Në një kohë kur nostalgjia teknologjike është kthyer në trend dhe detokset digjitale janë në modë, të rinjtë e Gjeneratës Z po rigjejnë një ikonë të së kaluarës: telefonin BlackBerry.
Imagjinoni vitin 2009. Çorape të shkurtra, kënga “Tik Tok” sapo ka dalë dhe nuk ka asnjë lidhje me rrjetin social që sot konsumon çdo minutë. Në dorë keni një BlackBerry Bold 9700 dhe po përditësoni statusin në BBM. Bota dukej më e thjeshtë, dhe teknologjia më e mirë që mund të kishit ishte ajo me tastierë fizike.
Përpara se iPhone të ndryshonte gjithçka, BlackBerry ishte telefoni “cool”. Në kulmin e tij në fillim të viteve 2000, marka zotëronte mbi 50% të tregut amerikan të smartphone-ve dhe 20% të tregut global. Por me kalimin e kohës, ekranet me prekje morën përparësi dhe në vitin 2022, BlackBerry ndaloi zyrtarisht mbështetjen për pajisjet e saj klasike.
Megjithatë, historia nuk përfundon këtu.
Vitet 2000 po rikthehen fuqishëm në kulturën pop. Dhe, siç raporton edhe New York Times, “çdo gjë që dikur i përkiste brezit Millennial, është sërish në modë.” Në këtë valë nostalgjie, BlackBerry po gjen vendin e vet sërish.
Lexo edhe: Huawei po fiton terren, a rrezikon SHBA të humbasë garën për inteligjencën artificiale?
Në TikTok, përdoruesit po postojnë video me telefona BlackBerry të blerë në eBay për vetëm 40 dollarë. Një vajzë shpjegon se kurrë nuk kishte pasur një të tillë në fëmijëri dhe tani po realizon një ëndërr të vjetër. Hashtagu #blackberry ka mbi 125 mijë postime, me përdorues që ndajnë modele të rralla si BlackBerry Classic Q20 dhe Curve ngjyrë vjollcë.
Përmes asaj që quhet “Digital Detox Summer”, të rinjtë po largohen nga iPhonet për të përqafuar telefonat me tastierë, me më pak shpërqendrime dhe më shumë stil vintage.
“POV: Blini BlackBerry në 2025 sepse iPhone-i po të shkatërron jetën,” lexohet në një postim që ka mbi 6.4 milionë shikime. “Kjo ishte kulmi i teknologjisë,” komenton dikush. “BlackBerry ka ende një shans për një rikthim madhështor,” shton një tjetër.
Thashethemet për një rikthim të mundshëm të markës janë ndezur edhe në Reddit, ndonëse postimet janë të paqarta dhe të mbuluara nga marrëveshje konfidencialiteti. Pavarësisht nëse është një rikthim real apo thjesht një valë nostalgjie, një gjë është e sigurt: Gjenerata Z po rikthen BlackBerry-n, qoftë edhe vetëm për të luajtur Brick Breaker dhe për të harruar rrjetet sociale për pak çaste.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.