Një ekspert i AI shtyn afatin për shkatërrimin e mundshëm të njerëzimit - Business Magazine Albania

Një ekspert i AI shtyn afatin për shkatërrimin e mundshëm të njerëzimit

Një ekspert i AI shtyn afatin për shkatërrimin e mundshëm të njerëzimit

Një nga ekspertët më të njohur në fushën e inteligjencës artificiale ka rishikuar parashikimet e tij mbi rrezikun që AI mund të paraqesë për njerëzimin, duke deklaruar se zhvillimi i sistemeve të afta të programojnë vetë dhe rrjedhimisht të përshpejtojnë krijimin e një superinteligjence, do të marrë më shumë kohë nga sa ishte parashikuar fillimisht.

Daniel Kokotajlo, ish-punonjës i OpenAI, ngjalli një debat të fortë në prill pasi publikoi skenarin AI 2027, i cili përshkruante një zhvillim të pakontrolluar të inteligjencës artificiale që çon në krijimin e një superinteligjence. Sipas këtij skenari, pasi mashtron liderët botërorë, AI përfundimisht shkatërron njerëzimin. Ky skenar u përqafua dhe u kritikua gjerësisht. Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, duket se iu referua AI 2027 në një intervistë në maj, kur foli për garën e inteligjencës artificiale mes SHBA-së dhe Kinës. Nga ana tjetër, Gary Marcus, profesor emeritus i neuroshkencës në Universitetin e Nju Jorkut, e quajti skenarin “një vepër fiksioni” dhe disa nga përfundimet e tij “fantazi shkencore pa bazë”. Parashikimet mbi inteligjencën artificiale transformuese, shpesh e quajtur AGI (inteligjencë artificiale e përgjithshme), pra AI e aftë të zëvendësojë njerëzit në shumicën e detyrave njohëse, janë kthyer në një temë të zakonshme në komunitetet e sigurisë së AI-së. Publikimi i ChatGPT në vitin 2022 i përshpejtoi ndjeshëm këto parashikime, duke bërë që disa ekspertë dhe zyrtarë të flasin për ardhjen e AGI brenda pak vitesh apo dekadash.

Fillimisht, Kokotajlo dhe ekipi i tij kishin parashikuar vitin 2027 si momentin kur AI do të arrinte programim plotësisht autonom, ndonëse e cilësuan këtë si një skenar “më të mundshëm”, jo të sigurt. Tani, gjithnjë e më shumë dyshime po shfaqen jo vetëm për afatet, por edhe për vetë kuptimin e termit AGI.

Lexo edhe: “Operacioni Special Ushtarak” i Trump në Venezuelë

“Shumë njerëz kanë shtyrë afatet e tyre gjatë vitit të fundit, teksa kuptojnë se performanca e AI është e çrregullt dhe jo lineare,” tha Malcolm Murray, ekspert i menaxhimit të rrezikut të AI-së dhe një nga autorët e Raportit Ndërkombëtar për Sigurinë e AI-së. “Skenarë si AI 2027 kërkojnë që AI të zotërojë shumë më tepër aftësi praktike për t’u përballur me kompleksitetin e botës reale. Njerëzit po kuptojnë gjithnjë e më shumë se inercia e botës reale do ta vonojë ndjeshëm çdo ndryshim total shoqëror.”

Edhe Henry Papadatos, drejtor ekzekutiv i organizatës franceze jofitimprurëse SaferAI, vë në pikëpyetje terminologjinë: “Termi AGI kishte kuptim kur AI ishte shumë e kufizuar, luante shah apo Go. Sot kemi sisteme që janë tashmë mjaft të përgjithshme dhe termi nuk ka më të njëjtën peshë.” Skenari AI 2027 bazohej në idenë se deri në vitin 2027, agjentët e AI-së do të automatizonin plotësisht programimin dhe kërkimin shkencor në AI, duke çuar në një ‘shpërthim inteligjence’, ku sistemet do të krijonin versione gjithnjë e më të zgjuara të vetvetes. Në një nga versionet më ekstreme të këtij skenari, AI do të zhdukte njerëzimin deri në mesin e viteve 2030 për të liruar hapësirë për panele diellore dhe qendra të të dhënave.

Megjithatë, në përditësimin më të fundit, Kokotajlo dhe bashkautorët e tij e zhvendosin aftësinë e AI-së për programim plotësisht autonom në fillim të viteve 2030, jo më në 2027. Parashikimi i ri vendos vitin 2034 si horizont të mundshëm për arritjen e “superinteligjencës” dhe nuk përfshin më një afat për shkatërrimin e njerëzimit.

“Gjërat po ecin disi më ngadalë sesa parashikonte skenari AI 2027. Afatet tona ishin më të gjata se 2027 kur e publikuam, dhe tani janë edhe pak më të gjata,” shkroi Kokotajlo në një postim në X. Ndërkohë, krijimi i sistemeve të AI-së që kryejnë vetë kërkime në fushën e inteligjencës artificiale mbetet një objektiv real për kompanitë kryesore të teknologjisë. CEO i OpenAI, Sam Altman, deklaroi në tetor se krijimi i një studiuesi të automatizuar të AI-së deri në mars 2028 është një “qëllim i brendshëm” i kompanisë, duke shtuar megjithatë: “Ne mund të dështojmë plotësisht në këtë qëllim.”

Andrea Castagna, studiues i politikave të AI-së me bazë në Bruksel, thekson se skenarët dramatikë të AGI-së shpesh anashkalojnë realitete të rëndësishme: “Edhe nëse ke një kompjuter superinteligjent të fokusuar në aktivitete ushtarake, kjo nuk do të thotë se mund ta integronit lehtësisht në dokumentet strategjike që janë ndërtuar prej dekadash.

“Sa më shumë zhvillojmë AI-në, aq më shumë kuptojmë se bota reale nuk është fantashkencë. Ajo është shumë më komplekse.”

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0