Në konferencën e hapjes për Censin, Kryeministri Edi Rama, tha se, “kjo është një nismë shumë e rëndësishme, e cila do ishte e pamundur pa ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve. Jam këtu me ambasadorin Luigi Soreca i cili me rikthimin në Shqipëri për pak muaj për arsye të procedurave në Bruksel, meriton titullin legjendar.
Më 8 mars të 1911 Ismail Qemali nga Stambolli ka dhënë një intervistë ku i prezanton publikut francez një copë toke ekzotike, me emrin Shqipëri. Aty ai thotë se Shqipëria është e ndarë në veriore dhe jugore, dhe nënvizon se të gjithë pavarësisht fesë janë të bashkuar dhe ndajmë të njëjtat zakone. Por ajo që Ismail Qemali nuk e thotë, ishte sa shqiptarë ishin në atë territor. Realizimi i një Censi u shndërrua në nevojë urgjente.
Sot besoj që janë pjekur kushtet që të nisim një proces me kaq rendësi dhe ta bëjmë sipas standardeve europiane. Është një ushtrim shumë i vështirë se duhet trokitur derë më derë për të mbledhur sipas planit të përpiluar nga Instat për gjashtë javë të gjitha të dhënat të cilat janë një nevojë absolute për shumë arsye.
Pikësëpari për të identifikuar realisht, konkretisht sa shqiptarë, sa qytetarë jetojnë në këtë vend sot dhe po ashtu sa është numri i pasurive të tyre të patundshme.
Them që janë pjekur kushtet se janë dy faktorë: Faktori i parë janë partnerët, kemi partnerët francezë, zviceranë, gjermanë, të gjithë të njohur për saktësinë. Dhe patjetër, me mbështetjen e Bashkimit Eurpian me një fond të konsiderueshëm. 55% vendos në dispozicion qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër është vendosur nga këta partnerë”.
Faktori tjetër është teknologjia e lartë, tha ai, duke theksuar ndihmën e rëndësishme për të përdorur atë që përdoret në realitete më të zhvilluara, si mjet që garanton integritetin e shifrave në kohë reale.
Instat ka një përvojë të padyshimtë institucionale dhe një vijueshmëri profesionale që është garanci në këtë proces. INSTAT sot është tërësisht i çliruar nga politika.
I ngarkuari me punë i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ka theksuar se për realizimin e Censit, BE ka dhënë një grand prej 4.8 milionë euro, I cili do të menaxhohet nga INSTAT.
“Ne kemi mobilizuar 4.8 mln euro në grante për INSTAT, me ndihmën e Suedisë, Zvicrës dhe OKB. Mësimet e nxjerra nga censi i mëparshëm kanë shërbyer si mësime për INSTAT, për të përfshirë sa më mirë pakicat etnike dhe grupet e tjera. Shqipëria ka bërë shumë rrugë për të siguruar vlefshmërinë, mund të jetë një shtysë e mëtejshme në përpjekje për t’u integruar në BE.
Lexo: Papunësia rritet te burrat dhe ulet te gratë
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën.
Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.
Censi i Popullsisë dhe Banesave do të nisë më 18 shtator 2023 dhe Puna në terren do të zgjasë gjashtë javë.
Risitë e Censit 2023 janë:
Përdorimi i pajisjeve elektronike tablet, të cilat do të zëvendësojnë pyetësorët letër për procesin e mbledhjes së të dhënave në terren:
Modernizimi i Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS) – mbledhja, monitorimi, analiza dhe shpërndarja e të dhënave
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.