,” një kontrast i theksuar me vetëm “3.5% të tilla që zihen nga burra.” Pra, gratë në vendet e zhvilluara kanë gati 3 herë më shumë gjasa të zëvendësohen nga sisteme të AI-së sesa kolegët e tyre meshkuj.

Megjithatë, raporti thekson se AI po evoluon me shpejtësi marramendëse. Ndërsa punët zyrtare mund të jenë të parat që preken, nuk do të jenë të fundit. “Zgjerimi i aftësive të AI gjenerative po ekspozon gjithashtu punë të tjera me përmbajtje të lartë digjitale, si në sektorin e medias, softuerit dhe financave.”

Nuk është një tablo krejtësisht distopike. OKB-ja thekson se “automatizimi i plotë i punëve mbetet ende i kufizuar, pasi shumë detyra, edhe pse bëhen më efikase, ende kërkojnë ndërhyrje njerëzore.”
Por edhe kjo notë pozitive vjen me një paralajmërim. Raporti thekson dallimet mes profesioneve që janë mësuar me ndryshime të shpejta teknologjike  si zhvilluesit e softuerëve dhe atyre ku mungesa e aftësive digjitale mund të ketë pasoja negative.

Blogu zyrtar i OKB-së thekson se raporti pasqyron rrezikun e ekspozimit, jo humbjet reale të vendeve të punës. Për më tepër, pengesat teknologjike, mungesa e infrastrukturës dhe mungesat në aftësi do të ndikojnë që efektet të ndryshojnë ndjeshëm sipas vendit dhe sektorit.

Lexo edhe: 18 industritë që do të riformësojnë ekonominë globale deri në vitin 2040

Raporti bën thirrje për dialog social dhe strategji gjithëpërfshirëse, ku të përfshihen qeveritë, punëdhënësit dhe organizatat e punonjësve për të rritur produktivitetin dhe cilësinë e punës, veçanërisht në sektorët e ekspozuar. Ekonomistja e lartë e ILO-së, Janine Berg, u shpreh: “Është e lehtë të humbesh në zhurmën që po bëhet për AI-në.” Ajo thekson se “na nevojitet qartësi dhe kontekst” për ndikimin e saj të vërtetë. Shpresa e saj është që raporti të ndihmojë njerëzit të përgatisin tregun e punës për një të ardhme më të drejtë digjitale.

Megjithatë, kjo qasje optimiste bie ndesh me realitetin ekonomik: shumë kompani tashmë po zëvendësojnë stafin me AI, për shkak të kostove më të ulëta. Vetëm disa javë më parë, Microsoft pushoi afro 2,000 punonjës, kryesisht zhvillues pasi CEO Satya Nadella pranoi se 30% e kodit aktualisht po shkruhet nga AI. Mark Zuckerberg i Meta ka bërë një premtim të ngjashëm: të zëvendësojë programuesit e nivelit të mesëm me sisteme të AI-së. Ndërkohë, raportet tregojnë se profesionistët e teknologjisë po e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë punë, pikërisht për shkak të rritjes së përdorimit të AI.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0